Gjoja zgjedhjet në parti: PS-ja, PD-ja, tani sërish PS-ja

Postuar në 02 Shkurt, 2016 16:59

Sot, ish-kryeministri Sali Berisha, ish-kryetar për një kohë të gjatë edhe i Partisë Demokratike, është marrë me çështjen e demokracisë në Partinë Socialiste. Dy ditë më parë, lexo këtu, “ResPublica” paralajmëroi se një gjë e tillë do të ndodhte, në një formë apo në një tjetër. Berisha shkruan se vendimi për të mos lejuar Ben Blushin të kandidojë është i marrë nga një i sëmurë psiqik dhe është rast unik në botë. “Per here te pare ne historine e pluralizmit te nje vendi te lire ne rajon, Europe apo ne bote, kryetari i PS, Edi Rama nuk lejon kanditatet rivale te marrin pjese ne garen elektorale per kryetar partie, ne perputhje me statutin e PSSH por dhe me statutin e cdo partie tjeter te majte, te djathte apo te qendres te nje vendi te lire”, shkruan Berisha. Por a është e vërtetë kjo?

Le të kthehemi pas në kohë, shumë pak vite e të shohim se çfarë ka ndodhur në Partinë Demokratike. Zgjedhjet që pasuan dorëheqjen e Berishës në PD, u kontestuan nga një prej kandidatëve. Sokol Olldashi që garoi përballë beniaminit të Sali Berishës, Lulzim Basha, deklaroi se procesi i zgjedhjeve në PD në vitin 2013 ishte i deformuar. Shiko këtu, minuta 2:38:

Berisha shkruan se vendimi i marrë në PS, është “me nje potencial destabilizues te jashtezakonshem jo vetem per PSSH por per demokracine e brishte shqiptare dhe Shqiperine ne teresi”. Dhepak më poshtë: “Ju bej thirrje institucioneve nderkombetare, perfaqesuesve te tyre dhe perfaqesuesve te vendeve mike ne teresi dhe socialisteve europiane ne vecanti, qe kane investimet e tyre te çmuara ne demokracine e Shqiperise dhe ne reformimin e PS, te ndalen me urgjence mbi kete situate enveriste tejet kercenuese te krijuar nga Edi Rama ne PSSH ne partine qeverisese te vendit”.

Rikthehemi te zgjedhjet në PD në vitin 2013. Përveç Olldashit, në garë hyri edhe një kandidat tjetër, Fatmir Merkoçi, avokat në profesion dhe një nga anëtarët e vjetër të PD-së. Atij iu refuzua e drejta për të kandiduar. Dhe ja arsyetimi që iu dha në rrugë joformale: “Pas mbledhjes së grupit përzgjedhës të vlerësimit të kandidaturave mora vesh se emri im nuk ishte përzgjedhur në këtë garë. Pas interesimit më është komunikuar jo zyrtarisht se kandidatura ime nuk është pranuar sepse në data-base e kryesisë nga strukturat e sotme të PD-së, nuk ishte emri im si anëtar i Partisë Demokratike dhe kjo kishte ardhur si rrjedhojë e faktit se arkiva e PD, nga viti 1990 deri në vitin 1998 nuk ekzistonte. Ky ishte një veprim arbitrar pasi unë jam ndër të parët themelues të Partisë Demokratike dhe anëtarësimin tim në PD e kam pasur qysh në ditën e parë të saj, me vërtetimin i lëshuar nga i ndjeri Azem Hajdari, kryetar i parë i Partisë Demokratike”( http://www.arkivalajmeve.com/Fatmir-Merkoci-Ne-seline-blunuk-jane-vleres...). Duke besuar plotësisht atë që thotë z. Berisha, mund të themi se situata në PS, me Edi Ramën nuk është unike. Ajo konkurohet në kohë nga PD-ja, simotra e saj në Shqipëri, pa harruar kuptohet Lëvizjen Socialiste për Integrim që është me të vërtetë e veçantë. Nisur nga kjo situatë e paprecedentë dhe natyra selektive e z. Berisha në denoncimin e episodeve të tilla, edhe ne si media, ftojmë modestisht ndërkombëtarët, sidomos ambasadorin amerikan Donald Lu, të hedhë një sy nga kjo që po ndodh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.