Muxhahedinët iranianë/Një shkrim dhe disa të dhëna që nuk i janë thënë qytetarëve shqiptarë as në 2013-ën e as tani

Postuar në 02 Mars, 2016 05:47

Një shkrim i publikuar dje në “Huffington Post” rimerr edhe njëherë çështjen e muxhahedinëve iranianë (Mojahedin – e -  Khalq: MEK), një grupim opozitar paramilitar që synon rrëzimin e pushtetit aktual në Teheran, 3000 prej të cilëve është vendosur të vinë në Tiranë. Autor i shkrimit është Massoud Khodabandeh,  drejtor i një think tanku(http://www.mesconsult.com/about%20us.htm) që e drejton me bashkëshorten, e që është kontraktuar nga qeveria aktuale irakene për çështje të terrorizmit. Khodabandeh ka qenë anëtar i MEK-ut deri në vitin 1996, madje me detyra të larta, ndaj edhe shkrimi i tij për refugjatët e rinj që po vijnë në Tiranë ka rëndësi për njohjen nga brenda të kategorisë që po hyn në Shqipëri. Aq më tepër kur qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë hollësi për mbërritjen e muxhahedinëve iranianë, që ishin në fakt edhe shkaku i vizitës së John Kerryt në Tiranë.

Shkrimi ka rëndësi për disa elementë që është mirë që edhe opinion shqiptar t’i dijë e që qeveri e vet nuk ja bën të ditur:  

Ai nënvizon rrezikshmërinë e grupit që po pranohet nga Tirana zyrtare, e që nuk i është bërë e qartë publikut shqiptar. Në një vend ku nuk vendoset dot rendi publik dhe ku korrupsioni po përhapet ngado, prania e njerëzve të stërvitur për aktivitete ilegale është problem më vete. Autori thotë se MEK është stërvitur nga Saddam Hussein në guerrilje, luftë urbane, mashtrim, torturë etj.. Aktualisht grupimi është rreshtuar bme Ushtrinë e Lirë Siriane në Siri.

Së dyti, autori sqaron se Asnjë prej vendeve europiane nuk i ka pranuar muxhahedinët. Ashtu sikurse edhe qeveria irakene i ka patur shumë problem. Khodabandeh thotë se në vitin 2013 ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha pranoi 200 anëtarë të MEK-ut për motive humanitare, si pasojë e një kërkese të sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton që synonte të “inkurajonte kështu edhe vende të tjera”. Të kujtojmë këtu se edhe për armët kimike të Bashar al Assadit u përzgjodh Shqipëria ndër të tjera, sikurse furnizimi me armë i kurdëve peshmerga u bë së pari nga qeveria aktuale e Shqipërisë. Një fakt që u pranua me krenari edhe nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Sigurisë.

Për MEK-un në “Ëikipedia shkruhet se ka hequr dorë zyrtarisht nga aktivitet ushtarake në vitin 2001, por po aty shtohet se ata janë akuzuar shpesh se “janë paguar nga shërbimet izraelite për likujduar shkencëtarë iranianë”( https://en.wikipedia.org/wiki/People%27s_Mujahedin_of_Iran_).

Autori shtron hipotezën se përgatitja e grupit për aktivitete ilegale është sfidë më vete për autoritetet shqiptare, madje se ata mund të tërheqin grupe të tjera terroriste në Shqipëri dhe ç’është më e rëndësishmja, skema organizative e tyre i ngjan asaj të një Kulti. Një e dhënë që nuk duhet neglizhuar është përmendja e “shembujve të njerëzve të trafikuar nga MEK-u nga Shqipëria drejt Europës Perëndimore”, por pa specifikuar.

Elementi tjetër është ai që e zbulon qeverinë shqiptare në një tjetër aspekt: Khodabandeh shkruan se shkëputja e të rinjve të grupit nga pjesa tjetër, ka provuar se është çliruese për ta. Është vënë re një kthim në normalitet. Por sipas tij, SHBA dhe disa vende të Europës Perëndimore kanë ndjekur procedura shumë të rrepta intervistimi për personat që kanë lejuar të strehohen në vendet e tyre, duke u bindur se “kanë shkëputur lidhjet me MEK-un”. Diçka e pazakontë kjo sa kohë që organizata presupozohet të jetë përkrash SHBA-së në konfliktet në Lindjen e Mesme(http://www.huffingtonpost.com/massoud-khodabandeh/can-albania-meet-its-obli_b_9355764.html). Po Shqipëria?

Hipotezat e mësipërme mund të jenë të ekzagjeruara, apo në funksion të një axhende, por sidoqoftë errësira e plotë që mbulon këtë akt e legjitimon atë si një mundësi informimi të cilën na e ka mohuar qeveria që thuhet se kemi zgjedhur vetë.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.