Destabilizimi i koalicionit qeverisës dhe rikthimi i deputetëve që “blihen”

Postuar në 15 Janar, 2016 18:19

Sot ra në sy një deklaratë nga Facebook e kreut të opozitës Lulzim Basha, toni i saj dhe akuza drejtuar ndaj kryeministrit Edi Rama, si një njeri i pazareve. “Tregtari i paskrupullt i politikës, spekulanti më i madh i pazareve më të pista në vend, ai që ka bërë pakt me krimin, themeluesi i aleancës së qelbësirave, ai që i zvarritej Nanos dhe i përkulej Metës kur ia lypte nevoja dhe sa kalonte lumin ngrinte kurthe për ta, politikani që ska mbajtur një fjalë apo një premtim që ditën e parë e deri më sot”, shkruan Basha. Nuk do të kishte ndonjë rëndësi ky lloj fjalori, po të mos qe për disa lëvizje që janë vërë re së fundmi, e para të cilave ka dilema jo të vogla edhe e djathta parlamentare. Çdo gjë vendoset në kontesktin e një krize të gjatë brenda mazhorancës, e cila ka mundësuar për PD-në që të riciklohet si faktor në ekuacionin e pushtetit.

Para disa ditësh Presidenti i Republikës Bujar Nishani, foli për mundësinë e blerjes së deputetëve nga opozita me synim kalimin me vota të reformës në drejtësi. Ky mesazh u riprodhua nga ish-kryeministri Sali Berisha që theksoi se “Edi Rama i ka shanset zero me opozitën”. Dy apo tri ditë më vonë, ish-nënkryetarja  e Kuvendit, Jozefina Topalli, doli në një intervistë televizive ku deklaronte si të rëndësishëm faktin që “Lulzim Basha është kryetar i PD-së”, për të shtuar se ajo besonte se në zgjedhjet e ardhshme do të ishte deputete në listat e PD-së. Të gjitha këto sinjale dëshmojnë se tabani edhe brenda demokratëve nuk është i qetë. Përveç kundërshtimit ndaj një drejtuesi si Lulzim Basha dhe mosbesimit se ai është në gjendje të çojë opozitën në fitore, dyshimet për një pastrim radhësh nga ata që nuk pajtohen dot me situatën e re politike është real dhe perceptohet si një ndër objektivat e Bashës. Dhe këtë me siguri kryetari i PD-së nuk e arrin dot pa Sali Berishën. I cili nga ana e vet, me deklarimet, aktet dhe lëvizjet e veta, po sugjeron si formulë rikthimi në pushtet aleancën me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Pas zgjedhjeve të vitit 2013, drejtues të ndryshëm të PD-së deklaruan se një nga shkaqet e humbjes së zgjedhjeve ishte edhe aleanca me LSI-në, që cilësohej si segmenti më i korruptuar i mazhorancës. Kjo nuk u cilësua asnjëherë nga Sali Berisha, që iu përmbajt tezës se zgjedhjet u humbën si pasojë e premtimeve të Edi Ramës, “të cilat unë nuk mund t’i bëja”. Riafrimi i tanishëm me Ilir Metën dhe rikthimi i idesë së një koalicioni si ai i viteve 2009-2013 krijon jo pak pështjellime. Për deputetë të PD-së, apo zyrtarë të saj që ndjejnë se me Lulzim Bashën dhe Sali Berishën pas tij, rruga e tyre në politikë është e shkurtër, opsioni më i mirë i mundshëm për ta prerë apo penguar sadopak këtë skenar është neutralizimi përmes një aleance koniunkturale me socialistët.

Rrëzimi i reformës në drejtësi në Parlament, është eventualitet që nuk përjashtohet, pasi formalisht mazhoranca nuk i ka votat që i duhen. Por krisja dhe presioni i Ilir Metës është problem brenda problemit, për Edi Ramën tani, por edhe për disa segmente të PD-së nesër. Pasi Ilir Meta është një garanci më shumë për një fitore të PD-së në zgjedhje, pavarësisht moralit të saj. Dhe ajo do të jetë fitore që do t’i kreditohet Lulzim Bashës. Nuk është pra çudi, dhe informacionet nuk mungojnë, që deputetë të PD-së, të jenë të gatshëm që të votojnë sot një qeveri të drejtuar nga Edi Rama, nëse Ilir Meta do të hedhë hapin e largimit. Ajo çfarë ende nuk lexohet mirë është hezitimi i kryeministrit, i cili siç dihet ka arritur një mirëkuptim me PDIU-në e Shpëtim Idrizit, si garanci të fundit. A po zgjatet kjo agoni në emër të reformës në drejtësi dhe të hapjes së negociatave? Nuk është e qartë mirë, edhe pse në shumë raste arsyet e vërteta janë shumë banale.

PS-ja ka përpara kongresin ku patjetër që do të bëhet një bilanc i qeverisjes dhe i koalicionit. Dhe ku do të duhet të kuptohet më mirë se cila është e ardhmja e aleancës PS-LSI. Gjasat janë që askush prej të dyjave nuk ka m dëshirën që të vazhdojë, por për çdokënd është e kuptueshme se paraprakisht kërkohet defaktorizimi i LSI-së që në zgjedhjet e fundit njohu rritje të madhe. Është një rritje të cilën Ilir Meta nuk lë rast pa e përmendur. E që aktualisht ka mundësi që ta kapitalizojë PD-ja.

Njësoj si në opozitë, PS-së dhe kryetarit të saj po i mungon në vijimësi forca dhe sidomos aftësia për të projektuar procese politike të cilat janë shumë më të shëndetshme sesa zhonglime të tilla. Aq e vërtetë është kjo, saqë tashmë nuk kuptohet më se kush është qëllimi kryesor: asgjësimi i Ilir Metës, apo qeverisja me sukses deri në vitin 2017. Me siguri që më i qarti në këtë lëmsh është Sali Berisha, të cilit i duhet vetëm të presë edhe ca.

 

Comments

Submitted by Analisti (not verified) on

Kjo analize, eshte shume e sakte ne drejtimin tendencioz te artikullshkruesit, per devijmin e votave te shumices, ndarjen e shumices, dhe faktorizimin e Sali Berishes.
Deri diku, edhe opozita, ka dhene shenja te qarta te krisjes brenda per brenda, por kane qene me te moderuar. Ne rast se do te kete ndonje perplasje ne parlament, per votbesim te qeverise, dhe do te behet VOTIM I FSHEHTE, do te fitoje perseri pozita, mbasi, deputete te PD, te pakten 14 deri 17 deputete, do te votonin ne favor te qeverise.
Edhe kjo duhet thene, dhe jo vetem ate qe Sale Berisha ka zene pusi, dhe po pret. S'ka c'te prese, po pret kot. Ai. Po qe i zoti, te fitoje zgjedhjet vete, me forcat e veta, e mos te prese te percaje maxhorancen e sotme, e te riciklohet ne pushtet me LSI- ne,. Per kete, ne rast se pret ose krijon indicie provokative me nxjerrje implikimesh per ndonje drejtues te PS apo LSI, e ka gabim, mbasi nuk do t'i ece. Llogari te tilla, te detyrojne te besh autogol, sikunder i ka ndodhur disa here Sale Berishes.
Tung.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.