3 mijë procese gjyqësore për mungesë dokumentacioni për pensionin

Postuar në 04 Mars, 2016 15:47

Punon të gjithë jetën tënde, derdh kontributet dhe në fund për të plotësuar dosjen që çon në vendimin për të marrë pensionin duhet të sorollatesh pa fund. Kjo ndodh në Shqipëri prej vitesh, ku njerëz të moshës për pension duhet të menaxhojnë vetë të gjithë dokumentacionin që u mungon zyrave të sigurimeve shoqërore. Jo rrallë ndodh që mungesa e dokumentacionit çon në proces gjyqësor për verifikim fakti , ku thirren dëshmitarë “ish-shokë të kolektivit punonjës” për të bindur institucionet se ti je ai që ke punuar aty ku institucionit i mungojnë letrat. Siç raporton “Vizion Plus” janë 3 mijë procese gjyqësore të qytetarëve që bredhin nga një derë në tjetrën për të marrë atë që duhet t’ua jepnin: PENSIONIN që e kanë paguar Vetë.  Për ministrin e Mirëqenies Sociale të gjitha dokumentet ekzistojnë në arkivin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Një pohim ky që nuk vlen të paktën për rastin e ushtrisë ku ka raste që për ndonjë repart Arkivi i Ministrisë së Mbrojtjes të jep si përgjigje zyrtare: Nuk ekziston dokumentacion për këtë repart që nga ky vit deri në këtë vit. Gjithsesi lajmi i mirë është se ministri ka premtuar “ngritjen e një grupi të posaçëm pune për verifikimin dhe zbardhjen e të gjitha të dhënave të arkivës”. Duhet shpresuar se vërtet do të bëhet diçka, pasi në jo pak raste ka patur kundërshti edhe për llogaritjen e pensionit. 

 

http://vizionplus.al/kaosi-me-dokumentet-e-pensionit/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.