Nuk ka më Parti Socialiste

Postuar në 09 Shkurt, 2016 23:31
Leonard Mitro

Jozela është prodhim bio i Partisë Socialiste të Edi Ramës. Drejton Forumin Rinor Eurosocialist dhe fjala e saj në një takim ku u shpërndanë tesera për të rinjtë që iu bashkuan partisë ngjalli pikëpyetje mbi cilësinë e brezit të ri politik që po zë vend në forumet e partive. Në fakt kryetarja aktuale e FRESH-it u zgjodh në një garë me 5 kandidatë të tjerë sipas parimit një anëtar një votë dhe verdikti i të rinjve që e votuan nuk i jep peshë as procedurës së zgjedhjeve, si e vetmja garanci e për mirëfunksionimin e demokracisë.

Kjo sepse edhe vota në Partinë Socialiste, madje dhe në forumin rinor të saj është e kompromentuar, e orientuar nga lart dhe rezultati që del i deformuar. Kjo ndodh me atë që mund të quhet brezi i ri politik, përmes të cilit projektohen premisat për të patur parti demokratike dhe një sistem të mirë filtrimi të elitave. Mjerisht zgjedhjet janë thjesht fasadë formale e demokracive partiake, ndërsa drejtuesit e forumeve njerëz të komanduar që me dashje apo pa dashje prodhojnë barsaleta dhe qyfyre lart e poshtë me regji po ashtu të komanduar.

FRESH presupozohet të furnizojë Partinë Socialiste me “kuadro” të aftë për të ruajtur trashëgiminë politike të një force demokratike ku zgjidhesh me votë. Është ky fluks që përgatitet për t’u futur në gjirin e miliarderëve ose njerëzve më të pasur që sot militojnë në Partinë Socialiste, të cilët janë më shumë  të prirur nga interesat ekonomike dhe jo ato demokratike. Në këto kushte çfarë mund të prodhojnë zgjedhjet për kryetar të Partisë Socialiste, të cilat Ben Blushi i kërkon me forcë në emër të respektimit të statutit?

Edhe nëse do të mbahen, ato do të kenë fitues Edi Ramën me plot duartrokitje të njerëzve që për shkak të miliardave apo meritave rrethanore përbëjnë sot brumin demokratik të së ashtuquajturës Partia Socialiste. Komandanti i ka në rrjesht të gjithë jo vetëm për meritën e tij, por edhe të vetë delegatëve dhe Blushi nuk ka pse futet në garë për të marrë partinë e Edi Ramës sepse në Partinë e Edi Ramës është bërë e qartë që nuk ka vend për  fabula demokratike. Dhe kjo është legjitime, për një kryetar që nuk do garë dhe ka konsensusin e shumicës për të vendosur si normë defiçencat antidemokratike.

Këto simptoma Edi Rama i shfaqi seriozisht me ndryshimin e Kushtetutës në vitin 2008 dhe pazarin me Sali Berishën për parti me lista të mbyllura. Ben Blushi nëse aspiron një parti demokratike duhet ta themelojë vetë atë dhe të kërkojë konsensusin e aktivistëve që besojnë në idetë e tij. Edhe nëse dështon, dështimi nuk do jetë vetëm i tij, por edhe i shoqërisë që për momentin nuk ka ambicje të tilla..

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.