Buzë, Bythë, Botoks

Postuar në 21 Janar, 2016 09:59
Gilman Bakalli

Me të njëjtën lehtësi që thyejnë ligjet e shtetit, me të njëjtën lehtësi shqiptarët e këtij tranzicioni nuk pranojnë edhe ligjësitë e natyrës. E cila, kur bëhet fjalë për bukurinë, nuk kujdeset aspak për një shpërndarje të drejtë të saj. Pak botoks tek buzët, pak largim dhjami nga ijet apo poshtë barkut, një korrigjim i lehtë i hundës, paksa silikon tek gjoksi apo në vithe – kaq mjafton për të mos ia toleruar natyrës bukurinë si dhuratë. Kundër këtij arbitrariteti natyror, gjithnjë e më shumë shqiptarë në këto dy dekadat e fundit po e kthejnë fytyrën e tyre në objekt për ta modeluar atë sipas modeleve të përpunuara dixhitale nga rrjetet elektronike. Raporti i vërtetë apo i supozuar midis bukurisë fizike, pranimit social, suksesit erotik apo shanseve për karrierë profesionale e ka rritur maksimalisht oreksin për bukurinë duke e kthyer atë në një aspekt dominant të jetës në Shqipëri. Logjika duket shumë joshëse dhe imponuese: meqë bukuria qenka më e pushtetshme se inteligjenca, atëherë pse mos të investosh pak inteligjencë tek bukuria. Nëse është e vërtetë se bukuria i rrit me të vërtetë shanset në tregun e raporteve personale dhe profesionale, atëherë pse duhet t’ia lëmë këtë avantazh ekskluzivisht atyre, të cilët bukurinë e kanë peshqesh nga natyra. Pse mos ta marrim vetë në dorë betejën kundër kësaj pabarazie natyrore, pse mos të ndërmarrim diçka kundër kësaj shpërndarjeje  jodemokratike të bukurisë? Klinikat mjekësore me teknologjitë e tyre të rafinuara të prodhimit dhe të shpërndarjes së bukurisë artificiale duket se e kanë lexuar fjalë për fjalë të famshmen fjali të Simone de Beauvoir “femër nuk lind, por bëhesh” dhe e kanë kthyer bukurinë gradualisht në një mall, të cilin mund ta fitosh kundrejt një çmimi të caktuar.

Mania e estetizimit të fytyrës përmes teknikave moderne kirurgjikale përbën një revolucion të vërtetë për mentalitetin e shqiptarit, tek i cili gratë me makiazh të fortë linin përshtypje negative, sepse fabrikonin një bukuri të rreme që s’e kishin në të vërtetë. Gjithsesi metodat tradicionale të estetizimit ishin reversibël. Makiazhi hiqej dhe bukuria e vërtetë e gruas shihej në mëngjes, pas zgjimit. Metodat moderne të manipulimit të bukurisë i japin fund tashmë lojës dialektike midis substancës dhe fasadës, sepse ato kanë efekt të pakthyeshëm tek fytyra. Buzët e fryra me botoks janë vërtet dhe pakthyeshmërisht të fryra e të kuqe, teksa i kuqi i buzëve krijonte thjesht efektin e përkohshëm të fryrjes dhe të ngjyrës.

I larmishëm interpretimi i këtij trendi. Dorëzim i shqiptarit para propagandës omniprezente të një industrie kozmetike në rritje? Një hap emancipues drejt së drejtës së tij për ta modeluar trupin sipas dëshirës së tij? Por përtej çdo interpretimi, ky trend në rritje që i sposton vazhdimisht kufijtë estetikë të transformimit të trupit, natyrisht ngre edhe pyetjen se mbi ç’norma e kritere ndodh ky transformim.

Shqiptari i dy dekadave të fundit është i rrethuar nga idhujt dhe ikonat e bukurisë, të cilave s’u shpëton dot. Përballë baticës së imazheve, çdo fytyrë e çdo trup vetëperceptohet si deficitar, edhe pse i vetëdijshëm se imazhe të tilla janë produkte manipulimesh dixhitale, që nuk përputhen me asnjë realitet. Korrigjimet e trupit bëhen mbi bazën e këtyre imazheve, të cilat bashkë me idealin e bukurisë transportojnë edhe vlerat të tjera shtesë si shëndet, rini, potencë seksuale, sukses dhe jetëgjatësi. Këta idhuj janë aty si prezencë e përsosmërisë dhe së paarritshmes, janë aty për t’u admiruar dhe respektuar dhe për të na kujtuar se diçka duhet të ndryshojmë tek vetja. Megjithëse ia njohim statusin iluzor, nuk mund të heqim dorë prej tyre, u falemi në gjunj, i imitojmë dhe i falim gjithçka. Buzët me botoks dhe gjinjtë me silikon përmbushin mallin tonë ilegjitim për të Jashtëzakonshmen dhe Mbinjerëzoren. Por ama idhujt janë mashtrues, sepse ata janë aty jo thjesht për t’u adhuruar, por për t’u adhuruar përmes imitimit. Idhujt kthehen në modele në një shoqëri si kjo e jona, ku vlerat religjioze apo bindjet politike e kanë humbur forcën e tyre përbashkuese. Tek prirja në rritje e shqiptarëve për buzët me botoks dhe gjinjtë me silikon mund të shohim shkallën e dëshpërimit tonë si shoqëri, e cila e sheh të pamundur të matet me arritjet kulturore që vijnë si rezultat i përpjekjeve dhe ushtrimit të pareshtur. Idhujt tonë na japin atë që duam: kënaqësinë e imitimit dhe shijen e adhurimit. Dhe mbi të gjitha çlirimin nga sforcimi që kërkojnë përpjekjet për të ecur para me punë e me djersën e ballit. Botoksi dhe silikoni na ndihmojnë të ecim para pa sforcim e pa disiplinë.

 

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.