Poker mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian

Postuar në 01 Shkurt, 2016 11:01

U mbyll pa marrëveshje takimi i së dielës në mbrëmje mes kryeministrit britanik David Cameron dhe presidentit të Këshillit të Europës, Donald Tusk. Të dy liderët nuk e kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për sa i përket kërkesave të Londrës ndaj Brukselit, për të shmangur të shumëpërfolurën Brexit, apo daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

Pas përfundimit të takimit, Tusk njoftoi se nuk ishte arritur ende marrëveshja. Ndërsa kryeministri Cameron u shpreh se palët i kanë dhënë njëra-tjetrës edhe 24 orë të tjera bisedime, para se të bëhen publike të gjitha propozimet e  Bashkimit Europian, referuar pikave të ngritura nga Londra.

Cameron kërkon hyrjen në fuqi menjëherë të të ashtuuajturës “frenë e emergjences”, që parashikon ndalimin e përfitimeve sociale të qytetarëve të vendeve anëtare që punojnë në Britani. Nga ana tjetër, BE propozon që kjo masë të zbatohet 3 muaj pas kërkesës së Londrës dhe me konsensusin e vendeve të tjera anëtare, si edhe të ketë një afat maksimal prej 4 vitesh.

Qëllimi i përbashkët i palëve është arritja e gjuhës së përbashkët përpara 18 – 19 shkurtit, kur do të zhvillohet Samiti i ardhëshëm i BE-së, çka do të mundësojë miratimin e marrëveshjes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.