Kryeministri dhe sondazhet e Gjeneratës...

Postuar në 26 Shkurt, 2016 22:23

Qëkurse hyri në politikë Edi Rama ka ndjekur një strategji injorimi dhe përqeshje të opozitës, e cila rezultoi e suksesshme në planin e marrëdhënieve me publikun, pasi u konvertua në 3 mandate për bashkinë e Tiranës. Në vitet e para si ministër i Kulturës apo kryetar i Bashkisë së Tiranës, Rama satirizoi opozitën si të thuash në një raport të ngjashëm me atë që Partia e Punës bënte me ballistët dhe Ballin Kombëtar.

Këtë veçori të profilit të tij politik, kryeministri nisi ta korrigjojë paz zgjedhjeve të  2009-ës dhe rezultatit zhgënjyes në votime, duke ndryshuar jo vetëm stilin e veshjes dhe retorikën, por edhe statusin civil. Gjithsesesi, pavarësisht ndryshimeve Edi Rama nuk u zhvesh kurrë nga rasoja e batutaxhiut që përmes ironizmit të opozitës  u qartësoi shqiptarëve dallimin mes dy botëve, asaj të opozitës së prapambetur dhe të majtës përparimtare.

Këtë mesazh kryeministri ua përcolli sot edhe të rinjve të njësisë 4 në Tiranë me argumentin se një sondazh ka vërtetuar pikërisht këtë qasje, shqiptarët dhe rinia në shumicë mezi po presin të anëtarësohen në Partinë Socialiste, ndërsa një pakicë e vogël sheh djathtas. “Në një anketë të bërë përpara fillimit të këtij procesi ka qenë surprizë për të gjithë ne, që pyetjes “A jeni i gatshëm të anëtarësoheni në Partinë Socialiste” i përgjigjen pozitivisht 11%. E dini ç’domethënë 11% e një kampioni që përfaqëson popullin shqiptar? Dhe pyetjes “A jeni të gatshëm ta konsideroni Partinë Socialiste” i përgjigjen 16%. Ndërkohë që pyetjes “A jeni të gatshëm të anëtarësoheni në Partinë Demokratike” iu përgjigjën pozitivisht vetëm 3%. Pra, 11% PS-në dhe 3% PD-në.”theksoi Rama.

Po kush është kampioni që pas një bilanci mes dy botëve ka zgjedhur reformatorët e majtë dhe jo ata të djathtë? Më së shumti rinia për të cilën vetë kryeministri thotë se ka defiçenca të mëdha në formimin arsimor dhe atë professional, pasi sipas tij shumica e tyre janë prodhim i universiteteve piramidale. Këtë të vërtetë kryeministri e përcolli po në të njëjtin takim me të rinjtë e apasionuar pas Partisë Socialiste. “Nëse nuk do t’i kishim yshtur rreth 30 mijë vet drejt universiteteve piramidë dhe nuk do t’i kishim nxjerrë nga xhepat, familjeve shqiptare, 148 milionë euro, për të marrë fëmijët e tyre diploma pa pikë vlere, por do kishim hapur me kohë, hullinë e arsimit profesional, bazuar në sistemin gjerman, siç ne e kemi hapur prej 2 vitesh, do të kishim të paktën 250 mijë të punësuar më shumë në moshën 25-30 vjeç”-u tha Rama të rinjve. Nëse do ta shihnim me sytë e Jolezës që u shkarkua nga kapitene e FESSH, këtë definim të kryeministrit do thoshim “të q…fsha gjeneratën". 

Në këtë kontekst lind pyetja çfarë përfaqësojnë numrat e sondazheve që kanë befasuar pozitivisht kryeministrin, i cili së fundmi ka shpërndarë teserat e partisë edhe për studentët e ekselëncës. Shembulli i Jolezës nuk vlen më. Ajo u dogj politikisht sepse demaskoi pa dashje gjeneratën..që po befason shakaxhinjtë e përparimit. 

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.