A duhet të mendojë politika për kolapsin e “Shengenit” dhe fundin e BE-së?

Postuar në 21 Janar, 2016 21:43

Ka disa kohë që po flitet për fundin e Bashkimit Europian, për fundin e lëvizjes së lirë në hapësirën “Shengen”. Madje në nivelin më të lartë politik. Dje presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, deklaroi se mbeten vetëm sy muaj kohë për të marrë në kontroll situatën e imigracionit, përndryshe “Shengen kalon në kolaps”. Nuk janë pa rëndësi edhe lajmet që vijnë nga Gjermania ku pozita e Merkel, kancelares që ka ndjekur politikën pro-imigracionit, është cenuar dhe njësoj si në Francë, po i hapet rruga rritjes të së djathtës ekstreme. Përpara është edhe referendumi i Britanisë për qëndrimin ose jo në BE, duke hapur kështu një tjetër front në union. Mund të hamendësohet se Europa Perëndimore e ka një alternativë për këtë rënie: më herët është hedhur ideja e një unioni të vendeve themeluese, Gjermani, Itali, Francë, Beneluks dhe Austri, një klub i vërtetë ngushtësisht kristian dhe perëndimor. Eventualiteti i kësaj krize është në maksimumim e vet shkrirje e BE-së si të tillë, por edhe nëse kjo nuk ndodh, vështirë të mendohet se zgjerimi do të jetë së shpejti në axhendë.
Kjo situatë e vendos Ballkanin dhe Shqipërinë para një pike zero të të gjithë strategjisë së saj politike. Integrimi në fillim ishte sfidë edhe strukturore për shoqëri dhe shtete si Shqipëria, e cila ka si arritjen e dytë më të madhe, pas vendosjes së pluralizmit politik, heqjen e vizave dhe anëtarësimin në NATO. Çfarë ndodh nëse BE-ja pushon së ekzistuari? Nëse ky pol pozitiv që tërhiqte edhe Shqipërinë në rrugën e zhvillimit institucional të saj bie? Një përgjigje e vagullt mund të merret kur shikon se çfarë po ndodh me reformën në drejtësi, e cila është ndërlikuar si proces, sado që nën nxitjen dhe patronazhin e ShBA-së dhe BE-së. Për këtë arsye nevoja që politika të përpunojë një alternativë ndaj kësaj rënieje është reale dhe i ka ardhur koha. Mund edhe të pyetet: a është parashikuar ndonjë kundërmasë, si p.sh marrëveshje dypalëshe me Greqinë dhe Italinë ku jetojnë më shumë shqiptarë, mëse “Shengen” kalon në kolaps? Riaktivizimi i sistemit të vizave mund të sillte shumë probleme “të harruara” në një vend që ka ritëm të lartë ikjeje. Skenari i një krize është real dhe e prek edhe Shqipërinë, apo më mirë: shqiptarët. Në një opinion të vetin në “The Wall Street Journal”, Robert Kapllan paralajmëron: “Dekadat kur ne e mendonim Europën si të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të mërzitshme kanë marrë fund. Harta e kontinentit po bëhet mesjetare përsëri, në mos në kufijtë e saj të paktën në qëndrimet dhe aleancat politike. Çështja sot është nëse BE është ende në gjendje apo jo të zëvendësojë Perandorinë Habsburge multikulturore, e cila u shtri për shekuj u shtri në gjithë Europën Qendore dhe Lindore dhe pajtoi minoritetet dhe interesat e sja të shumta. Përgjigja do të varet jo vetëm nga ajo që do bëjë vetë Europa, por dhe nga ajo që SHBA do të zgjedhë të bëjë. Gjeografia është sfidë, jo fat”( http://www.postbllok.com/harta-e-re-mesjetare-e-europes/). Ndoshta ka ardhur koha që këto sinjale të mos lexohen më pasivisht.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.