Mediat shqiptare kalojnë cakun e idiotësisë

Postuar në 20 Janar, 2016 20:45

Papërgjegjshmeria dhe vulgariteti i mediave shqiptare ka tejkaluar çdo cak. Në shumë raste nuk bëhet fjalë më vetëm për mungesë etike e profesionalizmi, por realiteti shkon deri në një budallepsje kolektive. Televizionet shfaqin masivisht progame të mbushura me idiotesira në kuptimin e plotë të fjalës, dhe po kështu edhe gazetat e portalet janë të mbushura me lajme pa kuptim, shkrime mediokre që nuk kalojnë as nivelin mesatar të inteligjencës. Përhapja e portaleve sidomos është duke e masakruar gazetarinë, duke konkuruar me raportimin e shpejtë të lajmit, pa asnjë kriter cilësie e besueshmërie. Portalet po shndërrohen në avanguardë të shpërfytyrimit mendor të fjalës së lirë, duke botuar çdo lloj marrëzie, pa e menduar dy herë.
Para disa muajsh, blogu ynë botoi një shkrim satirik ku thuhej se Edi Rama ishte shpallur lideri më i gjatë në botë, nga një agjenci e huaj lajmesh, e pagëzuar me emrin Foxy Lady News. Shkrimi kuptohej lehtësisht që ishte për të qeshur, nga çdo njeri me nivel inteligjence nën mesataren, pasi situatat e krijuara ishin krejtësisht sureale, që nuk mund të ishin të vërteta. Megjithatë thuajse i gjithë shtypi i shkruar, e ngatërroi për lajm të vërtetë duke e botuar si një arritje të Kryeministrit triumfin e tij në shtatlartësi.
Ngjarja ishte shokuese për ne. Kemi qeshur një javë të tërë ndërsa gjithçka dukej e pabesueshme: Si ka mundësi që askush nuk mori mundimin ta verifikojë, gjë që mund të ish bërë thjesht me një search në google? Habia u pasua nga fakti që askush nuk e përgënjeshtroi lajmin e rremë dhe askush nuk i kërkoi ndjesë lexuesit të tij për papërgjegjshmërinë e treguar. Në çdo gazetë serioze në botë kryeredaktori apo gazetari që do nxirrte një lajm të tillë do të kish dhënë dorëheqje, – fjalë e huaj kjo në fjalorin tonë. Aspak. Të gjithë e kaluan me të vetmin mjet që iu vjen në ndihmë injorantëve: heshtja.
Menduam se ky do të ishte një mësim i mirë, por gabuam. Pra disa ditësh një mjek nga Kosova me banim në Francë bëri një tjetër shaka, duke botuar në facebook-un e tij sikur Mark Zuckenberg, i dërgonte një letër një shqiptari ku i shprehte respektin për popullin e tij pasi stërgjyshja e tij kish gjetur shërim tek një mjek shqiptar i cili e kish ndihmuar të mbetej shtatzanë me një bollë të zezë. Lajmi mori dhenë. Mbi 30 media, përfshirë Gazeta Panorama, Gazeta Mapo, Gazeta 55, Balkanweb, Lapsi.al, Bota Sot, NOA etj, e shpërndanë atë si lajm të vërtetë, duke ia marrë nga facebook-u pa leje, gjë që u shndërrua menjëherë në një scoop sensacional.
As kjo nuk mjaftoi. Sot një tjetër lajm i tillë sensacional pushtoi portalet on line, sipas të cilit një grua 95 vjeçare në Itali paska lindur një djalë, duke thyer çdo rekord. Në foto tregohet një grua plakë, kockë e lëkurë, duke mbajtur në duar një fëmijë të prsalindur. Në fakt gruaja në foto ishte duke mbajtur stërnipin e saj, dhe fotoja ka qarkulluar kohë më parë për të përcjellë artistikisht zinxhirin e jetës që trashëgohet në breza. Lajmi është marrë nga një gazetë e joserioze në itali “Il Giornale”, ndërkohë që nuk konfirmohet nga asnjë media tjetër në Itali. Një mori gazetash e portalesh si Gazeta Panorama, Gazeta Shqip, Gazeta Shekulli, Gazeta Shqiptarja.com, Balkanweb, Gazeta Sot, Bota Sot, News Bomb, Telegraf, etj. e botuan pa e konfirmuar aspak.
Një nivel i tillë kapërcen kufinjtë e humorit duke na dhënë një panoramë tragjike. Janë pikërisht këto media që na informojnë për gjithçka të rëndësishme që lidhet drejtëpërdrejt me jetën tonë. Janë këto media që na tregojnë se çfarë bën politika, se çfarë po ndodh me ekonominë, kulturën dhe jetën tonë. Kur ato nuk kanë përgjegjshmërinë të konfrimojnë gjëra kaq të thjeshta çfarë ndodh me problem shumë herë më të komplikuara?
Para pak ditës qeveria shqiptare botoi një reportazh reklamues në The Economist, dhe shumica e gazetave dhe televizioneve e paraqitën atë si shkrim të revistës prestigjioze, e cila na e paskësh vlerësuar kryeministrin tonë si reformatorin më të madh në rajon. Askush nuk tha se ky ishte një shkrim i paguar, ndonëse kjo gjë ishte shkruar në çdo faqe të shkrimit, dhe u desh reagimi i rrjeteve sociale dhe denoncimi i opozitës, që e verteta të rithuhej në një lajm të dytë, i cili u transmetua krejt normalisht, pa asnjë ndjesë për mosraportimin e saktë herën e parë. Natyrisht shumë prej tyre e kanë bërë me vetëdije, por shumë të tjera e kanë përcjellë symbyllurazi, siç përcjellin gjithçka, pa konfirmuar asgjë, e madje edhe pa vënë në dyshim asgjë: dale njëherë, si ka mundësi kjo? Por edhe nëse e kanë bërë me vetëdije, është e trishtueshme dhe tragjike sesi mundohen të gënjejnë kaq serbes, pa e çarë kokën se të nesërmen gjërat do të dalin ndryshe.
Të njëjtën gjë e bënë edhe me lajmin e paraqitur nga një tabloid britanik që thoshte se droga e Lazaratit (e shkatërruar publikisht tashmë prej policisë, në sy të të gjithë televizioneve) kontrollohet nga ISIS-i dhe shitet në Britani për llogari të terrorizmit. Sikur Lazarati të ndodhej diku në Afrikë, mediat shqiptare gjetën rastin për të na habitur duke na thënë se aty paska celula të ISIS-it që kryejnë trafikun ndërkombëtar të drogës, në një lidhje midis trafikantëve dhe Lavdërim Muhaxherit, luftëtarit famëkeq të Sirisë. Eshtë e kuptueshme që një gazetë e papërgjegjshme britanike të trillojë marrëzira të tilla për një publik që as ia ka idenë se ku është Lazarati, por si ka mundësi që të gjitha mediat shqiptare e raportojnë një lajm të tillë pa asnjë kritikë e pa asnjë qendrim?
Në këtë blog kemi denoncuar në vijimsi degradimin e pushtetit të katërt në Shqipëri, por realiteti është aq katastrofë sa, duket se kritika humbet kuptimin. Mediat shqiptare kanë humbur fillin e shëndetit mental dhe nuk dijnë as vetë çfarë raportojnë. Mjaft të shohësh sesi të gjitha faqet që pretendojnë të jenë mainstream, raportojnë paralelisht lajme serioze përkrah lajmeve showbiz me natyrë pornografike, për të kuptuar se kemi të bëjmë me një çmendinë që nuk orientohet nga asnjë lloj parimi normativ. Nuk ka portal serioz në botë që paralelisht me lajmet për reformën në drejtësi të raportojë se X banore e Big Brotherit e ka gjoksin të rënë. Gjithçka është e pabesueshme dhe të le pa fjalë. Nuk kemi përse të habitemi pastaj se përse politika ia del të mbijetojë kaq lehtë megjithë këto skandale që prodhon. Nuk kemi përse të habitemi se përse kjo shoqëri është kaq e trullosur dhe kaq e paaftë për të marrë në duar fatet e veta. Kur ushqehesh me këtë lloj helmi e plehu, shëndeti mendor nuk ka sesi të jetë në rregull.

"Postbllok.com"

Comments

Submitted by Urim (not verified) on

Të përgëzojë për kritikën me vend, pajtohem me gjithçka që keni përshkru! degradim total i përgjegjsisë informative!

Submitted by Armando Çera (not verified) on

Te gjitha arsyetimet tuaja jane te qarta me vend dhe shume mire informuese.Per te shtuar ne reportazhin tuaj kam vene re qe mediat shqipetare ne menyre te kote per cdo ngjarje qe mund ti ndodhe nje personi me origjine shqiptare jashte Shqiperise merr bujen si ndonje lajm shume I rendesishem.Mund te ndodh qe nje x shqiptar/e kryen nje vrasje ne Amerike shtet me nje popullate shume te madhe ku mund te ndodhin me mijera ngjarje te tilla madje edhe me kritike perzgjidhet patjeter ky person vetem per te mbushur televizionin dhe gazeten me nje lajm me shume.Per ta mbyllur do te thoja qe ke frike te besh dicka sado e vogel te jete pa te marre e gjith shqiperia nder dhembe.

Submitted by joni (not verified) on

Të përgëzojë te pakten ne te jet dikush qi juv shplon mbeturinat te pangopurve

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.