Një dhuratë për kongresin e PS-së. Studioja “Clifford Chance” me letër, laps dhe firmë: Ilir Meta është kristali në aferën CEZ-DIA

Postuar në 27 Janar, 2016 14:45

Sot disa media kanë publikuar një letër që studioja ligjore “Clifford Chance”, e cila përfaqëson palën shqiptare në arbitrazh përballë kompanisë “DIA” të Kastriot Ismailajt, i ka dërguar kreut të OSHEE, Ardian Çela dhe ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri. Në letër, studioja e cila në thelb përfaqëson vetëm interesat e veta dhe nuk ka pse ta vëjë shumë ujët në zjarr për atë që ndodh në Shqipëri, thuhet se Ilir Meta nuk rezulton i përfshirë në aferën “CEZ-DIA” e cila u bë kryeteatri i para disa muajve. “Ne mund t’ju sigurojmë që nuk disponojmë asnjë të dhënë që e lidh z. Meta me veprimet korruptive të DIA-s apo të administratorëve të saj të shkuar apo aktualë. Në çdo rast, përfshirë përpjekjen e fundit frenetike të kundërshtarëve të OSHEE-së për te shkaktuar konfuzion publik, ato dështuan dhe procedimi përfundoi me dhënien e vendimit përfundimtar të arbitrazhit më datë 14 dhjetor 2015”, thuhet ndër të tjera në letrën e Tim Shriber. Pra, akuza e madhe e orientuar ndaj Ilir Metës, nga Partia Demokratike, e mbështetur nga heshtja e Edi Ramës, sot u konfirmua një bllof. Thotë ndër të tjera studioja: “Siç është tipike në raste të tilla, neve na është dashur të merremi me fakte, supozime dhe dyshime të ndryshme. Kokëfortësia e gënjeshtrave të prezantuara nga kundërshtarët na detyruan të reagojmë, por në të kundërt të asaj çka pala tjetër ka supozuar pas rrjedhjes së informacionit të vizitës sonë te prokurorët në Tiranë në tetor 2013, ne nuk kemi bërë asnjë akuzë të pagjetur. Në këtë dritë është për të ardhur keq që natyra jo-publike e procesit të arbitrazhit është dhunuar, kur disa nga parashtrimet tona rrodhën në drejtim të shtypit për arsye të ndryshme politike dhe disa përfaqësues të medies lidhën emrin e të Nderuarit Kryetar të Parlamentit të Shqipërisë me akuzën e korrupsionit. Kjo gjë ka qenë qartësisht e pajustifikueshme mbi bazën e parashtrimeve tona. Ne mund t’ju sigurojmë që nuk disponojmë asnjë të dhënë që e lidh z. Meta me veprimet korruptive të DIA-s apo të administratorëve të saj të shkuar apo aktualë”.

Ky pasazh meriton vëmendje. Siç shihet studioja deklaron se informacioni ka rrjedhur pas vizitës në Prokurori në tetor të vitit 2013. Pra interesat politike që nuk saktësohet se kush janë, kanë përdorur organin e akuzës për të vënë në kryqëzim Ilir Metën. Po kush janë këta persona që kanë vepruar në këtë drejtim? Nëse do të shohim dinamikën e çështjes dhe përtypjet e përfaqësuesve të LSI-së, përgjegjësi politike për hapjen e frontit CEZ-DIA ka kryeministri dhe Damian Gjiknuri, ndaj të cilit u kundërveprua me një audit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Tensioni mes PS-së dhe LSI-së që pasoi zgjedhjet e vitit 2015 lidhet ngushtësisht me instrumentalizimin e kësaj çështjeje që e vinte në siklet Ilir Metën, një njeri i akuzuar për gjithçka. Vetë studioja akuzon se ka patur interesa politike në lojë, çka na lejon të konkludojmë se afera doli në media, jo si pasojë e investigimit gazetaresk, por si rast tipik i goditjes me artilierinë mediatike. Madje edhe për përgjime me kamera u hodhën në veprim specialistët e zakonshëm mediatikë të çimkave dhe filmimeve. Në momentin e zgjerimit të zullumeve afër PD-së, loja ndryshoi menjëherë. Dhe ky moment na bën të kuptojmë, e me me gjasë bën të kuptojë edhe ndonjë njeri që sot punon si kryeministër, se në politikë është shumë e vështirë të likujdosh kundërshtarët me instrumente penale. Sidomos në politikën shqiptare ku të gjithë janë kampionë të llumit. 

Sot kemi përpara një letër prej Shën Pjetri për Ilir Metën, i cili merr biletën për në “parajsën” e pafajësisë. Më ironike se kaq: ai sot del viktima e një intrige të pashoqe ndaj së cilës triumfoi pasi u kap fort pas së drejtës që qëndronte me të. Llafet i merr era, e shkruara mbetet. Ja thelbi latin i mençurisë së Ilirit. Këtë lloj shakaje kjo mazhorancë mund t’ia kursente shqiptarëve, pasi asnjë prej nesh nuk e meriton shuplakën e hidhur të Pafajësisë së Ilir Metës. Ajo mund të durohet e marrë kuptim vetëm kur shohim se të gjithë janë si ai, durohet kur sheh paaftësinë e Edi Ramës për të konkluduar diçka dhe  sidomos nga raporti shumë i sinqertë që të gjithë ne kemi me Ilir Metën: të gjithë e dimë dhe e kemi thënë konsideratën për të. Por edhe ai nuk na ka lënë kusur. Dhe është i zoti, s'ke ç'thua.

Sot, ai ka një letër në xhep. Një letër pafajësie. Le ta konsiderojmë si dhuratë për kongresmenët e 19 marsit dhe të duartrokasim fitoren e Ilirit. Ndoshta edhe Ben Blushi e përfshin në platformën e tij.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.