Protesta përpara ligjit

Postuar në 24 Shkurt, 2016 12:22
Astrit Cani*

Kto dit, industria e spektaklit na serviri do imazhe që ma shum sesa mendjen, tërhoqën vëmendjen. Disa aktivistë të shoqnisë civile, me pak konflikt interesi për shkak të angazhimit nëpër OJF-na, bashkë me do të tjerë pa konflikt interesi, shkulën nji rrethojë mbrenda të cilës parashikohej i sati ndërtim mbrenda parkut të liqenit artificial. Gjesti brutal i nji grueje që i hedh në tokë kapelen policit dhe ky që ia kthen me shpullë, tregoi ma s’miri se jemi “përpara ligjit”, veç jo në kuptimin përballë tij, por në kuptimin se jemi para pranimit të ligjit, pra jemi parapolitik. Edhe reagimi i policit ishte parapolitik. Nuk më intereson a ishte i dhunshëm a brutal. Nuk e di çfarë do të më ndodhte sikur t’i hidhja në tokë kapelen nji polici amerikan, nji xhandari francez, a nji karabinieri italian. Aksioni dhe reaksioni kishin të njëjtin regjistër. Fryma e ligjit nuk shihej kurrkah.

Imazhi tjetër që bani xhiron e dritoreve virtuale, ishte shterzimi i njifarë Eljan Tanini, që mund ta quejmë për qejf El ninjo – nji lloj korrenti që hiqet si uragan, në momentin kur i vehen prangat. Aktiv në shumë profile (…çel ekspozita si piktor, shkruen libra si filozof, punon në televizion, proteston në protestë, me siguri edhe ojëfon nëpër OJF-na), nuk ka halà portret. Mund të jetë çashtje moshe, por tue pasë parasysh sa aktiv asht qysh tash në profile të ndryshme, ky zor se ka me krijue ndojherë portretin e vet. Në ktë shkrim na intereson, për shkak se asht nji ekzemplar i moralit të kohve të reja: Morali mediatik. Në radhë të parë duhet mbajtë parasysh se çdo imazh asht fals. Por në kohët e reja, morali asht baras me dukjen. Pra mjafton me u dukë, për me kenë i moralshëm, ose amoraliteti që duket, asht moral i pranuem. Tashma s’asht nevoja as me u dukë si i moralshëm. Thirrma çajupjane e Rilindjes autentike: Shqiptar mos rri, po duku!, ka kalue në tranzitive: Shqiptar, rri rri dhe duku! Ose thjesht duku! Kto janë disa arsye pse kto imazhe tërhjekën vëmendjen. Po pse nuk tërhjekën mendjen?!…

Në mnyrë naive, dikush shtron pyetjen: Pse prapë beton?! Asht si me pyet pse gjysma e rezidentëve shqiptarë jetojnë në Tiranë. Në vendin tonë ka dy industri. Industria e imazhit që asht ndërkombtare, dhe industria e ndërtimit, që asht e vetmja industri kombtare. Cili shqiptar nuk asht kah ndërton nji shpi aktualisht, kjoftë në tokë të zanun a në tokë të bleme? Prandej, nuk kemi pse habitemi kur shpërthen betoni gjithandej. Po ju vërtet kujtoni se nji pushtet i ri (i ri në sensin logjik), ka me e ndalë betonin?! Thjesht ka me fikë do betoniera dhe me vu në punë do të tjera. Personalisht mendoj se pushteti aktual asht ma i keqi ndër vite, mbasi përdor paret e industrisë së ndërtimit, jo për me shtu ndoj kand të gjelbër (qoftë edhe në periferi, meqë qendra u dashka bunkerizue se s’ban), por me pague industrinë ndërkombtare të imazhit, ku falë operacioneve plastike ka me u dukë “me ftyrë njerzore” në sy të botës, të cilës, në fakt, s’i intereson fare as fati i shqiptarëve as fati i klasës së tyne politike. Prandej, shqiptarët, të cilët i janë turrë qendrës në mnyrë apokaliptike, pikrisht me kompensue faktin se jemi nji provincë e zhurmshme ku koha asht ndalë, nuk kanë pse habiten se shì dëshira e tyne e smundë me jetue te të gjithë në panoptikonin Tiranë, e ban të pajetueshëm at qytet, e minon zhvillimin civil të tij.

Nse nuk e zbulon qendrën mbrenda vedit, ke me kthye në periferi çdo qendër të banueme prej teje. Asht ky kompleks i ikjes fizike nga provinca, që i jep kuaj-fuqi industrisë së ndërtimit, me hamshorët e saj të tërbuem. Nse nuk e kuptoni pse po shpërthen betoni prapë, kaloni nji mjes te parku i Ushtarit të Panjohun dhe shikjoni matrapikët e ngulun në bar, në pritje të punëdhanies. Ju edhe doni punë në ndërtim, edhe doni që të mos ketë ndërtime. Atyne që presin me matrapik të ngulun në bar, nuk iu japin punë OJF-nat, por industria e ndërtimit. Por ju nuk u jepni za atyne! Ju u jepni za OJF-nave dhe LGBT-nave! Për me i ndejtë logjikës së shkrimit, duhet të theksojmë se në Shqipni ka nji simbiozë antidialektike mes shumicës dërrmuese dhe pakicës që jep dërrmën. Asht nji pakicë që shet diploma, por asht nji shumicë që i blen. Asht nji pakicë që ndërton bunkera shumkatsh, por asht nji shumicë që i blen. Asht nji pakicë që e menaxhon korrupsionin, por asht nji shumicë që e ushqen atë. Duhet mbajtë parasysh, se nuk janë individat që e qeverisin jetën e përditshme të nji populli, por asht stili i tij i jetës. Prandej ndrroji sa të duesh aktorët, po nuk ndrrove stilin e jetës, tue fillue prej mnyrës si mendon dhe vepron, nuk ke ndryshue asgja. Katovica ishte pikërisht në stilin “Gattopardo”: ‘Si cambia tutto per non cambiare niente’. Prandej që protesta të ketë kuptim etik, dhe të mos karakterizohet thjesht nga morali i batakut mediatik, duhet të ketë frymë tjetër. Qytetari nuk tregon katundarinë e tjetrit, por qytetarinë e vet. I vetmi ogur asht që ploja, e cila e gjeti Tiranën dhe qytetet bregdetare, të mos përhapet npër rrethe. Por nse ne nuk fillojmë me ndërtue industrina të tjera, dhe mbesim në dorë të industrisë së ndërtimit, ose të trafiqeve ose të remitancave të shqiptarëve që punojnë jashtë – të cilët kjo qeveri ka mendue edhe me i taksue, por nuk ka vend në botë që takson kontributorët spontan!, at’herë kangët e shekullit tonë, kanë me qenë kangët e betonieres.

*Studiues, shkrimtar

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.