Ndërkombëtarët shtyjnë zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni, në lojë mediat pro pushtetit

Postuar në 22 Shkurt, 2016 10:21

Maqedonia nuk ka përmbushur kushtet për zgjedhje të parakohshme parlamentare më 24 prill, ashtu siç parashikohej me marrëveshjen mes liderëve politikë. Ky është konkluzioni i faktorit ndërkombëtar të cili e bëri publik ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Xhejms Bejli. Diplomati amerikan u shpreh se puna e deritanishme e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, dhe konkluzionet e të gjithë ekspertëve relevantë, tregojnë se në këtë fazë nuk janë krijuar kushtet e domosdoshme për organizimin e zgjedhjeve të besueshme më 24 prill, edhe pse është shënuar pak progres në këtë drejtim. "Akoma nuk është arritur marrëveshja për të siguruar kushte më të barabarta në medi për garë. Gjithashtu jemi të shqetësuar për rastet e para të raportimit të presionit dhe frikësimit të votuesve. E gjithë kjo është për të ardhur keq"-theksoi ambasadori amerikan.
Sipas ndërkombëtarëve nëse zgjedhjet nuk mund të mbahen në datën e paraparë, pritet që partitë politike të punojnë për të ndërmarrë masat e nevojshme që të mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme në datën më të hershme të mundshme, duke respektuar plotësisht obligimet dhe punën përgatitore të Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Liderët partiakë kanë përmendur datën 5 qershor si alternativë të mundshme, por nevojiten përpjekje serioze nga të gjithë faktorët për të siguruar kushte që do të mundësonin proces të besueshëm zgjedhor në të cilin të gjithë qytetarët dhe partitë do të merrnin pjesë lirshëm. Takimet e liderëvë politikë janë bojkotuar nga lideri i partisë më të madhe në pushtet, VMRO-DPMNE, ish kryeministri Nikolla Gruevski.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.