57 milionë euro rritja e borxheve të vonuara në banka

Postuar në 13 Janar, 2016 10:59

Në muajt tetor-nëntor të 2015-s është konstatuar një rritje e fortë me 57 milionë euro e huasë nga 30 deri në 90 ditë vonesë, duke reflektuar faktin se dhe individë, apo dhe biznese, që deri tani kishin pasur të ardhura të mjaftueshme për të shlyer kreditë, tashmë po fillojnë të ndihen në vështirësi…
Ndërsa kreditë me probleme në total shënuan rënie në nëntor, duke zbritur nën 20% për herë të parë që nga fundi i 2011-s, një tjetër tregues po kthehet në shqetësues.
Sipas të dhënave të detajuara nga Shoqata e Bankave, huatë në ndjekje, (30 deri në 90 ditë vonesë), kanë shënuar një rritje të fortë në tetor dhe nëntor, duke arritur ne 43 miliardë lekë në fund të nëntorit, apo 8 miliardë lekë (58 milionë euro) më e lartë se në shtator 2015.
Sipas klasifikimit të Bankës së Shqipërisë që, huatë në ndjekje ende klasifikohen si kredi e mirë, por kanë potencial për t’u shndërruar në problematike (nëse kalon mbi 90 ditë pa shlyer huanë, atëhere kredia klasifikohet nënstandarde dhe hyn te huatë me probleme). Ky zë u rrit me 3.5 miliardë lekë vetëm në tetor, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave dhe në nëntor rritja ishte edhe më e lartë, me 4.5 miliardë lekë, ndërkohë që gjithë muajt e tjerë të 2015-s kishte qenë konstante, ose në ulje. Sipas Bankës së Shqipërisë, huaja klasifikohet “në ndjekje” kur gjendja financiare e kredimarrësit dhe flukset hyrëse të parasë janë të mjaftueshme për të përmbushur detyrimet, pavarësisht vështirësive financiare të momentit, dhe se nuk ka shenja përkeqësimi të gjendjes për të ardhmen.
Gjithsesi, rritja e huave në ndjekje është një tregues se vështirësitë ekonomike po prekin edhe ata kredimarrës që deri tani kanë qenë në rregull me pagimin e kësteve mujore. Në fund të nëntorit, huaja në ndjekje arriti në 7.3% të totalit të kredisë, nga 6.5% muajin e mëparshëm. /Monitor/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.