“Në PS mendojnë se e rëndësishme është të fitosh pushtetin, për demokracinë flasim më vonë”

Postuar në 04 Shkurt, 2016 11:06

Ish ministri i Financave i Shqipërisë, Arben Malaj, thotë se pa demokratizuar partinë nuk mund të ketë një qeverisje demokratike. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zoti Malaj iu referua debatit të rindezur brenda Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve për kryesinë e saj, duke kritikuar qëndrimin që po mban shumica e deputetëve të Partisë Socialiste ndaj pretendimeve të Ben Blushit.

“Më vjen keq që në debatin që bëhet nga disa kolegë të Partisë Socialiste këtë diskutim që bën zoti Blushi arrijnë e konsiderojnë deri në një – është investim i PD-së apo është gjuha e Berishës ose kjo zhurmë në parti po na vë në dyshim qeverisjen e vendit. Në asnjë vend të botës, në asnjë teori dhe në asnjë praktikë, zhvillimet pozitive, debatet se çfarë duhet bërë më mirë nuk e dëmtojnë një qeverisje”-shprehet Malaj.

Sipas ish-deputetit socialist rreziku për PS-në është stërmundimi i disa kolegëve në Partinë Socialiste për të mbyllur çdo diskutim, qoftë dhe në qoftëse nuk respektohen disa rregulla shoqërore, miqësore apo etike.

“U vërtetua se ndryshimi kushtetues nuk e mbështeti demokracinë në Shqipëri për më mirë, por krijoi pushtete absolute aq sa kryetarët e partive në debatin ditor quhen mbretër të partive të tyre. Pa demokratizuar partinë nuk mund të kemi një qeverisje demokratike. Shumë kolegë në atë kohë mendonin se gjëja kryesore në politikë është të fitosh pushtetin dhe për demokracinë flasim më vonë”-thekson Malaj në internistën për VOA. Ish-deputeti socialist nuk përjashton një rikthim të tij në politikë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.