Negativi i Shqipërisë në mediat perëndimore

Postuar në 17 Janar, 2016 18:47
Skerdilajd Zaimi

Sot qeveria shqiptare doli me një njoftim zyrtar për shkrimet reklamues të publikuar kundrejt 36 milionë lekëve në revistën “The Economist”. Në njoftimin e vet, qeveria kërkoi të nënvizonte dy gjëra: së pari që shkrimi është një investim për imazhin e Shqipërisë dhe së dyti se “revista e njohur nuk publikon të pavërteta”.

Nuk është hera e parë që qeveria shqiptare, por edhe njerëz të njohur publikë, rendin drejt një lloj fetishizimi të shtypit ndërkombëtar, i cili nga ana e vet prej kohësh është në qendër të kritikave si për përmbajtjen ashtu edhe për cilësinë.

Por ky qëndrim i qeverisë ka rëndësi për një aspekt tjetër që ka të bëjë pikërisht me angazhimin e saj në promovimin e imazhit të mirë të Shqipërisë.

Këto ditë, javë, por edhe para disa muajsh, shkrimet për vendin tonë në media ndërkombëtare nuk kanë munguar.

Më 24 gusht u publikua thuajse në të gjitha mediat shqiptare një shkrim-reportazh i gjermanes “Frankfurter Allgemeine Zeitung” me titull: “Shqipëria, një vend pa të ardhme”. Të nxjerrësh këtë titull është goditje shumë e fortë për imazhin e një vendi, sidomos Shqipërisë që synon integrimin në Europë. Koha e reportazhit përkonte me valën e azilkërkuesve dhe në kërkim të lajmit interesant, redaksia e gazetës së njohur gjermane solli një gazetar në Shqipëri që qëndisi atë realitet që lexuam të gjithë. Por sado e njohur të jetë gazeta, ajo nuk është siç tha një njeri i njohur i publicistikës në Shqipëri “Bibla”. Por për ta thënë me fjalët e qeverisë shqiptare, “gazeta e njohur nuk boton të pavërteta”. Këtë besojmë edhe ne, por nga ana tjetër mund të pyesim: cili është tagri i gazetarit që të arrijë në konkluzione të tilla me natyrë testamentale?

Tani në Europë është koha e imigrantëve dhe terrorizmit dhe ndaj edhe lajmet që vijnë nga reportazhe të ngjashme nga “vendet me rrezikshmëri të lartë” si Shqipëria, që janë diku atje tej, në hyrje të Europës, bëjnë  njëfarë sensacioni. Konkretisht para disa javësh ishte gazeta italiane “La Stampa” që dilte me një titull pompoz: “Shqipëria, kryqëzimi i xhihadistëve”, shoqëruar me disa dokrra për islamin e veçantë shqiptar.

Radha i erdhi “Rai Uno”, televizionit shtetëror italian, për të cilin edhe qeveria e tanishme shqiptare, nuk ka se çfarë të thotë. Po çfarë kishte ai reportazh, i ndërtuar mbi skematizmin gazetaresk të vitit 1997, me njerëz me maska dhe kallashnikovë? Një vend i humbur me një guidë vendase, ca njerëz që merren me trafiqe, që nuk dihet për cilat arsye duan të futen në bela dhe të flasin për gazetarë dhe përfundimi: “Shqipëria, porta e xhihadit”, bashkë me fjalinë shumë provokuese se “me këto lloj armësh janë furnizuar terroritët e ISIS-it që gjakosën Parisin më 13 nëntor”.  Sa kollaj që dalin në përfundime edhe gazetarët e huaj për Shqipërinë!

Sot ishte radha e “Dialy Mirror” me një skenar hashasho – terroristo – xhihadist, me xhiro 4 miliardë dollarë, për të cilat shërbimet sekrete të mbarë Perëndimit kanë mbyllur sytë. Gjithë këto xhevahire pra për Shqipërinë këtë portë të Ferrit dhe asnjë reagim.

Për atë që ka jetuar në Greqi dhe në Itali, kjo situatë nuk është e re. Mediat italiane e greke gëlonin nga krimet e shqiptarëve në vitet ’97 – 2005 dhe asnjë qeveri shqiptare nuk u përpoq sadopak ta lehtësonte këtë agresion të paprecdentë ndaj një komuniteti.

Njësoj si tani. Raportime të tilla, që gjithsesi kanë bazë vërtetësie, e nxijnë imazhin e Shqipërisë. Dhe e nxijnë aty ku është pika kritike e kohezionit shoqëror, raportet ndërfetare, si dhe tek ambiciet strategjike siç është Integrimi Europian. Për këto do të duhej që qeveria të reagonte. Ndoshta e ka bërë dhe nuk dimë gjë. Por seria e fundit e disa mediave për të njëjtën temë na flet për të kundërtën.

Të trumbetosh te një lexues perëndimor, në një faqe publiciteti, një Shqipëri të reformave është punë e mirë, por pa bereqet shumë. Qeveria thotë se lajmi i revistës përkonte me Samitin e Davosit dhe kështu i bëhej promo vendit për të thithur investime. Kjo është shumë relative. Ata që duan të investojnë në Shqipëri do të lexojnë raportet e organizatave të specializuara, do të interesohen për kuadrin ligjor, situatën, e dikush do të dëgjojë edhe ambasadorët, si ai gjerman, që ka muaj që ankohet se “investitorët gjermanë po ikin si pasojë e korrupsionit në gjyqësor”. Çfarë vlere kanë pra 36 milionë lekë të hedhura për një 8 faqësh që mburr qeverinë, ndërkohë që shumë media po godasin sërish imazhin e saj dhe të vendit? Kjo pyetje shtrohet nisur nga ato që shohim e lexojmë, pasi nuk përjashtohet që ose mediat gënjejnë qëllimisht, ose qeveria nuk po na thotë shumëçka për rrezikun nga terrorizmi. 

Comments

Submitted by Pema (not verified) on

Ne shiptaret (perfshire dhe ju gazetaret) kemi kompleks inferioriteti; prandaj analizojme deri n'detaj cdo artikull qe publikohet nga media nderkombetare ku permendet dhe Shqiperia. Keni pare te bejne te njejten gje vendet e tjera?!

Sa per imazhin e Shqiperise ne mediat e huaja qe permendni ju, ky imazh nuk ka lindur nga hici. Nuk ka nje konspiracion qe meret me prishjen e imazhit te shqiptareve. Vete ne e kemi krijuar kete imazh skandaloz per vendin tone, me shume mund ne fakt. Dhe ky imazhi i nje vendi rrumpall, nuk rregullohet as me ankesa, as me komente neper media boterore qe bejne pseudopatriotet tane, dhe as me postime te sponsorizuara qe ben kryeministy yne (qe te na rroje sa malet!).
Imaxhi nuk rregullohet me fjale, por me vepra! Dhe ky imazh nuk do rregullohet kurre per sa kohe t'kemi nje shtet te korruptuar deri ne maje; nje opozite shpellaresh; kriminel shqiptare qe kontrollojne trafiqe e droges, qenjeve njerezore dhe armeve ne europe; si dhe psikopate qe shkojn bashkohen me isis.

Sikur te mereshim aq shum me vendin tone sa c'meremi me mediat e huaja... do kishim zgjidhur shume probleme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.