PS-ja ka më në fund një alternativë reale përballë Edi Ramës për garën për kryetar

Postuar në 29 Janar, 2016 00:18

Ben Blushi ka folur dje në mbrëmje në “Top-Story” për situatën kritike ku ndodhet Partia Socialiste, demokracia e saj e brendshme, kuptimi i garës politike brenda saj si dhe raporti me zgjedhësit. Ai ka përsëritur akuzat e njohura të tij për Edi Ramën, që përcaktohet këtu si njeriu që ka kthyer në model qeverisjeje dhe dominimi aleancën me banditë dhe me transformimin e PS-së në një strehë për njerëz që po e shkatërrojnë hierarkinë e vlerave të trashëguara në të. Por me rëndësi politike është fakti që Ben Blushi ka deklaruar se do të kandidojë në kongresin e PS-së për kryetar të PS-së, që zhvillohet më 19 mars, që sipas tij nuk duhet parë “si katalizator për në zgjedhje të parakohshme”.  “Nuk them që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Unë mendoj që për shqiptarët sot ka kosto më të lirë dinjiteti, jete dhe politike nëse pushteti ndërrohet brenda PS-së sesa PS-PD. Unë kandidoj brenda PS për të qeverisur më mirë shqiptarët”, tha ai. Blushi ka shtuar se personalizimi i partisë ka sjellë edhe personalizimin e qeverisjes, që sipas tij duket më qartë në vendimet që po merren në Parlament sidomos për konçesionet. “Kjo parti e drejtuar nga Edi Rama në këto 3 vjet nuk ka demokraci, ka kryetarë banditë nëpër degë, ka njerëz nga shekulli i kaluar që kanë zaptuar jugun. Unë konkurroj se mendoj që e drejtoj PS më mirë se Edi Rama, E bëj më kolegjiale, më të hapur, një parti që nuk fut banditë dhe nuk zëvendëson ata që lexojnë me ata që kanë armë sepse kjo po ndodh. Shumë njerëz më thonë për ca e bën ti këtë? Unë e bëj këtë për njerëzit, e bëj këtë për të gjithë, e bëj se besoj që mund ta drejtoj PS më mirë se Edi Rama, ta bëj një parti demokratike, të hapur, kolegjiale dhe një parti të majtë sepse nuk është ashtu sot. Të gjithë vendimet që janë marrë kohët e fundit në Parlament dhe ato që jjanë tërësisht personale. Të gjitha koncesionet. Sot PS nuk është as e majtë dhe as e djathtë, është konfuze...Si ka mundësi që në grupin tonë parlamentar janë 10 njerëzit më të pasur në shqipëri? Pse vijnë ata në një parti të majtë?”, tha Blushi.

Gara është hapur dhe më në fund Blushi ka pranuar të hyjë në të, duke krijuar një mjedis të ri për mendimin politik në këtë parti, qoftë edhe duke i dhënë frymë një alternative ndaj Edi Ramës.  Ai thotë se nuk është vetëm në këtë garë, se ka shumë që mendojnë si ai. Natyrshëm mund të hamendësohet nëse në këtë lëvizje po përllogaritet edhe një koniunkturë e përfolur së fundmi që sheh zëvendësimin e Gramoz Ruçit me Koço Kokëdhimën, të cilin deputeti socialist e ka sulmuar. Nëse kjo është e vërtetë, gara ka shanse jo të largojë Edi Ramën, por të kufizojë një mandat absolut dhe me gjasë të neutralizojë projektin e katapultimit të ndonjë kryetari të parafabrikuar. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.