Nuk lejohet karikatura. Kemi të drejtë vetëm që atë ta përjetojmë çdo ditë

Postuar në 21 Janar, 2016 19:38

Sot mediat u përmbytën nga debati për 21 janarin, ku siç dihej protagonistët e asaj dite kanë bërë ritualin që u takon. Drejtësia është fjalë e huaj sidomos për një ngjarje të tillë në Shqipëri, ku palët kanë përgjegjësi reciproke dhe nuk mund të fshehin synimet e vërteta pas të vrarëve që ishin thjesht dhe vetëm protagonistë të spektaklit tragjik. Një lajm, tjetër, i cili edhe pse mund të përfaqësojë vetëm autorët, meriton vëmendje. Ai që katër aktivistë të një organizate të quajtur si Organizata Politike, “u ndaluan nga policia e Tiranës gjatë një aksioni ku vizatuan një karikaturë në kujtim të 21 – janarit". "Në karikaturën e vizatuar në rrugën “Myslym Shyri” duken Rama, Berisha e Meta me kallashnikovë në dorë. Aktivistët Klodi Leka, Stavro Çina, Isa Myzyraj dhe Albina Ruko u mbajtën rreth 4 orë në ambjentet e Komisariatit numër 3 dhe u ndëshkuan me masë administrative prej 3 mijë lekësh nga Bashkia e Tiranës. Arsyeja e ndalimit ishte absurde, një prej efektivave të policisë na tha se sipas Kodit Penal në Shqipëri nuk lejohen karikaturat me fytyrat e politikanëve e na akuzoi se kemi prishur qetësinë publike dhe kemi dhunuar pronën publike e private. Këto akuza u hodhën poshtë nga një tjetër zyrtar i policisë, i cili na tha se Kodi Penal nuk i ndalon karikatura”, informon faqja “Historia Ime”. Madje më tej, kjo faqe citon të ndaluarit që t’u jetë deklaruar në komisariat se “këtu është e ndaluar karikatura dhe grafiti”. D.m.th në Shqipëri, një vend ku njerëzit ekzekutohen përditë, ku rrëmbehen e zhduken, u ndaloka karikatura dhe grafiti. U ndaloka e Vërteta, që po e mban firomën e vet nëpër mure. Pse çuditemi atëherë që ky vend e tejkalon planin e cinizmit, sa për të përmendur një ankesë publike të kryeministrit, kur një polici e akuzuar gjerësisht për harbutëri, kujtohet të ndalojë katër të rinj pse zografisin “zerzevulët” e politikës mureve të Tiranës? Le të marrim veten në pyetje për të përditshmen tonë, atë që na shohin sytë e që e na e heq kurrizi: a ka karikaturë më perfekte se Ilir Meta? A ka karikaturë më ironike se Edi Rama me kallashnikov në dorë? Ç’mund të thuash për Sali Berishën? Me kallashnikov në dorë të tre na simbolizojnë të gjithë neve. Atë që kemi bërë këto vite. Pse vallë policia e Sajmir Tahirit nuk thellohet disi dhe të lexojë te këto karikatura një autokritikë? Mendja na thotë se këtu ku është katandisur vendi nga politika, Shqipëria nuk e meriton një karikaturë, sepse karikatura na provon ekzistencën e diçkaje serioze. Dhe kjo mund të jetë shumë dramatike. Po kur karikaturojmë tre karagjozë të kësaj përmase, larg me vite dritë nga çdo model i imagjinuar i normales, apo edhe nga modeli i thjeshtuar që fëmijët "ndjekin" për të improvizuar lojërat e tyre, nuk ka ndonjë gjë dramatike. Kjo është thjesht dëfryese. Pse jo: Shfryese. Shfryese, pasi ne "nuk i gjykojmë veprimet sipas qëllimeve", të cilat këta zotërinj mund t'i kenë fisnike, por nga pasojat e tyre. Ajo faqe muri mundet të shërbejë për shumëçka, si vend tubimi për filozofët e masturbimit, atij intelektual në Facebook, apo edhe masturbimit fizik, për pijanecë apo edhe si etiketa e ndonjë firme që merret me pastrimin në Tiranë. Mjafton që të paguhet e drejta e autorit. Ka shumë përfitime nga akte sporadike të tilla. Ajo karikaturë, që është banale në konceptim, mundet t’i ndihë sidomos artistit kryeministër, që e kaloi adoleshencën e vërtetë në një qytet si Parisi; t’i ndihë që të realizojë atë projektin e Hapjes që ka nisur e që ja kanë keqkuptuar: të hapjes së arkivave, dosjeve, godinave hijerënda të shtetit, bunkerëve. Le të hapë një çikë edhe mendjen e të pranojë “golgotën” e karikaturimit, pasi ky vuan nga fatkeqësia se në ndryshim nga Sali Berisha që i “kanë marrë bluzën e bardhë” për t’i vënë kallashnikovin, apo atij tjetrit, bllokun, Edit po i marrin Lapsin. Dhe kjo është realisht humbje nga e cila mund të rikuperosh duke dalë nga strukja. Ky akt na konfirmon shumë mirë se ata që drejtojnë në këtë vend nuk e njohin lirinë, diskutimin, të cilit i vënë menjëherë kufi, e zëvendësojnë me vrasjen dhe dhunën, sapo ndjejnë se kundërshtimi merr natyrë “subversive” ndaj të vërtetave personale që mbllaçitin prej kaq shumë kohësh. Në këtë rast vetëm sa i kanë shtuar rëndësinë një akti shumë normal, minimal fare madje, sa kohë që me një frikë “leniniste” ndaj çdo shfaqjeje, kundërveprojnë në këtë formë. Duke përdorur më shumë sesa një herë, pa kosto madje edhe profilaksinë e gjobës bashkiake. Të shpresojmë që budallallëku i bindjes nga kryetari Erjon i Bashkisë të mos arrijë deri aty sa të gjobisë studentë që mund t’i bërtasin nesër kryeministrit me ndonjë fjalë të papëlqyeshme. Por sidoqoftë, është fat i madh që revolta nis poshtë, kurse mërzia “Lart”. PS: Me këtë rast po sjellim një sekuencë nga një film shumë i njohur që mund t’i shërbejë Policisë Antikarikaturë që të organizohet e ta kuptojë më mirë sesi duhet të veprojë:

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.