Sorosi, si paradigmë pasuese e Katovicës

Postuar në 13 Shkurt, 2016 20:23

Pasanikët, sidomos ata të famshëm, vijojnë të shihen me një filtër gati antiimiperialist në Shqipëri, që manifestohet si lexim konspiracionist i politikës. Shqiptarët kanë më shumë sesa 60 vjet që shpjegojnë shumë aspekte të politikës dhe drejtimit të vendit, duke futur në ekuacionin logjik, elementë të mikroskenës së aktivitetit të individëve të caktuar. Përfundimi është se çdo gjë ka një qëllim që luhet gjetkë. Një lexim legjitim, por që përjashton çdo moment rastësor, apo edhe çdo gabim në vullnetin e kësaj shoqërie për të ecur përpara. Sa për të bërë një kalim të shkurtër: Enver Hoxha shpjegohet vetëm dhe kryesisht në prizmin e një intrige të luajtur nga jugosllavët.  Ramiz Alia po ashtu. Pluralizmi vijon të përtypet si gjellë e një Katovice, ku një dorë që herë duket e herë zhduket ka vulosur fatin tonë. Sulmi më i ri i kësaj metode që ngjan si filozofi e historiografisë që shkruhet verbalisht, e ka emrin George Soros.

Soros, miliarderi i njohur amerikan, përflitet githandej si lojtar me ndikim në skenën politike të disa vendeve. Doktrina e tij është publike: shoqëria e hapur. Metoda po ashtu: shoqëri cvile + media = pushteti politik. Deri këtu nuk k asgjë të pakapshme. Mirëpo në Shqipëri prania e tij që në fillim u lexua si rrezik që elita e përzgjedhur prej tij dhe më e rëndësishmja – E Financuar prej tij jo pak – përbënte për elitën politike të tranzicionit që doli kryesisht nga aparati i PPSH-së. Por që duhet thënë nuk kishte lidhje biologjike me struktura të pushtetit më të lartë politik të kohës së Enver Hoxhës. Aktiviteti i njerëzve të tij në fillesë kontrastonte vulgaritetin dhe harbutërinë e pushtetit të Sali Berishës, por historia provoi se rruga e vërtetë e tyre politike ishte PS. E majta. Që ideologjikisht e prodhon më “natyrshëm” një shoqëri të hapur.

Pse ka rëndësi politike të dorës së parë vëzhgimi i asaj që po ndodh me emrin e Soros së fundmi? Një arsye është fakti se emri dhe aktiviteti i tij në Shqipëri që i asociohet disa prej emrave të njerëzve publikë dhe vendimmarrës në vend, po transformohet gradualisht në një paradigmë për të shpjeguar lëvizjet e fundit politike. Ajo po synon të japë një kundërversion  të Katovicës si konspiracioni i PPSh-së ndaj demokracisë shqiptare, duke ofruar shpjegime okulte për “mbirjen” në politikë dhe në media të njerëzve që po degradojnë vendin dhe janë të huaj për vlerat shqiptare. Më keq: ky enturazh i padeshifrueshëm njerëzish me lidhje shumëfishe në të gjitha drejtimet e jetës së vendit e siguron legjitimitetin dhe ekzistencën e vet sociale jo si pasojë e votës dhe vullnetit shqiptar, por si rrjedhojë e një firme të një personi të vetëm. Me një axhendë të padukshme.

Deri më dje, Soros sulmohej nga njerëz të caktuar me prani mediatike, që kultivuan idenë e një shtame ku mbarështohen viruse. Por këto argumente të disa njerëzve, janë adoptuar dhe bërë të vetat edhe nga njerëz pranë politikës, posaçërisht pranë të djathtës zyrtare shqiptare. Një aktivist me profesion avokat, Altin Goxhaj, i afërt me PD-në, ka disa kohë që promovon në profilin e tij në Facebook një linjë qëndrimesh kundër Sorosit. Duke bërë thirrje edhe për protesta. Këto thirrje njohën një shkallë tjetër kur Goxhaj, përmes një interviste publikuar fillimisht në “Balkanweb” do të rendiste emrat e personave që janë “nomenklaturë sorosiane”. Impresionues është lista e gjatë e të djathtëve, apo aderuesve në PD, që kategorizohen si sorosianë(http://www.gazetaexpress.com/lajme/sorosi-dhe-tentakulat-ne-politike-e-media-idhtaret-e-miliarderit-86-vjecar-165859/).

Që këtej, pra nga trajtimi në nivel konspiracioni i dukurisë Soros, u kalua në nivelin politik. Ish-kryeministri Sali Berisha, foli në vetë të parë për miliarderin amerikan, fillimisht në Facebook, ku denonconte fallsifikimin e një raporti të “Transparency International” për Shqipërinë, bërë sipas tij nën ndikimin dhe presionin e Soros, dhe pastaj në Parlament. “Dardha e ka bishtin mbrapa dhe dardha është Xhorxh Soros, kam marrë emaile për të. Sorosi është një kryespekulant botëror që mbështet klikat komuniste në vendet ish-komuniste”, tha ai në Parlament, me një akuzë që të kujton Komplotin e të Urtëve të Sionit(http://shqiptarja.com/politike/2732/berisha-sorosi-kryespekulant-lidhjet-me-ramen-permes-nje-gruaje-339244.html).

Pas tij në skenë doli Ilir Meta, një njeri i vjetër i politikës, apo për ta thënë me zhargonin e pluralizmit, një njeri i Katovicës. “Ka elemente, po themi, të njohur si sorosianë, që kanë punuar ethshëm për një koalicion të madh PD –PS, me qëllim portretizimin e LSI-së, si një forcë me probleme”(http://www.respublica.al/2016/01/31/ilir-meta-dhe-hijet-e-sorosit).  

I jep tjetër dimension dhe i shton besueshmërinë idesë së komplotit sorosian përfshirja në debat e studiuesit Aurel Plasari, i cili siç e kemi parë edhe në rastin e përballjes me Orgest Azizin, është një personazh publik që përshfaqet si ballkanas në polemikë. Plasari iu lëshua gazetarit amerikan të hipercituar nga disa media në Shqipëri, Fred Abrahams, që e përmendte në një libër të vetin, duke përcjellë disa mesazhe të rëndësishme.

Shkruan Plasari me një sens disi autosugjestionues: “Do të vijë një ditë kur 28 janari 2016 do të përfshihet në historinë politike të shtetit shqiptar si datë historike: ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi në Kuvendin e Shqipërisë “Rrjetin Soros”, organizatën e fshehtë të modeluar simbas praktikave të vjetra të Internacionales Komuniste si shkollë formimi – “fidanishte” - për futjen në dorë edhe në Shqipëri të pushtetit politik, atij ekonomik, madje edhe atij kulturor qysh prej vitit 1993 dhe deri më sot. Prej vitit 1993 më bie të kem qenë ndër të parët që jam ndeshur me këtë strukturë perverse tanimë famëkeqe, kur Zotëria e tij multimiliarderi superbatakçi zbriti personalisht në Shqipëri dhe më bëri nderin duke më atakuar personalisht në një konferencë shtypi ngase nuk i isha bindur organizatës së ndërtuar prej tij, madje e kisha denoncuar publikisht në shtyp veprimtarinë e saj...Mirëpo a mjafton për opozitën shqiptare vetëm prononcimi publik parlamentar i z. Sali Berisha për “Çështjen Soros”? Afërmendsh që jo. Kam pritur disa ditë dhe po ndjek me vëmendje heshtjen e kryetarit të PD-së, po ashtu edhe heshtjet në shumës të një numri deputetësh të PD-së dhe funksionarësh të saj të zgjedhur ose të emëruar. Më qartë: po përgjoj heshtjen e tyre...”( http://telegraf.al/aktualitet/shprthen-aurel-plasari-rrjeti-i-sorosit-fidanishte-e-internacionales-komuniste).

Pa paragjykuar z. Plasari për të drejtën e tij në këtë rast dhe duke vlerësuar kontributin e tij, po vëmë në dukje se ai ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e revistës së njohur të vëllezërve françeskanë “Hylli i Dritës”. Plasari është një studiues që nuk i fsheh disa përcaktime të vetat ideologjike: ai është autor i librit për Vijën e Teodosit, që emfatizon ndarjen Lindje - Perëndim, apo kontuinitetin e një gjeopolitike të ndarjes kulturologjike në Shqipëri, si dhe një mëkues i  “Skënderbeut Perëndimor”, nëse do të na lejohej një term i tillë. Libri i tij i fundit i dedikohet Enea Silv Picolominit, Papës humanist që inicioi Kryqëzatën e mbetur pezull në Ancona si pasojë e vdekjes së tij. Kryqëzata në kontekstin e një venerimi për Shqipërinë Arbërore, implikon në thelb shpëtimin kulturor dhe identitar të saj nga otomanët, kupto - myslimanizmi, por që nuk ndodhi.  

Po kështu Plasari është(ka qenë të paktën deri pak kohë më parë) drejtues i linjës editoriale të botimeve të shtëpisë botuese “55” dhe kolanës “Intelligendia” të saj. Një nga botimet katër vëllimëshe të kësaj shtëpie është edhe libri: “Komploti kundër Kishës”, me autor Maurice Pinay(http://www.botimeshqip.com/histori-arkeologji/4755-komploti-kunder-kishes-vel-ii-371.html); një libër ku përpunohet teza se komunizmi është organikisht i lidhur me botën hebraike në Europë. Me rëndësi një detaj: në Metapedia, ky libër ka një paragraf interesant për autorin: “...ai ka për autor një grup klerikësh katolikë që e publikuan atë nën emrin e Maurice Pinay...”( http://en.metapedia.org/wiki/The_Plot_Against_the_Church. Natyrisht përmbajtja e librit nuk e lidh botuesin apo selektuesin me bindjen ndaj vërtetësisë së saj, por publikimi i një libri është referencë dhe gjithnjë synon edukimin.Shtojmë se janë të paqortueshme këto hollësi, kur flasim për konspiracione, njësoj si në denoncimin e rrjetit Soros si fidanishte e Internacionales. 

Gjithë kjo qasje për ta çuar praninë e Sorosit në Shqipëri në stadin e një rreziku sorosian plotësohet edhe sot me një shkrim në gazetën e djathtë “Standard”, e cila përdor një foto që flet më mirë sesa teksti. I cili është një analizë kritike e punës së gazetarëve të “BIRN” për çështjen CEZ dhe sidomos për Financimin e tyre. “Sot nuk ka media që të mos ketë absolutisht asnjë lidhje me subjektet politike apo të biznesit. Sado të përpiqen të kërkojnë pozicione të pavarura, subjektet e kësaj industrie duhet të zgjidhin problem madhore financiare, që kanë nevojë për financues. Përveç faktit që një media mund të pozicionohet edhe ideologjikisht, majtas, djathtas apo në qendër. Nuk ka asnjë problem ta pranosh një gjë të tillë. Të pranosh një pavarësi të paqenë, kjo nuk është as e drejtë dhe as produktive. Madje, gati gjithnjë bëhet me qëllime të caktuara, që dalin në skenë me kalimin e kohës, sado të fshehura të kenë qenë. Urojmë që një gjë të tillë ta kuptojnë edhe shqiptarët”, shkruan “Standard”(http://www.standard.al/birn-investiguesit-e-pavarur-dhe-fenomeni-call-journalism/).

Shqetësimi politik është pra real dhe ai madje është në nivelin më të lartë. Ka shumë zëra që e lidhin këtë lojë me reformën në drejtësi, e cila duke konstituuar institucione të reja në Drejtës dhe organet e hetimit, bashkë me rrjetin mediatik që siç citohet më sipër është në duar të njëjta, do të mbyllin çarkun e goditjes. Në këtë rast, loja mediatik po luhet e tillë që opinioni të shohë dy viktima potenciale: Ilir Metën dhe Sali Berishën. (Lexoni si shkruan Plasari: Kam pritur disa ditë dhe po ndjek me vëmendje heshtjen e kryetarit të PD-së), dy viktima që janë si të thuash kurbani i kërkuar nga shumëkush, pasi kanë në kurriz një faturë të lartë politike në vend. Në pikën ku jemi kemi mbërritur sipas ligjësive universale të politikës: zihen dy, fiton i treti. Por edhe njëherë, ligjësia konvertohet në dirgjim. Siç shkruan publicisti i njohur i teorive të konspiracionit, Kastriot Myftaraj në një opinion të vetin të datës 11 janar: “Në pikëpamjen e filozofisë së Soros, brenda vendit kishte forca që luftonin për të ruajtur shoqërinë e mbyllur, të kamufluar, dhe posaçërisht kishte liderë politikë të cilët qenë të interesuar të ruanin shoqërinë e mbyllur, si bazë të pushtetit të tyre. Të tillë për Soros dhe sorosianët shqiptarë ishin, në periudha të ndryshme, Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta. Sipas strategjisë sorosiane këta duheshin nxitur, madje mbështetur që të eliminonin njëri-tjetrin, që të hapej rruga për elitën sorosiane që të vinte në pushtet”, shkruan Myftaraj, që e cilëson veten sorosolog(https://www.facebook.com/kastriotmyftaraj1966/posts/1008400992552038?comment_tracking=%7B"tn"%3A"O"%7D). E që shton se “Soros në Shqipëri në fakt është SHBA në Shqipëri”.

Nëse shihet kështu - dhe deklarimet e Berishës dhe Metës, provojnë njëfarësoj këtë gjë - atëherë deduksioni të çon në pyetjen nëse këto lëvizje që nisin e mbarojnë me reformën në drejtësi, synojnë një goditje të kufizuar, apo do të hapin një kapitull të ri? Nuk po flasim për atë që po realizohet, por për synimet. Në lojë janë të gjitha, madje edhe dy karriera shumë të rëndësishme që ndërlidhen me shumë interesa. Çfarë është cinike në të gjithë këtë situatë është se ekipi politik pati 25 vjet kohë të rikonceptonte strategjinë për veten dhe vendin, pa e lënë veten peng të një axhende që është denoncuar që në fillim. Është shumë cinike, edhe sikur të jetë e vërtetë, që arrestimin eventual të Ilir Metës apo Sali Berishës, ta shesësh thjesht si komplot, duke mohuar një dëshirë të shumë shqiptarëve. Ky përpunim mbi rrezikun e Soros, pa mohuar se ndikimi i tij është real dhe i qartë, do të duhet që të imponojë sa më parë zbardhjen e financimeve, pasi përndryshe rrezikohet që një kontribut prej 25 vitesh të kriminalizohet; apo edhe lëvizje gjenuine siç mund të jetë ajo e Ben Blushit, të bjerë në stadin e një analize që sheh aty një veprim kundërsorosian. Konspiracioni është pandemik, njësoj si Korrupsioni që e kemi pak si veti kombëtare, por të cilit më shumë nga të gjithë ia kanë parë hajrin këta që sot janë bejlerët e këtij vendi, sipas kuptimit pezhorativ të kësaj fjale.

 

Comments

Submitted by Paqeruajtesi (not verified) on

Artikull i gjate, shume i gjate. Te lodh duke e lexuar, sa kur je nga mesi, ke harruar se ckelexuar ne fillim, dhe kur je ne fund, duhet t'a filosh edhe njehere ga e para.
Me nje fjale, artikull shkruesi, sic duket, nuk ka patur shume kohe ne dispozicion, prandaj edhe ka shkruajtur kaq gjate, sa te lodh.
E lagu, nuk e lagu.
Ne, jemi mesuar me kohe, qe ne kohe te Enverit, qe armiku yne eshte USA dhe kapitalistet, nderkohe, Meta, Berisha, Rama, Basha, etj, etj, jane bere si muhabetet e grave ligavece.
Na lodhet.

Submitted by bob (not verified) on

E marrim si te mireqene krejt rezymen. Pse e thua se populli eshte i kenaqur me arrestimin e vetem njerit ngs keta dy psh. Ku e di ti qe pupolli nuk eshte i kenaqur qe te arrestohen edhe ca te tjere bashke me kryeministrin fjala vjen.

Submitted by taku (not verified) on

Po dihet qe ka filluar nje fushate kunder ilir metes qe nga video me priftin per ta paraqitur ate si te korruptuarin e vetem ,ate qe e mban peng shqiperine.Po dihet qe kjo sesht e vertet ,Rilindasit jane po aq te korruptuar sa ai ose me shume, skandalet me te medhaja po ndodhin ne ministrite e tyre jo te metes.

Submitted by Tepelensi (not verified) on

edi rama eshte i pari qe do arrestuar, por kete gje nuk e kerkon sorosi. se ketu per sorosin po flitet, qe meqe ra fjala edhe une mendoj qe duhet te zhduket bashje me ata qe na ka lene peshqesh ketu

Submitted by Neobllokmeni di... (not verified) on

Hej, o respublica, po si mund te thoni qe sorosi dhe katovica jane njesoj?

Katovica shpjegohet tamam. Ka fakte. Pyesni njerezit qe kane themelu PD-ne. Apo s'keni akses?

Kurse Sorosi eshte nje biznesmen legjitim. Ai ben lobing. Kaq. Dhe i lumte trapi.

Ne shqiptaret s'dime c'duam. Kalojme diten duke u ankuar pse nuk na e var asnje biznesmen i huaj i madh. Pastaj, vjen Soros, boss me bole celiku, dhe fillojne te gjithe ankohen. Kujt i ruhet c'thote Altin Goxhaj apo Sali Berisha? Te thone shyqyr qe nuk jane brenda. Se dhe mund te dalin ca e te flasin, ku i dihet. Ngjarjet pre 8 dhjetor 1990 akoma s'jane sqaruar.

Suksese!

Neobllokmeni dixhital!

Submitted by kendrevice (not verified) on

Pse nuk e deklaron emrin autori. Qe eshte sorisian i thekur nuk ka dyshim. Qe eshte ne kupole gjithashtu. Pse ke frike te ekspozohesh. S'qenke burre. Sali Berisha eshte kunder Soros se ka frike nga arrestimi. Ai ka qen kunder tij qysh ne 1993. Argument leshi. Soros eshte e keqia me e madhe e Shqiperise.

Submitted by redaksia on

Te rubrika billboard, ku eshte postuar shkrimi, vendosen shkrime te redaksise se ResPublica. Ndaj edhe po te ndjekesh gjithe shkrimet ketu, jane pa emer. Ne rastet kur kemi postuar shkrime te autoreve te tjere kemi vendosur emrin. Mund te verifikohet kjo gje.

Nuk po thote njeri se Berisha ka frike nga Soros, por qe trajtimi i kesaj ceshtjeje, po shitet sikur ka nje komplot te tille. Referencat i kemi vendosur te gjitha, pra se cfare kane thene te tjere qe jane prononcuar. Kjo del ne shkrim. Dhe ne cdo rast Soros eshte pjese e problemeve ne Shqiperi me rrjetin qe ka ndertuar dhe me financimet qe kane shkuar ne ato duar qe dihen. Por te thuash pas 25 viteve se ky eshte maskarai kryesor, nuk eshte shume e besueshme. Gjithesesi, asnje nuk e ka fjalen e fundit per keto tema. 

Te mira! 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.