Biznesi me Holokaustin

Postuar në 30 Janar, 2016 15:04
Andis Muka

Dita e Memories, e sanksionuar në kujtim të Holokaustit, për elitat shqiptare të viteve të fundit ofron një vitrinë humanizimi, sidomos për kastën politike, e cila është e vëmendshme në shfrytëzimin e komercializimit të altruizmit për egoizmin e saj, siç e dëshmojnë vizitat e jetimoreve të shoqëruara përherë me kamera e përkëdhelje. Edhe Dita e Memories rrezikon banalizimin e hipokrizisë. Një ditë e fiksuar në kalendar për ta ndalur njerëzimin te reflektimi i njërës prej pasojave më tragjike të modernitetit, në Shqipëri, mbase si në asnjë vend tjetër, celebrohet më tepër si reklamë e vendit tonë, e mito-simbolikave të sojit ‘besa’, e virtytshmërisë gjenetiko-sociale dhe e vajtorëve të radhës. Mjafton të kujtojmë që librin e Shaban Sinanit, Shqiptarët dhe hebrenjtë: mbrojtja dhe shpëtimie ka sponsorizuar Tom Doshi, e po kështu edhe performancën e dirigjentit Shalev Ad-El, në një sallë ku ishte prezent (dhe i falënderuar) edhe Ilir Meta.

Për të qëndruar te libri, një kërkim i thjeshtë në Bibliotekën Kombëtare tregon se kontributet në shqip rreth Holokaustit numërohen me gishtat e njërës dorë dhe se analiza më e kthjellet e ngjarjes e botuar në shqip, Moderniteti dhe Holokausti, e autorit Zygmunt Bauman, ka kaluar në heshtje. Pikërisht në një kontekst kaq indiferent dhe ndikuar nga nevoja e ethshme për imazh mund të gjejë terrenin e përshtatshëm eposi lokal i shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vend që të përkujtohet Holokausti, të analizohet me mjetet dhe të dhënat e çliruara nga emocionet, në qendër të vëmendjes pozicionohemi ne.

Përtej abuzimit, ky aglomerati ‘Ne’ është handikapi i parë. Në rastin konkret tiparet identifikuese të ‘Ne’ janë virtyti, humanizmi, sakrifica për tjetrin etj., të cilët nuk mund të karakterizojnë njëkohësisht emrat e sipërcituar dhe emrat e personave e familjeve që shpëtuan jetë njerëzish gjatë konfliktit të dytë botëror. Është minimumi fyese për autorët e atyre sakrificave.

Nuk është korrekt gjithashtu pretendimi se vetëm ‘Ne’ shpëtuam hebrenj. Rasti bullgar është akoma me domethënës, sepse, ndonëse realisht vend aleat i Gjermanisë (ndryshe nga Shqipëria), Bullgaria, ku vetëm në Sofjen e viteve ‘40 jetonin 20,000 hebrenj, i mbrojti edhe me manifestime e vendime administrative. Ka madje dëshmi që pohojnë se ushtrisë italiane i detyrohet jeta e 1/3 së hebrenjve të mbetur në ish-Jugosllavi në fundin e konfliktit. Kjo nuk e fshin njollën e zezë të historisë italiane, por të paktën tregon sa abuzive janë kategoritë ‘Ne’ dhe ‘Ata’.

Motivacioni, pastaj, i shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët nuk bën gjë tjetër veçse ia shton trajtat e demagogjisë. Së fundmi ambasadori i Izraelit theksoi se “ndihma e jashtëzakonshme dhënë hebrenjve u bazua tek Besa, një kod nderi, i cili ende sot shërben si kodi më i lartë etik në vend”.Besa shqiptare dhe Holokausti ishte titulli i një fjalimi të mediatizuar të Sali Berishës në lidhje me ngjarjen, të publikuar në 2012. Rreth 3280 të shpëtuar, falë besës, i rezultonin Saimir Loljës një vit më vonë. I njëjti vend, që ka shkëlqyer me këtë shifër – rezultat i një shumëzimi për dy i shifrës më të qarkulluar (rreth 2000) – ka pushkatuar akoma më shumë gjatë regjimit komunist (pa llogaritur të burgosur e internuar), sidomos në vitet e para të pasluftës, dhe gjithashtu ka prodhuar 1997. Këtu, ‘Ne’ transformohet në ‘Ata’ (komunistët), por kur nevojitet të behet biznes imazhi zbulohemi ‘Ne’ me ca guximtarë e vullnetmirë të viteve ’40. Njëlloj si me tifozët: kur humbet skuadra, qarkullon fajësimi ‘humbën‘, ndërsa kur ajo fiton, entuziazmin e shprehur me ‘fituam‘ nuk e ndal asgjë.

Ndaj edhe shpjegimi duhet kërkuar përtej besës, emocioneve, pragmatizmit dhe spektaklit publik. Megjithëse çifuti për vulgun shqiptar nuk mishëron personazhin e mirë, e megjithëse antisemitizmi nuk ka munguar në ligjërimin e viteve 1920-30 (mbase i parë më tepër në nivel konspiracioni global), ai nuk u shndërrua ndonjëherë në ‘Tjetri’, siç ndodhi në Perëndim, pas një tradite të konsoliduar shekullore në këtë drejtim, ndryshe nga tradita osmane prej së cilës Shqipëria doli me letra në 1912. Dhe as nuk ishte Shqipëria aq e modernizuar sa të prodhonte ose të pranonte burokratizimin e shfarosjes së ‘Tjetrit çifut’. Këto metoda Shqipëria enveriste i trashëgoi nga dy totalitarizmat që e përshkuan vendin në 1939-44, i përvetësoi nën mbikëqyrjen jogosllavo-sovjetike, për t’i aplikuar në fund mbi Tjetrin e brendshëm, i cili u tëhuajsua si ‘Ata’, megjithëse dikotomia Ne/Ata përshkohej nga përbashkësia e gjuhës, territorit etj., pra nga ato tipare që demagogët e sotëm shqiptarë të Holokaustit valëvisin si të përbashkëta me altruistët e djeshëm!

Duket ngushëllues fakti se në një spektakël të tillë përfshihet edhe ambasadori i një vendi që ka lindur nga (shfrytëzimit) shndërrimi i Holokaustit në mit të themelimit. Ndërkohë ky përkujtim Holokausti e gjen Europën pranë një klime aspak të ngrohtë për Tjetrin dhe aspak ngushëlluese.

"Postbllok.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.