Demokracia si kryefjalë e opozitës

Postuar në 14 Shkurt, 2016 14:34

Axhenda e sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, ka përfshirë edhe nja takim me kreun e opoiztës, Lulzim Basha. Duke vlerësuar rëndësinë që ka roli i një opozite në vende si Shqipëria, po përcjellim atë që Basha tha pas takimit me Kerry:

“Falënderoj sekretarin Kerry që në një axhendë jashtëzakonisht të ngjeshur ndau kohë për të takuar opozitën dhe për të bashkëbiseduar së bashku mbi sfidat kryesore të Shqipërisë në këtë moment kyç për demokracinë shqiptare. Falenderimet e mia më të përzemërta për sekretarin Kerry, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për administratën e Presidentit Obama, për mbështetjen e jashtëzakonshme që ai i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë dhe shqiptarëve.

I sigurova në këtë takim se Partia Demokratike ashtu sikundër ka bërë deri më sot do të vazhdoj të jetë në krye të përpjekjeve për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve euroatlantike të demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut. Dhe se ashtu si në qeverisje edhe në opozitë Partia Demokratike mbetet e përkushtuar jo vetëm ndaj këtyre vlerave, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, siç ishte rasti i procesit të dekriminalizimit. Proces kyç për të sotmen dhe të nesërmen e demokracisë shqiptare dhe që nuk do të ishte përfunduar me sukses pa mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të SHBA-ve.

Të tjera sfida të mëdha që e presin Shqipërinë kanë të bëjnë me luftën kundër krimit dhe korrupsionit si parakusht i ecjes së Shqipërisë përpara në rrugën drejt integrimit europian. Parakusht I forcimit të kapaciteteve të Shqipërinë për të qenë një partnere e denjë, një aleate e vërtetë e SHBA-ve, e cila jo vetëm konsumon por edhe kontribuon në sfidat e kësaj aleance, në sfidat e përbashkëta kundër ekstremizmit.

Duke forcuar demokracinë e brendshme është e investimi më i mirë, më i fuqishëm në të ardhmen europiane dhe euroatlantike të Shqipërisë dhe gjithë rajonit. E në këtë kontekst është dhe ecja përpara me reforma shumë të rëndësishme siç është reforma në drejtësi, në përputhje me rekomandimet, normat, standardet e pranuara bashkërisht siç janë ato të Komisionit të Venecias, si dhe çështja kyçe e demokracisë shqiptare, çështja e zgjedhjeve të lira e të ndershme, për të cilat opozita kërkon angazhimin e partnerëve tanë si një reformë kyçe pa të cilën Shqipëria nuk mund të bëjë përpara.

Këto ishin ndër çështjet kryesore, sigurisht pati edhe të tjera, 25 vjetori i marrëdhënieve diplomatike, rekordi i angazhimit tonë si në qeverisje por edhe sot në opozitë për të mbështetur objektivat e përbashkëta dhe çështje të tjera të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jam edhe një herë shumë mirënjohës sekretarit Kerry që ndau kohë posaçërisht për të bashkëbiseduar  me opozitën, unë e konsideroj këtë një shenjë besimi të madh tek opozita shqiptare, tek Partia Demokratike dhe i garantoj që Partia Demokratike dhe unë do të bëjmë çdo përpjekje për të përmbyllur me sukses konsolidimin e standardeve demokratike, të shtetit ligjor në Shqipëri, për të mbyllur çdo derë instalimit të një oligarkie dhe të t’i hapur rrugë një demokracie pjesëmarrëse për qytetarët shqiptarë”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.