Prishet qetësia e LSI-së, a mund ta shantazhojë më Ilir Meta Edi Ramën?

Postuar në 21 Janar, 2016 02:37

LSI-në duket se nuk e karakterizon më qetësia dhe dashuria inspiruese e kryetarit të saj. Vigjilenca kritike e Luan Ramës ndaj qeverisë dhe korrigjimi institucional i Petrit Vasilit janë simptoma të çoroditjes së partisë së Ilir Metës që po përpiqet të ruajë "status quo-në" e "kingmaker-it" në kushtet e një asfiksie që po e zhbën me shpejtësi fuqinë deri dje "titanike" të LSI-së.
Në mungesë të kafeve të porositura me Shpëtim Idrizin, Ilir Meta aktivizoi lojtarët rezervë të partisë së tij për të shantazhuar me një shfaqje dëshpëruese Edi Ramën, i cili tani nuk duket dhe aq i shqetësuar nga numrat e LSI-së. Aleancat fluide në parlament i mundësojnë një koalicion qeverisës pa LSI-në, një pjesë e deputetëve të së cilës nuk përjashtohet të bashkohen me Partinë Socialiste. Për një strategji goditjeje të LSI-së nga Edi Rama është shprehur edhe ish-kryeministri Berisha në një intervistë për emisionin Studio e Hapur ku sipas tij "Kjo që shqiptarët shohin sot është betejë për jetë a vdekje e Ramës për t’u bërë lideri i së majtës".
Prej muajsh flitet për një ftohje të raporteve të Ilr Metës me ministrin e Transporteve, Edmond Haxhinasto, me të cilin daljet në publik janë rralluar, ndërkohë që Spartak Braho mund të mos jetë vetëm në letra deputet i Partisë Socialiste. Një dobësim eventual i Ilir Metës, do t'i çonte pa vështirësi "minjtë" e LSI-së në prehrin e Edi Ramës dhe dilemat duket se kanë përfshirë një pjesë të mirë njerëzve të Ilir Metës pas presionit në rritje të ndërkombëtarëve për të përfunduar reformën në drejtësi.
Këtë e konfirmon edhe Berisha që shprehet se "Edi Rama nga njëra anë përdor reformën, nga një anë përdor regjistrimet për të eliminuar një njëri dhe për t' marrë një njeriu partinë." Reforma është kusht i Bashkimit Europin dhe koalicioni i majtë ka vetëm një rrugë për t'u legjitimuar si Aleanca për Shqipërinë Europiane, miratimin e reformës në drejtësi.
Nëse kjo nuk ndodh koalicioni PS-LSI nuk ka asnjë tagër moral dhe politik të qëndrojë në këmbë dhe vendi ose mund të shkojë në zgjedhje ose mund të qeveriset nga një koalicion pa LSI-në dhe PD-në ose mund të mbetet peng i Ilir Metës dhe vartësit Edi Rama. Si për LSI-në dhe për koalicionin e Aleancës për Shqipërinë Europiane numërimi mbrapsht ka nisur dhe tashmë palët janë të detyruara të çojnë deri në fund lëvizjet e skakierës që do të përcaktojë edhe të ardhmen e Ilir Metës dhe Edi Ramës në politikë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.