Opozita më e rëndësishme: Ekonomia

Postuar në 24 Shkurt, 2016 23:41

Dardha e ka bishtin mbrapa dhe këtë po e provon qeverisja e majtë si në nivel qëndror ashtu edhe në nivel lokal. Ndryshe nga sa premtoi në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe ato vendore, qeverisja e majtë ka ndjekur një politikë fiskale që ka çuar në rritjen e  kostove të jetesës për qytetarët. Pa analizuar shkaqet që orientuan votën majtas, elektorati pak u fokusua te programi ekonomik i Partisë Socialiste dhe i LSI-së, që gjithsesi  u përfshinë në ato stimujt që justifikonin prirjen majtas. Dhe kjo për disa arsye:

E para për premtimin se me ardhjen në pushtet do të uleshin taksat për 95% të shqiptarëve dhe e dyta se me ndryshimin e qeverisë në 4 vjet do të punësoheshin 300 mijë shqiptarë.

Faktet treguan të kundërtën, rritje taksash, tarifash, çmimesh, borxhi dhe emigrim masiv i shqiptarëve jashtë vendit. Akoma dhe më zhgënjyes fakti që qeveria nuk mbajti premtimin për të ulur TVSH-në për energjinë dhe produktet e shportës. Po vërtetohet  se e majta po zbaton një platformë  të shtimit të kostove të jetesës për njerëzit edhe në qeverisjen vendore. Bashkia e Tiranës që po drejtohet nga e majta me kryetar të zgjedhur Erion Veliajn nga 1 Janari ka shumëfishuar taksat, duke dhjetëfishuar taksën e hapësirës (nga 150 lekë për metër katror që ishte më parë në 1500 lekë për metër katror). Ka vendosur një tarifë të re 2 mijë e 500 lekë për tavolinë, ka rritur taksën e tabelës , ka vendosur tarifë parkimi 100 lekë në orë për parkimin në rrugët e kryeqytetit si dhe krahas ta taksave tradicionale këtë vit bashkia e Tiranës ka vendosur taksën për Arsimin. Çdo qytetar do të paguajë në 1800 lekë në vit ndërsa bizneset sipas llojit të aktivitetit do të paguajnë 4000 deri 3700 mijë lekë në vit. Kjo taksë sipas këshillit bashkiak do të jetë e përkohshme për një periudhë 7 vjeçare. Me pak fjalë një shkarfallosje e xhepave të qytetarëve që do ta paguajnë sa frëngu pulën jetesën në kryeqytet.

Por diskutimi mbi këtë temë nuk ka sesi të jetë absolut. Ai është relativ dhe krahasues: siç thamë në raport me premtimet, politika e tanishme shkon kithët. Në raport me përvojën katërvjeçare të Lulzim Bashës, krahasimi është i pamundur, sepse Basha një gjë e bëri me siguri: nuk bëri asgjë. Në raport me administrimin aktual të pushtetit nga e djathta ofron vetëm një mundësi: Shkodra. Por edhe aty nuk është se po dallohet një model që rivalizon platformën “zhvatëse” të së majtës.

Fusha pra është e hapur dhe opozita ka shansin, por edhe detyrimin të propozojë një alternativë që ul kostot për qytetarët,  të cilët tash e tutje votën duhet ta llogarisin me qindarkat që fusin dhe nxjerrin nga xhepi dhe jo me politikën që shet fiqtë e populizmit në emër të  rrugës së përparimit.

Vështirësia dhe stresi ekonomik prodhojnë vetiu prirje opozitare, por është e domosdoshme që këto të mos tejkalojnë prirjet dhe pazaret e opozitës zyrtare, pasi mandej pushteti ka në dorë të luajë me vakuumin e përfaqësimit. Do të ishte e udhës që PD-ja që sot mbetet alternativa të përpunojë një program serioz, të cilin ta artikulojnë dhe mbrojnë njerëz seriozë, jo shokët e Lulit që ka vulën e partisë. Një program ku të mos fishkëllejnë premtimet e uljes maksimale të taksave, e punësimit masiv e të tilla dokrra. Por një program realist, pasi askush nuk është kundër pagesës dhe kontributit, por jo kur ato merren se “ashtu e di bashkia apo qeveria”. As edhe të jenë joproporcionale si në fazën e tanishme, pasi kjo qasje krijon shok finaciar te shumë biznese. Askush nuk ka nevojë për revolucione, të çfarëdo lloji, edhe sepse rezultojmë popull pa stof revolucionar. Na duhen ca që atë që thonë ta kenë menduar e ta zbatojnë të paktën 60%.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.