Shëtitje skutave të errëta të qenies njerëzore

Postuar në 27 Shkurt, 2016 17:28

(rreth librit “Kohë për nuse” të Lazër Stanit)

Nga Arta MARKU

Daiza Zaharia hodhi kafen në filxhan duke u kujdesur që shkuma ta mbulonte krejt sipërfaqen. Një flluskë u krijua dhe u kap pas buzës së filxhanit, afër rrëfanës. Lajm, tha me vete me një farë ngazëllimi, por përnjëherësh u kujtua: po ç’lajm mund të marrësh ti moj e zezë! E hurbi kafen e nxehtë me nxitim dhe gllënjka e valë i dogji fytin. E djegura i shkaktoi një kënaqësi të dhunshme. E piu kafen gllënjkë pas gllënjke sikur e ndiqte kush. U ngrit dhe e la filxhanin përmbys mbi tryezën e vjetër. Me mendjen që të rehatonte kafshët para se të binte nata, doli në oborr. Shiu qe rralluar. Andej nga jugu retë qenë davaritur dhe ajo mundi të dallojë një fiskajë qielli të kaltër. Na kalbi ky mot, tha nëpër dhëmbë dhe bëri nga stalla me një kovë të mbushur përgjysmë me misër…

Te dera e stallës u ndal, ktheu kokën pas dhe i hodhi një sy oborrit të mbushur me pellgje uji. Te porta e oborrit, i lagur qull, qëndronte e shtangur në këmbë, fantazma e të shoqit. Të paskan vrarë mor i shkretë, tha dhe kova i shpëtoi nga duart. Sytë iu errën, gjunjët iu shkëputën. Shqiptonte e përhumbur “të paskan vrarë, të paskan vrarë!” pa e ditur se ku ishte. Fantazma e të shoqit nuk lëvizte nga vendi, qëndronte shtangur si një shtatore e gdhendur në mermer të zi. E errët, e lagur, e palëvizshme, paksa e kërrusur përpara, me krahë të lëshuar. Shpatullat e mëdha ia mbulonte një xhaketë e vjetër ushtarake, e mbërthyer me kopsa deri në fyt. Pantallonat e gjera të përbaltura deri në gju, por të shkurtra, ia zbulonin nyjat e këmbëve pa çorape, të rrasura në një palë këpucë të vjetra.

Të paskan vrarë o i shkretë!, tha prapë Daiza Zaharia dhe shtoi: Zoti të mëshiroftë!

(Nga tregimi DAIZA ZAHARIA)

***

Në një shkrim të shkuar e pata krahasuar me Kortazarin. Arsyeja ishte realiteti onirik i veprës së tij. Pikërisht realitetet prej ëndrrash i mbështillnin fund e krye tregimet e tij duke i futur lexuesit në botë të pezullta. Ishte koha e librit “Dënesje në dru”. Ai vetë më pati thënë se “sa e rëndësishme është të shohësh larg vetes aq është edhe të shohësh së brendshmi” .

E kam fjalën për Lazër Stanin, shkrimtarin ekskluzivisht të tregimeve.

Ndërkaq, 10 vite pas librit “Dënesje në dru”, në kohën e vëllimit të ri “Kohë për nuse”, me të cilin Lazër Stani është shfaqur së fundmi, funksionon e njëjta logjikë. Është i njëjti realitet që krijon tregimtari. Atmosfera, gjithaq identifikuese, prirja, sërish për të parë së brendshmi… në thellësitë e pandriçuara të qenies.

***

“Kohë për nuse” i shpërthen kufijtë e koncepteve kohë dhe hapësirë. Personazhet, padyshim, janë prej mishi e gjaku, por nuk ka interes shkrimtari për trupin e për asgjë të perceptueshme prej shqisave. Atyre (personazheve) u duhet një terren mbi të cilin të ecin, e shkrimtari ua ka ndërtuar të fortë, mu si terreni mbi të cilin ecin të gjithë njerëzit prej vërteti. E megjithatë, nuk është qëllimi fotografimi i materialitetit as edhe i vendeve të identifikueshme. Po ashtu koha. Lipset krijuar edhe ajo, ndonjëherë edhe përcaktuar qartë apo pothuaj qartë, por lexuesi e ndien se të njëjtët personazhe do të qëndronin njëlloj në ekuilibër, edhe në një tjetër kohë. Pra, konceptet kohë  dhe vend në përmbledhjen me tregime “Kohë për nuse” janë krejt të parëndësishëm. Drama zhvillohet së brendshmi (në thellësitë e pandriçuara të qenies njerëzore)!

***

Më erdhi në mendje libri KONFORMISTI i Alberto Moravias. Ngase e pata në dorë vetëm pak ditë të shkuara. Historia e Marçelo Kleriçit është vendosur në kohën e Luftës së Dytë Botërore, në Italinë fashiste. Në Romë madje. Vetë Marçeloja është një spiun që niset për në Paris, për të vrarë një komunist të rrezikshëm, pedagogun e tij të dikurshëm. E megjithatë, koha e vendi nuk kanë rëndësi për atë që kërkon të thotë Moravia. Kjo, në kuptimin që koha dhe vendi thjesht e ndihmojnë shkrimtarin për të ndërtuar realitetin e librit të tij. Ajo që ka rëndësi është përtej kohës dhe vendit: thellësia njerëzore, e cila e bën librin të gjithkohshëm, të çdokohshëm. Ndaj dhe konformisti lexohet sot, më se 60 vite pas kohës kur u shkrua, sikur të jetë shkruar në këtë dhe jo atë kohë. E me gjasë, kësisoj do të vazhdojë të lexohet në çdo kohë…

Iu referova Moravias, për të hequr një paralele me shkrimtarin shqiptar (të tjetërsojtë nga paralelja e mësipërme me Kortazarin). Sigurisht, Moravia dhe Stani nuk kanë aspak lidhje, nuk ta ndërmendin assesi njëri-tjetrin, por paralelja në këtë rast qëndron sa i përket mënyrës së përdorimit të kohës dhe të vendit: te kapërcimi i kohës dhe vendit.

E kështu, për t’iu rikthyer Lazër Stanit, vendet dhe kohët e ngjarjeve që ai rrëfen janë thjesht ndihmëse, në funksion të krijimit të realitetit të tregimeve të tij. Madje, edhe kur tregimtari rrëfen të vërteta apo pjesërisht të vërteta të ndodhura

***

Është e thjeshtë të thuhet, apo pranohet sa më sipër (pra shpërfillja e kohës dhe vendit), për shembull, në rastin e rrëfimit për gruan e Pianistit, brenda të cilës dy unët konfliktohen: njëri e nxit t’ia hapë të shoqit rrugën drejt ngjitjes në skenë. Tjetri e step dhe i thotë që, përkundrazi, ta pengojë. Që të dyja mundësitë për burrin (ëndrra e të cilit, e ndrydhur dhunshëm, është pianoja dhe skena), me sa duket, në një çast, janë në dorën e gruas. Kësaj s’i duhet veç të vendosë e të zgjedhë: njërën apo tjetrën. Nëse i bindet unit të parë ajo do të shohë suksesin e të shoqit, do të duartrokasë pushtimin e skenave prej tij, do të bëhet spektatore e shndërrimit të tij… Nëse i bindet unit të dytë, ajo do të vijojë të shijojë veç frytet e ëmbla të aktivitetit të të shoqit si tregtar (s’ka gjë se merret me tregtinë e bagëtive). Pas dilemash, ajo i bindet unit të dytë. E largon pianistin nga skena dhe përfundimisht… Në pamje të parë duket sikur arsyeja është e qartë: pasuria. Por jo! E vërteta e madhe qëndron thellë, në errësirën e pandriçuar të qenies së asaj gruaje. Frika qëndron te hendeku që mund të krijohet mes burrit dhe gruas, hendek me perspektivën e një gremine. Frika qëndron te HUMBJA! Konflikti i përjetshëm. Ndryshe e thënë: vendi dhe koha ku lëvizin personazhet e tregimit PIANISTI, janë pa më të voglin hezitim, krejt të parëndësishëm, ani pse shkrimtari përmend Tiranën, kafen Monark, Orkestrën e Radio Televizionit, apo Tetarin Kombëtar të Operës…  Është kaq e thjeshtë që ato pak identifikime vendi e kohe, të shpërfillen dhe tregimi të lexohet edhe si i një tjetër kohe e vendi (i çdo kohe e vendi).

 

***

Nuk është kaq e thjeshtë, në pamje të parë, të shpërfillen koha e vendi në disa tregime të tjera. Por në pamje të parë ama, sepse sërish logjika e mësipërme – pra shpërthimi i kufijve të koncepteve kohë dhe hapësirë – funksionon fund e krye, në të gjitha tregimet e Lazër Stanit të renditura në përmbledhjen “Kohë për nuse”. Ndryshe e thënë: çfarë kërkon të thotë autori mes rreshtave, e tejkalon çfarë rrëfehet, e zeza mbi të bardhë, rreshtave edhe kur koha e vendi identifikohen ndjeshëm.

E njëjta logjikë pra, e mësipërme, funksionon për shembull me tregimin IDIOTI UDHËTON PËR NË AMERIKË. Qysh në titull identifikohet subjekti dostojevskjan që protagonistit të tregimit, dikush ia kish dhënë për ta lexuar në gjuhën ruse. IDIOTI nuk ekzistonte në shqip atë kohë, sepse i ishte ndaluar botimi në shqip. Pra koha, e identifikuar sakaq! Akoma më shumë kufizohet në kohë ngjarja nëpërmjet qëllimit (të cilin e realizon) të protagonistit: arratisja. Shkurt, jemi në kohën e diktaturës komuniste, madje, në prag të rënies së saj. Vendi më pak i identifikueshëm lihet të nënkuptohet gjithsesi (diku afër kufirit verior shqiptar). Por sërish, edhe këtu, koha dhe vendi zhvlerësohen duke e bërë tregimin të gjithkohshëm. Sepse qëllimi i autorit nuk ka të bëjë me rrëfimin e një aspekti të pragrënies së diktaturës komuniste në Shqipëri. Aspak nuk e ka nxitur të ulet para fletës së bardhë ideja për të rrëfyer një histori arratisjeje, të tijën apo të tjetërkujt, me apo pa librin e Dostojevskit më vete. Qëllimi është gjetiu: depërtimi thellë në njeriun, për të nxjerrë s’andejmi konkluzionin e shprehur me vargjet e Kuazimodos: çdokush qëndron vetëm në zemër të tokës/ përshkruar nga një rreze dielli/ dhe përnjëherësh bëhet mbrëmje…

***

Dhe logjika vazhdon. Po kështu edhe te historia e jashtëzakonshme e Daiza Zaharisë. Kishte për të qenë pak për një shkrimtar thjesht rrëfimi i një tragjedie të njohur. Qoftë kjo edhe tragjedi antikomunistësh, nga ato që kanë tronditur opinionin teksa filluan të zbuloheshin dalëngadalë, faqeve të gazetave e librave, që më çastin e parë të rënies së diktaturës e këndej. Lazër Stani, tek shkruan DAIZA ZAHARINË, pak a shumë një histori të ndodhur në një fshat të veriut të Shqipërisë, në vitet e para të vendosjes së diktaturës, identifikon deri edhe personazhe publike sikurse ish-kryeministri më i fuqishëm komunist shqiptar apo (kësaj here jo kaq qartësisht) prifti i dënuar Atë Anton Harapi. E megjithatë, sërish, Lazër Stani qëllon gjetiu: Drama e Daizës zhvillohet brenda edhe ajo. Dashuria, besimi, tradhtia… ose më saktë: besimi i padiskutueshëm te Zoti e dyshimi i papërballueshëm te njeriu, janë konceptet në thelb të këtij tregimi të gjatë, mbi të cilat përsiat shkrimtari.

***

Dhe logjika vazhdon… Te tregimi ME SY TË FIKSUAR PAS NJË YLLI, nuk është qëllimi për të treguar për të pushkatuarit e para viteve ’90, por dramën e jashtëzakonshme e një burri (njeriut) që përpara togës së pushkatimit i duhet të marrë një vendim për jetën e tij: të jetojë apo të mos jetojë…

Dhe logjika vazhdon… në të gjitha rastet DRAMA ZHVILLOHET SË BRENDSHMI…

Lazër Stani nuk preferon të merret me gjërat e jashtme të jetës njerëzore, të cilat i quan gjëra që i përkasin përkohësisë. Këtë ma pat thënë ai vetë në një intervistë të largët që patëm bërë, me rastin e daljes së librit “Dënesje në dru”. Sot, libri “Kohë për nuse” e përforcon. S’ka gjë se shkrimtari, vërtet-të-ndodhurat nuk i lë aspak përskaj vëmendjes. Tekefundit është e njohur shprehja sipas të cilës “shpesh realiteti ua kalon kufijve të fantazisë”. Atëherë pse mos të përdoret? Çështja është çfarë thua nëpërmjet tij, si i kapërcen kufijtë kohë dhe vend… dhe bëhesh i çdokohshëm…

 

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.