Ministri i Brendshëm, një arsye pse duhet reforma në Drejtësi

Postuar në 14 Janar, 2016 14:17

Partia Socialiste është e vendosur që të tallet deri në fund me qytetarët të cilëve u shërben “argumente” nga më banalet për nevojën e reformës në drejtësi. Në kohën kur të gjithë po binden për domosdoshmërinë e kësaj reforme, por edhe për karakterin instrumental politik të saj, ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri ka shtuar diçka tjetër: “Problemet në drejtësi janë të dukshme dhe reforma duhet të kryhet sa më shpejt. Policia po përpiqet të kryejë detyrën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme, duke dëshmuar se toleranca zero ndaj krimit nuk është vetëm një fjalë, por fakt. Por, nga krahu tjetër, shumë prej të arrestuarve lirohen nga gjykata, duke rënduar punën e efektivëve të policisë”, tha ministri nga qyteti bregdetar, ku ishte për një takim pune”, tha Tahiri nga Vlora. Nëse do të përdornim gjuhën e Facebook që përdor kolegu i këtij, Erjon Braçe, do ta gjenim menjëherë etiketimin që shkon në këtë rast. Pasi reforma në drejtësi ka si sfidë pastrimin në gjyqësor dhe në politikë nga njerëz të inkriminuar, që janë mburojë e krimit dhe veprimtarive kriminale. Dhe si i tillë është akuzuar edhe vetë ministri i Brendshëm, që verën që lamë pas u bë objekt i lloj lloj akuzave në media pranë mazhorancës. E megjithatë, asnjë hetim nuk nisi, asnjë procedim. Këtu nuk po zëmë në gojë skandalin e Interpol Tiranës me shkresën për Mark Frrokun, pasi ajo është kapaku mbi pusetën e këtij shteti. Këto janë problemet e këtij shteti, ato që po i marrin frymën, e ca më keq, që po profilizojnë ekonominë reale të tij. Ndaj të flasësh për nevojën e reformës në drejtësi duke iu referuar sukseseve të policisë është fyerje për të gjithë. Le të kujtojmë të gjithë akuzën që bëri opozita para disa muajsh për arrestimet në Durrës dhe për një telefonatë të ministrit që bënte me dije “se nuk e kishte kryer ai arrestimin”. Le të mbajmë parasysh akuzat dhe etiketimet e opozitës për këtë ministër, të cilat janë pa përgjigje. Insinuata të përditshme që fitojnë vërtetësi në një vend të vogël. Nuk është sukses arrestimi i dikujt që ndërton kasolle pa leje, por sukses është që kur policia kryen ndalimin, apo përcjell veprimet edhe kur ndonjë i kërkuar hyn në makinë deputeti. Dhe nuk është vizion apo sukses projektimi i ligjit për survejim me kamera në pallate, duke cenuar në emër të sigurisë edhe atë pak gjoja liri që ka mbetur. I fundit që duhet të flasë për reformën në drejtësi si garanci e sukseseve në rend dhe luftë ndaj krimit është pikërisht ministri në fjalë, të cilit “çuditërisht” i është hapur krahu edhe në Tatime e dogana.

Comments

Submitted by Tepelensi (not verified) on

Ky eshte nje super hajdut, boss i droges se jugut. Por dhe kriminel. Nuk ka faj Berisha qe e quan bossi i shullazit.

Turp ti vije ed rames qe mban kete minister. Do bej shtet pale. Shtetin e Sajmo Qorrit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.