“Heqja e sanksioneve ruse ndaj produkteve shqiptare, në dorë të Tiranës. Rusia, e pavëmendshme sa duhet për rigjallërimin e miqësisë shqiptaro-ruse”

Postuar në 15 Shkurt, 2016 15:27

Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Aleksander Karpushin, i ka dhënë një intervistë gazetës “Shqip”, që publikohet sot, një ditë pas vizitës në Tiranë të sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry. Intervista lidhet me Ditën e Diplomatit, që është më 10 shkurt dhe trajton aspekte të historisë së diplomacisë në këtë vend të madh. Por ajo merr në vështrim edhe marrëdhëniet me Shqipërinë, që kanë një specifikë të vetën, të paktën gjatë mesit të shekullit të 20-të. Karpushin nëvizon se sanksoinet ruse ndaj produkteve shqiptare, janë në fakt një kundërmasë ndaj vendimit të Tiranës zyrtare për t’iu bashkuar sanksioneve të Brukselit ndaj Rusisë. Ndaj siç nënvizon ambasadori rus, “heqja e kundërmasave tona vazhdon të mbetet në duart e qeverisë në Tiranë”. Ka shenja optimiste edhe për institucionalizimin e disa marrëdhënieve apo shkëmbimeve. “Shpresoj se brenda këtij viti do të arrijmë të organizojmë në Tiranë sesionin e radhës të Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor (sesioni i fundit u mbajt që në vitin 2009), në kuadër të të cilit palët mund të shqyrtonin mundësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta në sferat e turizmit, transportit, tregtisë, etj..”, shprehet Karpushin, në një mesazh që sugjeron për Shqipërinë një politikë të pavarur për disa sektorë. Edhe kultura mbetet një armë në kontekstin e marrëdhënieve dypalëshe. “Për sa i përket rolit të kulturës në punën tonë, ky rol me të vërtetë është shumë i rëndësishëm. Dhe kjo është diçka e natyrshme, pasi kultura nuk njeh barriera politike, flet një gjuhë universale që kuptohet nga të gjithë dhe tejkalon çdo pengesë. Ndaj dialogu kulturor zakonisht është shumë herë më i efektshëm sesa ai politik. Dhe kjo është veçanërisht aktuale në rastin e marrëdhënieve ruso-shqiptare. Shqiptarët e duan dhe e respektojnë kulturën ruse. Sa herë që Ambasada jonë organizon aktivitete kulturore që kanë të bëjnë me muzikën ose letërsinë, ato ngjallin gjithmonë një interes të jashtëzakonshëm tek publiku shqiptar. Kam shpresë që sivjet, shkëmbimet kulturore midis vendeve tona do të marrin një shtysë të re, meqë po planifikojmë të nënshkruajmë Programin e Bashkëpunimit ndërmjet ministrive të Kulturës së Rusisë dhe Shqipërisë për periudhën 2016-2018”, vijon ai.

A ka gjasë të ketë Rusia një shtim të vëmendjes ndaj Shqipërisë? Ndoshta po. Pak ditë më parë ambasadori Karpushin e theksoi këtë gjë në fjalën e mbajtur në Ditën e Diplomatit, ndërkohë që në intervistën e publikuar sot pranon edhe një dobësi të politikës së Jashtme ruse në rigjallërimin e marrëdhënieve me disa vende, ku përfshihet Shqipëria. “Sa u përket pikave të dobëta të diplomacisë sonë, jam i detyruar të pranoj se Rusia, për fat të keq, nganjëherë u kushton vëmendje të pamjaftueshme rimëkëmbjes së lidhjeve miqësore me ato vende, me të cilat për shkak të ngjarjeve të ndryshme historike këto lidhje u prishën. Mendoj se ju e kuptoni për çfarë e kam fjalën. Por, unë mbetem optimist dhe nuk e vë në dyshim se do t’ia dalim mbanë”, shprehet ai. 

 

http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/02/15/dobesi-e-diplomacise-ruse-p...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.