Tragjikomedia e këtij 21 janari

Postuar në 21 Janar, 2016 02:18
Ilir Mborja

21 Janari erdhi përsëri dhe përsëri, për të pestën herë, po kujtohet ngjarja që ndodhi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Po kujtohet përsëri ajo pasdite kur u vranë ata të katërt. Ata protestues, që ashtu me çadrat nën sqetull dhe me duart në xhepa, meqenëse shiu kishte pushuar, në ato momente kur krisën armët po silleshin si kureshtarë. Atë 21 janar, si edhe shumë të tjerëve, atyre të katërve nuk ua mori mendja se plumbat që dilnin nga Kryeministria e Berishës drejtoheshin tek ata dhe mund t’u binin edhe mu në kokë. Ç’ta zgjas më tej. Mjerë ata të katërt dhe familjarët e tyre. Iu dëshpërua edhe vetë dëshpërimi me premtimet e rrejshme të socialistëve për ndëshkimin e vrasësve sapo të vinin në pushtet. Ndërsa ne të tjerët u mërzitëm dhe u lodhëm me shpresën për drejtësi. Prandaj kam mendimin se më e udhës është që këtë 21 janar të mos i zemë shumë me gojë as katër të vrarët dhe as vrasësit e tyre. Ata dihen. Edhe se kush e pengon dhe nuk e do reformën në drejtësi dihet. Hajdutët dhe vrasësit nuk e duan. Të gjithë e dinë, prandaj mendoj të merrem më gazetarët, me plagën që morëm vetë ne që shkruajmë, para pesë vjetëve më 21 janar.

 

Para pak kohësh, shkrimtari Dario Fo shkruante në një të përditshme të majtë italiane se: “Ne kemi sot një klasë intelektuale që në pjesën më të madhe i ka humbur kordat e zërit. Heshtin shumë. Nuk kanë dinjitet, ndaj nuk indinjohen. Kjo është e tmerrshme dhe e pabesueshme: mungesa e revoltës…”. Nobelisti italian flet për intelektualët e atdheut të tij, të Italisë. Për atë Itali ku pothuajse të gjithë intelektualët dhe gazetarët janë ku e ku më aktivë se tek ne. Ndërsa kur bëhet fjalë për vrasje të qëllimshme, ata janë jashtëzakonisht të ndjeshëm. Vrasësi ndëshkohet, edhe në rastin kur viktima mund të jetë duke kryer një krim, madje edhe kërcënues për jetën e tij. Pra, ndëshkohet edhe ai që vret për t’u vetëmbrojtur. Pikërisht si në rastin kur në mesnatën e 20 tetorit të 2015-s, një shqiptar 22 vjeçar u vra, pasi u qëllua me pistoletë nga një sipërmarrës italian në pension, ndërsa po tentonte të hynte në vilën trekatëshe të tij, në një provincë të Milanos...Të nesërmen, kur u mor vesh ngjarja, të gjithë gazetarët e majtë u ngritën dhe bënë peticion për të kërkuar ndëshkimin më të rreptë ligjor për bashkatdhetarin e tyre. Megjithëse viktima doli të ishte i njohur nga drejtësia italiane si autor i disa grabitjeve, asnjë lehtësim për atë që shkrepi armën nuk morën parasysh italianët. As versioni dhe fakti i atij që qëlloi, se grabitësi shqiptar ishte mjaft kërcënues dhe ai e kish shkrepur armën që mbante me leje për vetëmbrojtje brenda mureve të shtëpisë, nuk “piu ujë” tek ata. Italiani u burgos me akuzën se duke shkrepur këmbëzën e pistoletës në shtëpinë e tij,.. kish kaluar intensitetin e vetëmbrojtjes. Kaq. Në Itali kështu…

 

Ndërsa humanisti Dario Fo, përballë agresivitetit të neofashistëve, jo që nuk është i kënaqur me misionin e gazetarëve dhe intelektualëve, por i alarmuar lëshon klithmën: “Pasojat e mendimit të nënshtruar, konformist dhe oportunist janë të tmerrshme: ai zhduk antikorpet. Ky lloj mendimi krijon, praktikisht, një shoqëri të paaftësh dhe sahan lëpirësish”.

 

Po tek ne ç’ndodh? Sigurisht nuk mungojnë as gazetarë, as intelektualë të guximshëm që denoncojnë krimet e politikës sonë, por gjithsesi mendoj se ky 21 janar na fton të shohim pak më shumë plagën tonë, mungesën e një solidaririteti mes gazetarëve. Mbase e teproj, por kam përshtypjen se po të ishte shfrytëzuar si duhet pushteti i mediave dhe i shtypit për të nxitur kulturën e protestës tek njerëzit, ky pesëvjetor nuk do t’i gjente të lirë jasht hekurave vrasësit e 21 janarit. Flas gjithnjë për atë pjesë të paktë të shtypit, që mund të ketë mbetur e pakorruptuar. Gazetaria shqiptare pati më 21 janar të 2011-s një “shans” që nuk e shfrytëzoi atëherë. Atë ditë plumbi që doli nga frëngjia e kryeministrisë i plagosi dorën (vini re: dorën, atë me të cilën duhet të shkruhej) një fotoreporteri të “ABC NEWS”, Fatos Mahmutajt. Mes tmerreve të tjera, ai na dëshmon se për t’i mbyllur gojën, pasi u munduan ta kompromentojnë që të mohonte plumbin e Berishës si shkak të plagosjes, u kërcënua dhe u detyrua të largohej nga Shqipëria. Asnjë solidaritet kolegësh nuk u ndie, as atëherë dhe as sot.

 

Sot? Ç’them dhe unë?! Shoqatat e gazetarëve “u ngjallën” vetëm kur Ervin Çuli, në cilësinë e regjisorit të shfaqjes së tij premierë “Tri motrat”, kapi për bythe dhe nxorri përjashta një mistrec që i ngacmonte aktorët. (Le ta provojë kush po ia mbajti të prishë një shfaqje teatri në Europë dhe e merr vesh mirë se ku përfundon…) Prej kësaj ndodhie po e marrim vesh se djaloshi mistrec qenka edhe “gazetar”. Po, po, tek “ABC NEWS”. Aty ku punonte edhe Fatos Mahmutaj para 21 janarit të 2011-s. Kalamajtë po më thonë se ky Eni Shehu del në televizor në verë, nga plazhet e Dhërmiut. Ata më tregojnë se, njëherë, duke u kredhur në det para Menduh Thaçit dhe Ilir Metës, atij i ishte këputur ushkuri i brekëve dhe ata dy burrat e shtetit kishin qeshur me të madhe kur ia panë bythën atij…Nuk i besova kalamajtë, por ata ma treguan në youtube…Ashtu ishte vërtetë…Ilir Meta, e kishte “ngushëlluar” duke i thënë: “Nga transparenca nuk duhet të kemi frikë asnjëherë!..”. Sa bukur! Tamam ashtu! Dashnor i zjarrtë i transparencës ai. Transparencë, por me konsensusin e atyre që vranë më 21 janar ama, thotë ai për reformën në drejtësi…

 

Kështu pra, këto ditë shoqatat e gazetarëve shqiptarë, të gjitha, ishin të zëna me peticionet dërguar ministres Kumbaro për të ndëshkuar drejtorin e Teatrit Kombëtar Ervin Çulin. Ata bashkuan zërin me mbrojtësin e spurdhjakut Eni Shehu, Sali Berishën, që ishte edhe urdhëruesi i plumbave që pasi vranë katër vetë, plagosën edhe dorën e gazetarit Fatos Mahmutaj…

 

Çfarë ironie kjo koncidencë me të dy punonjësit e “ABC NEWS”. Për plagën e reporterit dhe të gjithë gazetarisë sonë të 21 janarit, heshtje…Për zbythjen e mistrecit bythëzbuluar nga salla e teatrit, me Sali Berishën në ballë, gjithë shoqatat në këmbë, për të luajtur tragjikomedinë e gazetarisë shqiptare. Ndihmë më të madhe s’mund t’i jepet vrasësit, por 21 janari nuk kalohet duke ndëshkuar Ervin Çulin. 21 Janari i 2011-s ishte një tragjedi e vërtetë kombëtare. Ky i 2016-s, me historinë e teatrit, është një provim që gazetarët shqiptarë, fatkeqësisht, po e humbin për të pestën herë.

Comments

Submitted by Nase Jani (not verified) on

Mire e ke analizuar z gazetari Ilir Mborja. Pese vjetori i kesaj Vrasje-masive, kur kryevrasesit akoma bejne blla-blla-blla ne perlament e ne konfereca shtypi, Kur gazetaret punojne seprapthi per te moralizuar popullin e per te bdeshkuar krimin, Kur drejtesia e "plepave" mbeti e plepave, mbron krimin e jo viktimen. Kur Reforma ne Drejtesi, jo vetem u zvarrit, por po c'reformphet pa u reformuar nga ata qe duhet te ishin ne burg tashti... Kreto e shume si keto na kane sjelle ne nje situate qe 5-vjetori i 21 janarit te mbetet pa ndeshkuar, te vraret e pafajshem (qe mbanin cadrat-pistolete e thikat me helm-si te Shekspiri) akoma s'jane tretur nga padrejtesia... Ja keshtu e perjetojne shqiptaret e thjeshte e te ndertshem kete 21 janar.

Submitted by plaka gjuheshpata (not verified) on

PERLE,ashtu sic ti di te shkruash.Ah sikur te kishim me shume gazetare te tille.Por,mjerisht....

Submitted by Nexhip (not verified) on

Një shkrim dhe arsyetim brilant i mikut tim Ilir Mborja.

Submitted by Sava (not verified) on

Bravo Dario Fo. “Pasojat e mendimit të nënshtruar, konformist dhe oportunist janë të tmerrshme: ai zhduk antikorpet. Ky lloj mendimi krijon, praktikisht, një shoqëri të paaftësh dhe sahan lëpirësish.” Flm Ilir Mborja.

Submitted by sokrati (not verified) on

bukur ilir po ju i keni te gjitha kordat

Submitted by Anonymous (not verified) on

Po nje gje te sakte s'ke shkruar!? Te kane premtuar gje per mandatin tjeter, se ky iku?

Submitted by Anonymous (not verified) on

U mahnita me te vertete me arsyetimet "brilante" te ketij Mborjes.
Vecanerisht me terhoqi vemendjen, nje episod i "kendshem" ku Mborja per te treguar se cfare "rugaci" qenka gazetari Eni Shehu, tregon nje episod qe te ben te "shkrihesh" se qeshuri, kur ketij djaloshit ne nje plazh te Dhermiut i qenka keputur llastika e mbathjeve te banjes, e dy burrat e shtetit, Menduh Thaci e Ilir Meta qenkan mrekulluar me bythen e ketij .
Tamam koment gay.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.