Reagon biznesmeni Gazment Demi: “Mora vesh nga PD-ja se jam duke blerë INSIG-un. Është një barcaletë dixhitale”

Postuar në 29 Janar, 2016 18:04

Prej dy ditësh, Partia Demokratike, po deklaron se biznesmeni Gaz Demi, president i Klubit te Futbollit “Partizani”, qëndron pas disa projekteve të mëdha, duke aluduar se kjo kushtëzohet nga lidhjet e ngushta të tij me familjarë të kryeministrit. Z. Demi sqaron në këtë intervistë të shkurtër për ResPublica qëndrimin e tij për këto akuza.

ResPublica: Z. Demi, keni dy ditë që PD-ja dhe ish-kryeministri Berisha ju kanë nxjerrë në “lajme”...

Lajme? Nëse barcaletat me të cilat po merret PD-ja quhen lajme...

ResPublica: PD-ja thotë që ju doni të blini INSIG...

Edhe unë nga PD-ja e mora vesh që dua të blej INSIG-un. Në fillim, kur e pashë mendova se ishte një deklaratë e zonjushës së PD-së, por pastaj fatkeqësisht kuptova se ky ishte qëndrim i PD-së. Dua të sqaroj se nuk ka asgjë të vërtetë. Sigurimet nuk janë biznesi im, pa folur pastaj nëse vlen apo jo si biznes INSIG. Mund të them edhe pa komunikuar fare, se edhe Gon Papuli, që e njoh dhe e kam shumë mik, as është i interesuar për blerjen e kësaj kompanie dhe as që ka lidhje me këto barsaleta.

ResPublica: Po përse atëherë mendoni se PD-ja ju përmendi me emër dy ditë rresht?

Po e them hapur dhe pa asnjë rezervë: PD-ja, por edhe PS-ja e di shumë mirë dhe i njeh ata që unë po i quaj qelbësirat dhe sahanlëpirësit e çdo qeverie që përhapin thashetheme dhe bëjnë intriga. Jam i sigurtë se ata që po më lexojnë e kuptojnë shumë mirë se për kë e kam fjalën. Janë ata njerëz që shfaqen në krah të çdo qeverie prej vitesh e që luajnë me thashetheme të kësaj natyre, të cilat për fat të keq, arrijnë të dalin si qëndrime zyrtare. Po e theksoj: As merrem dhe As Dua të merrem me ta...Një gjë duhet të kuptohet, pasi në Shqipëri politika po bën pis këdo: Nuk mund të ketë punë të mira për vendin, as investime që të gjithë i presin, pa partneritet me biznesin. Dhe politika, të cilën unë e njoh nga afër në këto 25 vite, nuk ka të drejtë të përflasë njerëzit që investojnë në këtë vend, ashtu siç bën me veten.

ResPublica: Z. Berisha deklaroi në Parlament se “ka informacione të sakta” për Ju dhe miqësinë tuaj me Olsi Ramën...

Kam një pyetje për z. Berisha: çfarë mendimi ka për miqësinë time me Shkëlzen Berishën? Unë nuk e fsheh se jam mik me Shkëlzen Berishën dhe ai më ka mik. Kam mik dhe më ka mik edhe Olsi Rama. Unë jam biznesmen, jo politikan dhe nuk i përflas miqësitë e mia. Unë kam 25 vite në biznes. Po ta them prapë: në biznes, jo në punët e sahanlëpirësve që bëjnë intriga e që z. Berisha i njeh shumë, shumë mirë. Unë nuk e di ku është thënë e ku është shkruar që po bëre biznes të ndalohet që të kesh mik dikë, që edhe mund ta ketë babanë kryeministër, apo edhe vëllain.

ResPublica: Keni një mesazh për z. Berisha dhe PD-në që Ju kanë përfshirë këto dy ditë në debat publik?

Thjesht dua ta falënderoj z. Berisha si një politikan që gjatë kohës që qeveriste ka miratuar një nga projektet më të mëdha në fushën tursitike, ku përfitues si biznesmen jam edhe unë. Shikoni edhe vetë, ky është një nga projektet më të mëdha, me investime prej miliona eurosh, për të cilin unë jam krenar e që siç e shikoni edhe Ju, e shikon edhe PD-ja, e besoj, edhe z. Berisha, e ndihmon Shqipërinë dhe ekonominë e saj. Madje studimi i miratuar nga z. Berisha e ka dhjetefishuar vleren e tokes, prone e imja. Ky është biznesi, këto janë angazhimet e mia që nuk i kam fituar për shkak të miqësisë me njërin apo me tjetrin. Pasi, z. Berisha, që sot përflet miqësitë e mia, me siguri që nuk do të lejonte në asnjë mënyrë që projekte kaq të mëdha të kalonin në sajë miqësish, thashethemesh e sahanlëpirjesh. Këto janë lajmet për të cilat duhet shkruar. Por me sa duket sot janë disa që preferojnë barcaletat dixhitale.

Comments

Submitted by Luli (not verified) on

Sa mire ja ka ber. Kane bythe te flasin PDIstet e qelbur qe vodhen pafund e nuk ndertuan asnje hotel turistik. Te pakten ky robi i ka len dy gjera ne Sarande e ne Tirane. O Gaz Demi vetem per inat futu ne garen e insigut e fitoje se me mire ti se Double K.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.