"Duhen monumente për Dështimin"

Postuar në 09 Shkurt, 2016 22:56
Intervistoi: Valeria Dedaj

Nëpërmjet artit të tij kërkon që të mbajë qëndrim ndaj fenomeneve social-politike. Kësaj radhe fenomeni që e ka ngacmuar është dështimi. Për këtë ka zgjedhur çështjen e Gërdecit, duke e konsideruar si më të gjeturën, ose si dështimin më të suksesshëm që ka ndodhur në historinë bashkëkohore shqiptare. Ai tregon se vendimi i Gjykatës së Lartë në vitin 2013, nuk e mori parasysh gjendjen ekonomike të banorëve të fshatit, që punonin në fabrikë, për demontimin e armëve, në kushte të mjerueshme. Por pas shpërthimit ku humbën jetën 26 persona, dhe që u plagosën 300 të tjerë, Gjykata e Lartë e Shqipërisë e mbylli çështjen si; “Aksident teknologjik”. Kjo ngjarje e ndodhur para 8 vjetëve, (15 mars 2008) bëri që artisti Pleurad Xhafa të realizonte një video teksa në një pemë të prerë përballë Presidencës vendosë një pllakë bronzi, duke e parë si ideale për të kthyer në një monument, këtë simbol dështimi. Pleurad Xhafa (1984) është diplomuar në Akademinë e Arteve në Bolonja të Italisë. Është fituesi i Çmimit Ardhje 2014, me projektin “Trickle down. Crime scene”.

Pleurad, përse një “Monument për dështimin” përballë Presidencës?

Prej disa kohësh më ngacmonte ideja për të realizuar një punë kushtuar dështimit. Mendoj se çështja Gërdeci mishëron një nga ngjarjet me të suksesshme të dështimit të historisë bashkëkohore shqiptare. Babëzia për të përfituar dyfish nga çdo gëzhojë e çmontuar, shfrytëzonte varfërinë e banorëve të fshatit të Gërdecit, të cilët të detyruar nga gjendja e rëndë ekonomike punonin në kushte të mjerueshme brenda fabrikës për kryerjen e çmontimit të armatimeve. Gjykata e Lartë e Shqipërisë, megjithëse përballë këtij fakti, ku nga shpërthimi humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë e cilësoi çështjen; “Aksident teknologjik”. Për rrjedhojë ky vendim krijoi një vakum disavjeçarë, i cili ende sot nuk i jep të drejtë familjarëve të viktimave të kërkojnë dëmshpërblimin për humbjet e tyre.

Së bashku me Stefano Romanon dhe Eri Çobon themeluesit e MAPS (Museum of Art in Public Space) menduam të bashkëpunonim mbi një punë (vepër), e cila kishte në vëmendje ndërhyrjen në hapësirën publike. Duke marrë parasysh që ndërhyrjet publike kanë për qëllim të ndërveprojnë me hapësirën ku qëndrojnë, pema e prerë përballë Presidencës me vendosjen e pllakës së bronzit ishte ideale për ta kthyer në një monument, simbol dështimi.

Një “monument”, mbi një trung peme të prerë, por që rrënjët e saj janë të thella… Është ky një paralelizëm që bëhet me pasojat që ka lënë kjo ngjarje?

Trungu i prerë simbolizon mjaft mirë këtë ngjarje në të gjitha dritëhijet e saj. I ngritur disa centimetra nga toka, ai fshehë nën Bulevardin Dëshmorët e Kombit rrënjët e gjata dhe të ndërthurura, duke mos ditur se si dhe ku përfundojnë. Ndoshta duhet ta shkulim këtë trung prej aty për ta parë në lakuriqësinë e tij.

Në vendngjarje (Gërdec) keni qenë? Po nga të afërmit e viktimave keni njohur ndonjërin prej tyre?

Po. Kam qenë disa herë. Jam njohur me familjarët e Gërdecit. Gjatë kërkimeve kam realizuar dhe intervista për të kuptuar më mirë së çfarë kishte ndodhur në Gërdec.

Mendoni se zbardhja e Gërdecit” më shumë se sa procedurë hetimore, ka të bëjë me vetëdijen qytetare, që nuk ka kërkuar zbardhjen e së vërtetës me të gjithë aktorët?

Absolutisht po. Institucionet e një vendi dhe njerëzit që punojnë në to janë produkti i realitetit shoqëror në të cilën ato gjenden. Në një vend si ky i yni, i mbërthyer nga frika në të gjitha format e saj kompromisi ka fituar elektoratin më të madh. Mbase për të thyer frikën e përjashtimit nga ky kompromis jo vetëm në lidhje me Gërdecin, por edhe për çështje të tjera ende të pazgjidhura do të duhen të tjerë monumente për dështimin.

Fjalën Gërdec, në çfarë situatash të tjera e përdorni në përditshmëri?

Personalisht nuk e përdor, por e kam dëgjuar të përdorur në zhargonin e përditshëm lidhur me ngjarje të pazakonta.

Projekti “Trickle down. Crime scene”, a u zhvillua më tej pas çmimit “Ardhje“ ? Po nga rezidenca e premtuar në New York çfarë përfituat artistikisht?

“Trickle down-Crime scene” është një projekt të cilin unë vazhdoj ta zhvilloj për aq kohë sa në rrugë ka viktima të sistemit ekonomik. Mund të them se numri i fotografive është gjithmonë në rritje. Sa për rezidencën, nuk arrita të shkoja në New York, sepse m’u mohua e drejta e vizës nga Ambasada Amerikane këtu në Shqipëri. Megjithëse konsujt e ambasadës nuk më dhanë një shpjegim për këtë vendim të cilin besoj që e gëzoj për aq kohë sa paguaj një kuotë për kryerjen e procedurave. Unë hamendësoj se kanë menduar që do të qëndroja në Amerikë përtej kohës së paracaktuar. Mbase ky ishte një vendim i kuptueshëm, tek e fundit artisti në Shqipëri nuk gëzon asnjë status që të garantojë personin e tij.

Vëmendja juaj në art, vazhdon të ndalet te fenomenet social-politike... Çfarë ju mban pas këtyre tematikave?

Jetojmë një shoqëri, e cila me apatinë e sajë ushqen korrupsionin dhe forcon më shumë themelet e status quo-së. Ajo që përpiqem të bëj me punën time është të mbaj një qëndrim ndaj fenomeneve të cilave nuk iu është lënë më një hapësirë për pikëpyetje.

Pas “Monument për dështimin” me çfarë projektesh do të merreni?

Së fundmi, më ka ardhur një email informativ nga Ambasada Gjermane në Shqipëri, e cila thoshte se: “Nga fundi i muajit janar deri dje u riatdhesuan në Tiranë nga Gjermania 1013 shtetas shqiptarë...”.

 

Puna e artistit duhet të shkaktojë reflektime

 

Kuratori i veprës “Monument për dështimin” është Stefano Romano. Romano teksa tregon arsyen e bashkëpunimit me Pleurad Xhafën shprehet se: “Fillimisht doja të evidentoja menjëherë llojin e punës, që si kurator do të zhvillojë në hapësirën publike, pra jo të “zbukurojë” hapësirën publike, por të hetojë me punën e artistëve që shtrojnë pyetje, reflektime mbi të gjendjen aktuale sociale, politike, urbanistike dhe arkitektonike të Shqipërisë”. Sipas tij, tematika e trajtuar te “Monument për Dështimin” është shumë delikate, sepse artisti ka mbajtur një pozicion të qartë përsa i përket asaj që ka ndodhur, por në të njëjtën kohë nuk ka shprehur asnjë gjykim, thjesht ka sjellë vendimin final të gjykatës lidhur me këtë çështje, duke i lënë spektatorit mundësinë për të menduar i lirë përsa i përket kësaj teme. “Ja në këtë pikë jam dakord me idenë e veprës, të mos japësh përgjigje, por nëse është e mundur të shtrosh pyetje të tjera rreth temës së trajtuar”, thotë kuratori.

Përsa i përket besimit që ka në sistemin e drejtësisë, shqiptare dhe italiane shprehet se: “Në këtë moment në asnjërin nga këto dy shtete nuk kam, edhe pse nuk do të dija të veçoja një vend me saktësi, me siguri atje ku ka drejtësi për të gjithë. Unë mendoj se drejtësia 100 për qind nuk ekziston, sepse nuk ekziston një e vërtetë unike, varet gjithmonë nga këndvështrimi i atij që gjykon, i tij që shikon i atij që dëgjon dhe i atij që është i përfshirë”.

Ndërsa përsa u përket hapësirave që ka zhvillimi i artit bashkëkohor në Shqipëri ai mendon se debati kulturor në Shqipëri është gjithmonë i gjallë, por mungojnë shumë pika referimi mbi të gjitha teorike, për një rritje të cilësisë, që tashmë komuniteti artistik shqiptar duhet dhe dëshiron të bëjë. Ai mendon se për të zhvilluar më tej sistemin artistik në Shqipëri nevojitet profesionalizëm, por profesionalizmi formohet dhe ndërtohet. Për këtë duhen njerëz që janë të gatshëm për t’u përballur pa krijuar mure dhe pa ndërtuar pjesëza territori të mira vetëm për sot, por pa asnjë pengesë për të nesërmen. Kuratori Stafano Romano jeton mes Shqipërisë dhe Italisë prej pothuajse 13 vjetësh. Ai ka punuar në të gjitha nivelet këtu në Shqipëri si; artist (në radhë të parë), por dhe si kurator ka njohur breza të ndryshëm artistësh shqiptarë.

Shekulli”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.