Pakti Shqipëri-Greqi në dritën e shembujve ndërkombëtarë

Postuar në 01 Mars, 2016 02:07
Dr. Ermal Xhelilaj

Duhet theksuar se, ndërsa marrëveshja italo-shqiptare ka zbatuar parimin e baraslargësisë në mënyrë të rreptë, shteti grek në marrëveshjen ndërshtetërore me Italinë, përkundrazi ka zbatuar parimin e baraslargësisë së modifikuar, pra duke marrë në konsideratë rrethanat e veçanta që karakterizojnë situatën gjeografike apo historike mes dy shteteve. Nga ana tjetër, traktati midis Italisë dhe Francës për delimitimin e ujërave territoriale në Ngushticën e Bonifacit, midis Korsikës dhe Sardenjës, nuk ka zbatuar kritere të sakta gjeometrike për shkak të situatës gjeografike komplekse, të karakterizuar nga një vijë bregdetare e dhëmbëzuar, në prezencën e shumë ishujve dhe shkëmbinjve. Në Procesin Rumania kundër Ukrainës, GJND-ja parashtroi metodologjinë e përdorur në ndarjen e kufijve detarë. Gjykata u shpreh se metodologjia e delimitimit përbëhet përgjithësisht nga tri etapa: 1) Përcaktimi i vijës kufitare të përkohshme bazuar mbi parimin e baraslargësisë të realizuar me metoda gjeometrikisht objektive; 2) Shqyrtimi, nëse ekzistojnë apo jo faktorë modifikues për korrigjimin e vijës së përkohshme kufitare, dhe 3) Përcaktimi nëse vija përfundimtare kufitare ka sjellë një rezultat të drejtë dhe të paanshëm mbështetur në parimin e proporcionalitetit.



Nën dritën e këtyre zhvillimeve, është e qartë se delimitimi i zonave dhe kufijve detarë konsiderohet një çështje komplekse dhe problematike. Rrjedhimisht, komuniteti ndërkombëtar dhe GJND-ja, pavarësisht përpjekjeve, e gjejnë të vështirë të gjenerojnë një parim të përgjithshëm për të gjitha rastet e proceseve të ndarjeve të kufijve detarë. UNCLOS-i parashtron vetëm qëllimin për arritjen e procesit të delimitimit të kufijve detarë, dhe nuk shprehet qartësisht rreth parimeve dhe metodave për arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm apo të paanshëm. Megjithatë, e drejta ndërkombëtare zakonore e detit, e cila luan një rol themelor mbi delimitimin e kufijve detarë, promovon parimin, sipas të cilit, delimitimi duhet të jetë në përputhje me parimin e ndarjes së drejtë dhe të paanshme, duke marrë parasysh rrethanat e veçanta që mbizotërojnë. Parimi i ndarjes së drejtë e të paanshme nuk parashtron detyrime, por parashtron udhëzimet për arritjen e rezultateve të drejta dhe të paanshme për delimitimin. Një rregull apo metodë standarde delimitimi mund të mos jetë e zbatueshme në të gjitha rrethanat, pavarësisht realitetit gjeografik apo historik ose fakteve të tjera. Gjithsesi, është pranuar përgjithësisht se një ndarje kufitare, për të qenë e qëndrueshme dhe afatgjatë, duhet të jetë e ndershme, e drejtë dhe e paanshme, dhe duhet të marrë në konsideratë rrethanat e veçanta që karakterizojnë zonën detare që është subjekt delimitimi.



Koncepti juridik i drejtësisë dhe paanshmërisë, i ushtruar veçanërisht gjatë procesit të përcaktimit dhe delimitimit të kufijve detarë midis shteteve të ndryshme bregdetare, mendohet të pasqyrojë statusin e parimit të përgjithshëm ligjor ndërkombëtar. Në praktikën juridike ndërkombëtare, ekzistojnë një numër i konsiderueshëm çështjesh ligjore, të cilat i referohen konceptit të drejtësisë e paanshmërisë si një parim moral me vlerë të madhe ligjore në sistemin ndërkombëtar. Në çështjen gjyqësore Holanda kundër Belgjikës (1937), lidhur me lumin Meuse, trupi gjykues u shpreh se parimet e barazisë dhe paanshmërisë mes shteteve konsiderohen tradicionalisht si pjesë përbërëse e të drejtës ndërkombëtare dhe zbatohen vazhdimisht nga gjykatat ndërkombëtare. Po ashtu, gjykata u shpreh se kur dy shtete zbatojnë parimin e rëndësishëm të barazisë dhe paanshmërisë dhe marrin përsipër detyrime reciproke, shteti i cili nuk i zbaton këto detyrime nuk duhet të lejohet të përfitojë mbi të drejtat e shtetit tjetër. Arsyetimi i gjykatës konkrete vazhdon më tej duke theksuar se parimi i barazisë mbështetet në nocionin moral “barazia është drejtësi”, pra pala e cila kërkon drejtësi duhet njëkohësisht të ofrojë drejtësi. Parimi i drejtësisë e paanshmërisë, i cili karakterizon vendimet e çështjes së mësipërme gjyqësore, përfaqëson dispozitën ligjore 38 (1c), dhe mendohet të jetë zbatuar nga GJND-ja dhe gjykata të tjera ndërkombëtare për procese të ngjashme gjyqësore, siç është konsideruar çështja gjyqësore mbi mosmarrëveshjen kufitare detare midis Burkina Fasos dhe Malit (1986).



Gjatë Procesit mbi Juridiksionin e Zonave të Peshkimit (Mbretëria e Bashkuar kundër Islandës), GJND-ja kishte për qëllim arritjen e një zgjidhjeje ligjore të drejtë dhe të paanshme bazuar në norma juridike të zbatuara, duke arritur ta promovojë gjerësisht nocionin moral të barazisë . Gjykata në rastin e Mbretërisë së Bashkuar kundër Islandës (1974), u shpreh se në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e drejtë dhe e paanshme midis këtyre shteteve është e domosdoshme që të drejtat preferenciale të peshkimit të Islandës duhet të jenë të barazvlerësuara me të drejtat tradicionale të peshkimit të Britanisë së Madhe, duke marrë në konsideratë gjithashtu të drejtat e shteteve të tjera si dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe të gjalla të detit. Koncepti themelor i promovuar nga vendimet gjyqësore të GJND-së, qëndron në argumentin se nocioni i barazisë konsiderohet burim i të drejtës ndërkombëtare të detit në kuptimin e ndikueshmërisë që ushtron në drejtim të zbatimit të normave ligjore përkatëse të së drejtës ndërkombëtare. Si rrjedhojë, nocioni i mësipërm ligjor dhe njëkohësisht moral pasqyron një normë të barazisë dhe paanshmërisë, e cila përfaqëson një mënyrë interpretimi të normave juridike në fuqi dhe njërën prej tipareve specifike të tyre.



GJND-ja, gjatë shqyrtimit të çështjeve gjyqësore bazuar në dispozitën 38(2) të Statutit të saj është karakterizuar nga një balancë e ushtruar në respekt të mbështetjes të parimit të barazisë (drejtësisë) nga njëra anë, dhe kompetencës për të marrë vendime të drejta dhe ndërgjegjshmërisht të pastra nga ana tjetër. Gjatë gjykimit të çështjes India kundër Pakistanit (1968), gjykata theksoi se paanshmëria nuk përfaqëson një koncept abstrakt, por vërteton zbatimin e normave të caktuara të së drejtës ndërkombëtare në respekt të parimit të drejtësisë dhe arsyeshmërisë, pra koncepti i drejtësisë është pjesë e të drejtës ndërkombëtare, dhe si rrjedhojë palët duhet të mbështeteshin te koncepti konkret gjatë shqyrtimit të problematikave të tyre ligjore. Sipas kësaj gjykate, mbështetja te parimi i drejtësisë dhe paanshmërisë nënkupton marrjen e vendimit gjyqësor në përputhje me normat juridike ndërkombëtare të detit dhe jo jashtë kontekstit të tyre nisur nga kuptimi abstrakt i konceptit juridik të drejtësisë.



Në procesin gjyqësor të çështjes së Shelfit Kontinental të Detit të Veriut (1969), ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë, Danimarkës dhe Holandës, GJND-ja përcaktoi ndarjen përfundimtare të kufijve detarë pikërisht mbështetur në parimin e barazisë dhe të proporcionalitetit. Ndërsa në çështjen gjyqësore Afrika Jugore kundër Afrikës Perëndimore (1966,) GJND-ja me anë të raportit të gjyqtarit Tanaka, e karakterizoi parimin e barazisë dhe paanshmërisë si një prej burimeve kryesore të konceptit të përgjithshëm të të drejtave të njeriut. Karakteristika kryesore e pasqyruar gjatë shqyrtimit të këtyre çështjeve ligjore, është se gjykatat nuk kanë zbatuar parime abstrakte të natyrës juridike, por kanë përdorur nocionin thelbësor të parimit të barazisë dhe zgjidhjes së drejtë, të cilat i kanë rrënjët në legjislacionin përkatës të zbatueshëm për çështjet konkrete. Kjo filozofi juridike doli në pah gjatë procesit gjyqësor Malta kundër Libisë (1985), për përcaktimin e shelfit kontinental, në të cilën trupi gjykues u shpreh se drejtësia nga e cila ka prejardhur parimi i barazisë (drejtësisë) dhe paanshmërisë nuk është drejtësi abstrakte, por një drejtësi e mbështetur në norma ligjore ndërkombëtare.



Një tjetër mangësi serioze përsa i përket marrëveshjes konkrete ka të bëjë me faktet historike që janë të lidhura me kufirin ndërshtetëror mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kufiri shqiptaro-grek ka ekzistuar në parim qysh pas themelimit të shtetit të pavarur shqiptar dhe marrjes së vendimeve ndërkombëtare për statusin dhe kufijtë e tij. Ky kufi tregohej nga vija përpendikulare me bregdetin, ndiqte mesin e ngushticës duke qenë i baraslarguar nga brigjet e të dy vendeve dhe ishte pasqyruar në hartat detare dhe gjeografike nga secili prej të dy vendeve. Si rrjedhojë, marrëveshja shqiptaro-greke nuk duhej të bënte devijime ekstreme të parimeve juridike, sikurse ndodhi në të vërtetë. Teza e vakuumit juridiko-ndërkombëtar në kufirin detar shqiptaro-grek në zonën e Kanalit të Korfuzit dhe në detin Jon nga ana e palës shqiptare ishte një alibi që u përdor, me sa duket, si shfajësim.



Përsa kohë shteti shqiptar nuk ka ratifikuar asnjë marrëveshje ndërkufitare me Greqinë, instrumenti ligjor që vazhdon të jetë i vlefshëm juridikisht është Protokolli i Firences i vitit 1926. Si rrjedhojë, kufiri shqiptaro-grek në rajonin detar konkret është i përcaktuar nëpërmjet një akti juridiko-ndërkombëtar shumëpalësh. Sipas Protokollit të Firences, në hapësirën detare që shtrihet përtej piramidës Nr. III/79, kufiri detar ndjek përpendikularen që fillon prej saj dhe vazhdon në zonën e Kanalit të Korfuzit, në vijën e mesit midis dy brigjeve. Atje ku kushtet gjeografike e lejojnë, aplikohet gjerësia e 6 miljeve detare. Me Ligjin 230/1936, të vitit 1936, Greqia e kishte vendosur gjerësinë e ujërave të veta territoriale në 6 milje detare, të cilën nuk e ndryshoi as me miratimin e Kodit detar në 1973, as me Ligjin 2321/1995, me të cilën ajo ratifikoi UNCLOS-in. Mbështetur në këtë logjikë, Shqipëria ka pranuar në heshtje gjerësinë e ujërave territoriale greke në masën e 6 miljeve, sikurse ka vepruar edhe Greqia, e cila ka pranuar gjerësinë prej 12 miljesh detare të shpallur nga shteti shqiptar dhe përcaktimin e vijës së kufirit detar në zonën e Kanalit të Korfuzit tek mesi i tij.



Gjatë gjithë periudhës prej miratimit të akteve të lartpërmendura, ky kufi është respektuar nga të dyja palët dhe nuk rezulton të ketë patur kontestime zyrtare nga asnjëra palë. Në rast se do të kishte kontestime zyrtare, sipas të drejtës ndërkombëtare, shteti grek kishte të drejtë të kërkonte korrigjimin e vijës kufitare. Një situatë e ngjashme u paraqit edhe gjatë konfliktit amerikano-kanadez mbi statusin e Ngushticës Veriperëndimore kur përcaktimi i vijave bazë të ngushticës nga Kanadaja në vitin 1986 shkaktoi protesta diplomatike të SHBA-së, BE-së dhe dhjetë shteteve të tjera. Rrjedhimisht, sipas të drejtës ndërkombëtare statusi ligjor i Ngushticës Veriperëndimore vazhdon të jetë ende i pazgjidhur.



Si njihej kufiri në heshtje



Nga pikëpamja e të drejtës dhe praktikës ndërkombëtare, vlera të mëdha juridike pasqyron jurisprudenca e GJND-së, e cila gjatë shqyrtimit të mosmarrëveshjeve ndërshtetërore mbi delimitimin e kufijve detarë ka theksuar se kontrolli i efektshëm (effective control) i një shteti bregdetar mbi një zonë të caktuar detare për një periudhë të gjatë kohore, konsiderohen elemente themelore lidhur me përcaktimin e sovranitetit në mungesë të titullit. Në këtë këndvështrim, kufiri detar i deklaruar nga shteti shqiptar për zonën e kontestuar të detit Jon dhe i depozituar në Sekretariatin e UNCLOS-it ka qenë “mesi i Kanalit të Korfuzit”. Pavarësisht se midis palëve mund të ketë patur hapësira të papërcaktuara (si p.sh. shkëmbi ishullor i Barketës, apo hapësira të shelfit kontinental) ose edhe hapësira të tjera detare të kontestuara, përsëri kuptohet se shteti shqiptar dhe ai grek i kanë njohur njëri-tjetrit në heshtje dhe mirëkuptim hapësira detare ku palët ushtronin sovranitet të plotë dhe të pakundërshtueshëm nga pala tjetër.



                                                                                                                                                                                                                                                            (Autori është ish-dekan dhe pedagog në Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë)

"Shekulli"

Comments

Submitted by Profesori (not verified) on

Uroj zotin Xhelilaj, per kete artikull te mrekullueshem, per profesionalitetin e treguar jo vetem duke sjelle shembuj konkrete, nga praktika e jurisprudences boterore, por edhe me mendime te vyera, per daljen nga bllokazhi, qe na kane futur injorantet, re ashtuquajturit profesioniste si puna e admiralit (nuk ka nevoje per emrin) me shoke, te cilet, u bene fasade e presionit politik te koruptuar, te qeveritareve te asaje periudhe, duke rene ne kurthin e ngritur mjeshterisht nga materniteti i KALIT TE TROJES, komshiu jone Greqia.
T'i perulemi Profesorit Kolonel, Myslym Pashaj, qe me vendosmerine e tije profesionale dhe patriotike, u arrit qe gjykata kushtetuese, te rrezonte dhe t'a quante NUL, marreveshjen e firmosur nga qeveria Shqiptare e Sali Berishes, me Greqine.
Edhe njehere, pershendetje zoti Xhelilaj.

Submitted by Fillestari (not verified) on

Artikull serioz (me ne fund).
Nje saktesim i arendesishem shume nga dikush qe nuk njeh aspektet e tjera te kesaj teme. Marreveshja e peshkimit e 1974 midis Mbreterise se Bashkuar dhe Islandes, nuk u be vetem ne bazat e paanshmerise dhe te teknikalitet skrupuloz. Me kete marreveshje Islandes ju dhane hapsira te medha detare dhe te drejta pshkimi mbi ujera qe nuk i takonin si shpeblim per favorizimin e NATOs dhe lejimin e nendeteseve berthamore amerikane drejt Britanise dhe Baltikut. Dmth demshperblim per humbjen e neutralitetit.

Submitted by Stefan H (not verified) on

Autori shkruan " Mbështetur në këtë logjikë, Shqipëria ka pranuar në heshtje gjerësinë e ujërave territoriale greke në masën e 6 miljeve, sikurse ka vepruar edhe Greqia, e cila ka pranuar gjerësinë prej 12 miljesh detare të shpallur nga shteti shqiptar dhe përcaktimin e vijës së kufirit detar në zonën e Kanalit të Korfuzit tek mesi i tij."

Nuk eshte bindese argumenti i autorit qe llogaritja fillon nga 6 milje per palen greke dhe nga 12 milje per palen shqiptare. Askush nuk e pengon palen greke per shtrirjen e vijes kufitare ne 12 milje per sa kohe kjo largesi nuk ka pika kontakti nga secili vend (dmth nje zone neutrale shtrihet midis tyre). Sidoqofte edhe ne se ka mbivendosje askush nuk legjitimon 12 milje per shqiperine dhe 6 milje per Greqine.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.