Trajtimi i figurave të luftës dhe përballja me kolaboracionin

Postuar në 07 Janar, 2016 13:35
Xhelal Gjeçovi

Para pak kohësh, me rastin e botimit të romanit “Kandidati”, Ben Blushi shprehu disa mendime për Lef Nosin, një figurë e njohur e periudhës së Pavarësisë dhe asaj të Luftës, me qëndrime krejt të kundërta, në të dy këto periudha. Ato u bënë shkak për nisjen e një debati në mes historianëve, që në fakt tejkalon Nosin, pasi ka të bëjë, përgjithësisht, me trajtimin e figurave të Luftës, sidomos të atyre që përfliten, herë pas here, për bashkëpunim me okupatorët në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Siç u pa, edhe në këtë rast, ashtu si me Koliqin para ca kohe, shqiptarët vazhdojnë t’i përcjellin me interes të veçantë debatet mbi historinë e figurat historike, sidomos të periudhës së Luftës, një periudhë kjo me intensitet ngjarjesh, por dhe me larmi qëndrimesh të forcave dhe figurave historike Arësyet mund të jenë të shumta e të ndryshme. Por mendoj se duhen veçuar sidomos dy prej tyre. Së pari, ndikimin që ende vazhdon të ushtrojë e kaluara, e lidhur, në rastin konkret dhe me trajtimin e me anatemimin e pandërprerë që u është bërë atyre, e përgjithësisht kundershtarëve të luftës gjatë gjithë periudhës komuniste. Së dyti, përpjekjet e politikës në vitet postkomu niste për të përdorur çështjen dhe trajtimin e tyre, për interesat e saj.

Në të dy rastet, në të dy periudhat, duket qartë se peshën dhe ndikimin e politikës në fushën e historisë, e kanë ndjerë më së pari figurat e Luftës dhe në këtë kuadër edhe ata që, pas saj, u cilësuan dhe u dënuan si kolaboracionistë. Trajtimi i tyre ka qenë gjithnjë një ekskluzivitet i politikës. Ajo është marrë me ta, kur dhe si ka dashur. Kolaboracionizmi nuk është një fenomen shqiptar. Ai nuk lindi te ne dhe nuk lidhet vetëm me ne. Bashkëpuntorë të okupatorit ka patur dhe në vendet e tjera, madje para nesh dhe me shumë se ne, në raport me popullsinë. Nga ata është përpunuar edhe koncepti mbi këtë cështje. Një vend përballet me këtë fenomen, pra me kolaboracionin, kur politikanë të caktuar apo dhe forca të organizuara, rreshtohen përkrah okupatorit, kur vendi është i pushtuar, duke u pajtuar kështu me pushtimin dhe duke hequr dorë nga kundërshtimi dhe lufta kundër tij. Si rregull, zgjedhja e kësaj rruge,që shënon largimin nga pozitat e nacionalizmit, bëhet për interesa private, për pushtet e për priviegje, të cilat okupatori ua josh dhe ua siguron. Për të justifikuar hapin e ndërmarë, kalimin në krahun tjetër, ata përpunojnë mjetet dhe argumentet e duhura propogandistike për të bindur opinionin publik, ithtarët dhe simpatizantët, se lëvizja e ndërmarrë është në interes të vendit, me qëllim që të vazhdojnë të ruajnë edhe më tej lidhjet dhe mbështetjen e tyre.

Në këtë kuadër, kolaboracionistët shqiptarë janë përpjekur të përdorin dy karta të forta: çështjen e Kosovës dhe kartën e antikomunizmit. Sipas tyre, të dy këto çështje që përfaqësonin kauzat tona, mund të zgjidheshin vetëm duke u lidhur e duke bashkëpunuar me Italinë dhe Gjermaninë, dy fuqitë agresore që kishin pushtuar vendin, pasi vetëm ato i kuptojnë dhe i mbështetin aspiratat tona për Kosovën dhe shqetësimin për rrezikun që paraqet për vendin një fitore e mundëshme e PK-së në luftë, çka do të çonte në mënyrë të pashmangëshme në vendosjen pas lufte të regjimit komunist. Mustafa Kruja, kryeministër në periudhën më kritike për okupatorin fashist italian, deklaronte se po të na pyesnin ne, nëse doni Kosovën apo Pavarësinë, në një zë do të thoshim Kosovën, se me Kosovën një ditë do t`i kthenim vendit edhe pavarësinë, kurse pa Kosovën do t`i humbnim të dyja.

Mesazhi që kërkon të përcjellë në këtë rast Kruja, ishte se lidhja dhe bashkëpunimi me Italinë po ndërmerreshin për shkakun e Kosovës, pasi ajo bëri realitet ëndrrën e shqiptarëve për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në këtë mënyrë Kosova po përdorej për gjithëfarëlloj pazaresh, që lidheshin me interesat e tyre, por jo të Kosovës dhe as të Shqipërisë. E ardhmja e Kosovës dhe e Shqipërise nuk mund të lidhej me okupatorët nazifashistë që kishin shkelur pavarësinë e atdheut dhe e kishin zhytur botën në konfrontimin më të madh ushtarak që njeh historia, duke e çuar njerëzimin drejt humnerës, por me aleatët e me Koalicionin Antifashist, që u qenë kundërvënë agresorëve fashistë.Vetëm duke u lidhur me aleatët dhe duke u angazhuar në luftë përkrah tyre, siç po bënin dhe popujt e tjerë, viktima të agresioneve fashiste, Kosova kishte një mundësi e një shpresë për të realizuar aspiratat liridashëse e kombëtare.

E njëjta linjë dhe i njëjti kurs do të ndiqej nga kolaboracionistët edhe në periudhën e pushtimit gjerman. Në përpjekje për zbutur zemërimin e popullit dhe për të ulur tensionet në vend, Mehdi Frashëri, kreu i Regjencës shtronte pyetjen: A ishim ne në gjendje të ndalnim ardhjen e gjermanëve?, Jo. A na pengojnë ata që të qeverisim vetë vendin? Jo. Atëhere, a ka kuptim që t`i kundërvihemi një fuqie që lufton me tërë botën? A mos vallë kërkohen ende flijime të reja nga shqiptarët, që do të na çonin drejt shuarjes së racës sonë?

Kjo ishte përgjithësisht platforma e kolaboracionistëve shqiptarë, një platformë që synonte të justifikonte bashkëpunimin me pushtuesit dhe u kërkonte shqiptarëve që të pajtoheshin me pushtimin, duke hequr dorë nga rezistenca dhe lufta kundër tij. Kur njihesh me të, nuk mund të mos ndjesh keqardhje për pozicionin që zunë në vitet e okupacionit disa figura të njohura kombëtare, që qenë rrjeshtuar gjithnjë në anë e duhur të historisë, përkrah Ismail Qemalit kur luftohej për pavarësi dhe kundër diktaturës Zogiste, kur luftohej për demokratizimin e shtetit e të shoqërisë. Kjo që po ndodhte tani ishte jashtë staturës dhe të kaluarës së tyre, një fatkeqësi personale, por dhe kombëtare. Asnjëra nga arsyet e parashtruara prej tyre, nuk qëndronin dhe nuk justifikonin bashkëpunimi me okupatorët nazifashistë. Megjithatë, gjykimi mbi ta, duhet të jetë i qetë dhe i drejtë, pa harruar dhe anën tjetër të medaljes, kontributet para lufte, gjithçka ata kishin shënuar deri atëhere në biografinë e tyre dhe të vendit.

Në shqyrtimin e kësaj çështjeje mendoj se duhet të mbahen parasysh dy gjëra, dy momente: Së pari, qëndrimi i mbajtur pas lufte e më pas edhe pas ndërrimit të sistemit. Dhe, së dyti, ajo që është më e rëndësishme, si duhet trajtuar sot kjo çështje, cili duhet të jetë sot qëndrimi i shoqërisë; ose më konkretisht, ky moment, bashkëpunimi me okupatorët, a fshinë të kaluarën e tyre, a shuan e kthyen në nul kontributet në periudhat e tjera të historisë?. Për të kuptuar qëndrimin e mbajtur ndaj tyre në periudhën pas lufte duhen mbajtur parasysh dy gjëra. Së pari, natyrën e regjimit dhe e forcës që e drejtonte atë, e cila nuk qe shquar, as në vitet e Luftës, për tolerancë ndaj kundërshtarëve politikë. E kundërta kish qenë prezente. Dhe së dyti, situatën që sundonte në vendin e sapo dalë nga lufta, realitetin historik, ashtu siç ishte, e jo siç do të dëshëronim të ishte. Fantazitë jashtë realitetit objektiv i lejohen shkrimtarit, i lejohen edhe Blushit, por jo historianit. Natyrisht, do të ishte ideale, nëse, gjatë procesit të ndërmarrë, fill pas lufte, për dënimin e tyre, shteti do të kish treguar maturi e vetëpërmbajtje, duke krijuar kushte për një gjykim të ftohtë të aktivitetit të tyre, çka do të bënte të mundur edhe diferencime në radhët e tyre, për të shpëtuar, të paktën disa nga figurat e njohura, për kontribute në çështjen kombëtare e në kulturën kombëtare.

Në se kjo do të ishte arritur, vendi i sapodalë nga lufta, do të kishte patur dobi, shteti gjithashtu do të fitonte pikë brenda dhe jashtë, duke treguar se ishte i vendosur të ecë në rrugën e kapërcimit të ndasive të kohës së luftës, për të arritur të bashkojë e të angazhojë njerzit pa dallim, në veprën e re, për rindërtimin dhe forcicimin e atdheut. Por, kjo dëshirë e jona sot, nuk ishte e lehtë të arrihej dje, të arrihej në atë periudhë të nxehtë kur gjaku i të rënëve dhe plagët e veteranëve të sotëm, vazhdonin të “kullonin” dhe kudo, anë e mbanë vendit ( ashtu si dhe në vendet e tjera), dëgjoheshin si refren vetëm dy fjalë, “Hakmarje” dhe “drejtësi”.Rasti i Pëtenit, që sillet shpesh në vëmendje të opinionit, nuk është as i sajuar dhe as i veçuar, por produkt dhe shprehje e kësaj kohe, e kësaj fryme që sundonte në mbarë botën, e cila sapo kishte dalë nga një luftë shkatërrimtare të paimagjinueshme, pasojat e së cilës shiheshin kudo.

Vetëm të rënë ishin mbi pesëdhjetë milionë dhe vetëm në Shqipëri 28 mijë. Duhet kuptuar se situata që sundonte në vend dhe trajtimi që po u bëhej atyre dhe në vendet e tjera ishin dy faktorë që përcaktonin politikat dhe qëndrimet ndaj kësaj çështje, edhe këtu. Mbi ta ose jashte tyre, askush nuk mund të dilte, nuk mund të vepronte. Shqipëria nuk mund të bënte përjashtim në trajtimin e tyre. Në rrethana të tilla, dënimi tyre ishte i pashmangshëm. Për këtë askush nuk duhet të ketë dyshim. Masa e dënimit është tjetër gjë; ajo gjithnjë është e diskutueshme. Por, ajo, me të cilën nuk mund të pajtohesh është mbajtja gjatë, edhe pas dënimit, e mllefeve ndaj tyre dhe shtrirja e kësaj fryme, në kuadër të luftës së klasave,edhe ndaj trashëgimtarëve të tyre, që për këtë shkak do t`i nënshtroheshin një persekucioni të gjatë, të pamerituar. Një qëndrim i tillë do të linte gjurmë në jetën shoqërore të vendit. Impakti i krijuar në këtë rast do të ndjehej gjithnjë e më shumë me kalimin e viteve, duke krijuar një hendek midis shtetit dhe një pjese jo të vogël të qytetarëve të tij. Ajo duhej kapërcyer me politika paqësore, me reabilitim e integrim real të kësaj shtrese, në rrjedhat dhe proceset ekonomike, shoqërore e kulturore të vendit.

Mirëpo kjo nuk mund të bëhej nga ata që kishin krijuar këtë situatë, në kuadër të sistemit ekzistues. Kushtet për të zgjidh këtë çështje u krijuan pas përmbysjes së sistemit komunist dhe vendosjes se rendit demokratik. Parrulla e hedhur nga Sali Berisha, president i vendit, në fillimet e tranzicionit: “Të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkëfajtorë”, ishte shprehje e një nevoje objektive që kishte shoqëria shqiptare për reflektim e për spastrim, për të kapërcyer problemet e trashëguara në këtë fushë. Dhe, ajo nuk mund të arrihej ndryshe veçse duke hedhur prapa krahëve mëritë dhe inatet e vjetra, që qenë nxitur e ushqyer dhe nga ndarjet e përçarjet e kohës së luftës.

Vetëm kjo ishte rruga që do të na çonte drejt një pajtimi e bashkimi të vërtetë të njerëzve, të klasave e të mbarë kombit rreth idealeve të demokracisë, për të cilat kishin dhënë jetën dëshmorët e atdheut. Mirëpo, koha tregoi se me një klasë politike diletante, e ardhur rastësisht në krye të vendit, që i nënshtrohej spontanitetit, interesave të poltikës së ditës, nuk do të mund të arrihej ajo që kërkohej, ajo që i duhej vendit: një pajtim i vërtetë i njerëzve, pavarësisht bindjeve ideologjike dhe përkatësive partiake. Në rrethana të tilla, edhe aksioni i ndërmarrë për reabilitimin e ish-të dënuarve, nuk do të çonte në përfundimet e duhura. Në vend që të fashitë problemet e trashëguara, do të bënte të kundërtën, do të krijonte edhe probleme të tjera. Politika mediokre, që nuk shikonte më larg se interesat veta, për pushtet e për përfitime të tjera, e përdori atë si deshi vetë, duke e shndërruar procesin e reabilitimit në një proces politik, nga i cili, kemi sot si trashigim, konfuzionin mbi këtë çështje, të shoqëruar me dekorime e me shtatore, me dhe pa vend për ta.

***

Lef Nosi, që këto kohë u vu në qendër të debatit, është një figurë e njohur, njëri ndër firmëtarët e aktit të pavarësisë, ministër në qeverinë e Ismail Qemalit. Por ai njihet dhe si njeri ndër katër regjentët, pra anëtarët e Këshillit të Lartë të Regjencës, kryesisë së shtetit kuisling, që ngritën gjemanët. Ai dhe Fuat Dibra vinin në këtë detyrë nga radhët e Ballit Kombëtar, kurse dy të tjerët ishin Mehdi Frashëri dhe Patër Anton Harapi. I pari, një figurë gjithashtu e njohur, ish-kryeministër në një nga qeveritë zogiste, që u bë i njohur sidomos me denoncimin publik që i bëri në RadioTirana agresionit të fashistëve italianë, ditën e agresionit dhe thirrjen drejtuar popullit për të mos u pajtuar, por për të rezistuar e kundërshtuar agresorët fashistë. Kurse i dyti, një klerik i njohur, që për herë të parë thyente një traditë e një rregull të Selisë së Shenjtë, që ndalonte përzierjen në politikë dhe, aq më tepër, marrjen e posteve politike nga shërbyesit e fesë, të çdo rangu e niveli. Veprimi i tij shokoi Selinë e Shenjtë, e cila, e ndodhur, mesa duket, e papërgatitur para një akti të tillë, u përpoq të mos e jepte veten dhe ta percjellë me heshtje, si një fakt tashmë i kryer.

Ndonëse qe vendosur që antarët e Regjencës ta drejtonin me radhë, me rotacion, këtë institucion, në fakt atë e udhëhoqi, deri në fund, Frashëri, pasi reputacioni i tij u duhej gjermanëve për t`i treguar opinionit, brenda dhe jashtë, se vendi po qeverisej nga vetë shqiptarët, madje nga figura të njohura, që e kishin mirëkuptuar e pranuar pushtimin gjerman. Zgjedhja e tyre si antarë të Këshillit të Lartë të Regjencës, shkaktoi habi në opinionin publik. Frashëri, Nosi, Dibra etj, figura të pavarësisë; Frashëri që pati kurajon të denoncojë publikisht agresionin e fashistëve italianë, tani po pranonin e po pajtoheshin me pushtimin nga një fuqi tjetër agresore, shumë më e rrezikshme, siç ishte Gjermania hitleriane, kreu i boshtit nazifashist. Udhëheqja e BK-së, natyrisht, do të vihej në siklet, do të vihej në një pozitë të vështirë, pasi ende lidhjet me gjermanët e sapoardhur, mbaheshin të fshehta dhe hapat drejt tyre, hidheshin me kujdes, që të mos zbuloheshin e kompromentoheshin planet dhe kombinacionet e ujdisura me ta.

Në këto rrethana, Kryesia Qendrore e Ballit, formalisht, do të distancohej nga akti i Nosit dhe Dibrës, duke njoftuar dhe opinonin se ata nuk ishin më anëtarë të Ballit. Mirëpo, Fuat Dibrën, një figurë e respektuar, do ta mundojë kjo ngjarje, aq sa, më në fund, do të detyrohet të sqarojë opinionin publik se si kishte arritur deri këtu, deri tek pranimi i detyrës së ofruar, që cënonte rëndë figurën dhe binte ndesh me të kaluarën e tij, duke bërë me dije, se atë e pranoi jo me lehtësi, por, pas insistimit këmbëngulës të kreut të Ballit Mit’hat Frashëri, që mendonte se kjo do t`i shërbejë e do t`i sjellë dobi Ballit, por dhe vendit. Kështu do të deklaronte më vonë, pas lufte, në emigracion, edhe Koliqi, të cilit pranimi i detyrës së ministrit në qeverinë e Krujës, e ofruar nga fashistët italianë, i shkaktoi një dramë që e mundoi gjatë. Në një letër-këmbim me njërin nga miqtë e tij, ai do të deklaronte se, para se të vendosja, për marrjen ose jo të detyrës së ofruar, unë u konsultova dhe me Fishtën dhe ai më tha që ta pranoja.

Ndërkohë, ndryshe nga Dibra, Nosi do të vazhdojë i qetë të kryejë angazhimet si anëtar i Regjenncës deri në fundin e pushtimit gjerman. Ndonëse, të katër regjentët ishin përzgjedhur si figura të besueshme, në fakt, gjatë gjithë kohës që qëndruan në këtë detyrë, ata ishin nën vëzhgimin e rreptë të autoriteteve ushtarake, pasi edhe përkundrejt betimit të bërë për besnikëri ndaj Gjermanisë, ato dyshonin se mos ata luanin një lojë të dyfishtë, duke dëshiruar e duke pritur ardhjen e aleatëve. Ky është fati i kolaboracionistëve shqiptarë, të dyzuar, të cilët, me gjithë shërbimet që u ofruan okupatorit, përsëri mbeten, deri në fund, të dyshimtë, nën vëzhgimin e autoriteteve ushtarake të pushtimit, që ishin zotër të vërtetë të vendit, duke jetuar kështu me dinjitet të cunguar, por dhe në pasiguri për jetën. Dihet tashmë fati i tyre pas mbarimit të luftës.

Ndërkohë që Dibra kishte vdekur, pas një sëmundje të rëndë, që e mundonte prej kohësh, Frashëri, kreu i Regjencës, bashkë me figura të tjera të njohura, si M.Frashëri, kreu i BK, A.Kupi, i Lëvizjes së Legalitetit etj., të braktisur tani dhe nga aleatët, pasi nuk dëgjuan këshillat dhe palajmërimet e tyre, që të shkëputnin lidhjet me gjermanët, pas shumë peripecish, do të arrijnë të largohen nga vendi, për t`u vendosur në Bari e gjetkë, në kampet e përqëndrimit të ngritura nga aleatët. Kurse dy antarët e tjerë të Këshillit të Lartë të Regjencës, Nosi dhe Harapi, bashkë me funksionarë të tjerë të lartë të regjimit që ngritën pushtuesit, në të dy periudhat e okupacionit, u kapën dhe u dënuan me dënime kapitale,për bashkëpunim me ta. Në të njëjtën kohë, edhe historigrafia shqiptare, siç ishte në praktikën e asaj kohe, do t’i cilësojë e do t`i trajtojë ata si kolaboracionistë, pa marrë parasysh se, siç u tha, një pjesë e tyre ishin figura të njohura intelektuale, me kontribute në Lëvizjen Kombëtare para lufte, por dhe në Kulturën Kombëtare.Kështu që, deklaratat e Blushit, në rastin e Nosit, nuk janë pabaza. Ato mbështete në trajtimin që i është bërë kësaj figure, jo vetëm nga politika, por edhe nga shkenca historike pas lufte.

***

Ndaj deklaratave të Blushit, siç edhe pritej, reaguan dhe historianët, ashtu siç janë, të ndarë me kohë, për këtë dhe çështje të tjera të debatit mbi historinë; reaguan madje me shpejtësi e ndonjëri edhe me pasion. Mirëpo, këto të fundit, për historianin nuk kanë fare rëndësi. Rëndësi kanë argumentet dhe dokumentet që sillen, pasi ata identifikohen me historinë, të cilën mendohet se e zotërojnë. Dokumentet për kolaboracionistët, përfshi dhe të katër regjentët, nuk janë të pakta. Por, ato duhen ditur ku janë e, mbi të gjitha, si duhen lexuar sot, pas kaq vitesh. Ato nuk gjenden në shtëpitë e iksit apo ypsilonit dhe nuk kanë vlerën e duhur në se nuk ndodhen në arkiva dhe nuk administrohen prej tyre, përndryshe hapet rruga për spekulimeve gjithëfarëshe. Ndër to, do të veçoja, për nga rëndësia, paralajmërimin që Gjenerali Uilson, komandant i Shtabit Aleat të Mesdheut, u drejton kolaboracionistëve, përfshi dhe atyre shqiptarë, në muajin qershor 44, që të hiqnin dorë, sa nuk është vonë, nga bashkëpunimi me gjermanët dhe t`i bashkohen luftës që po zhvillojnë kombet e bashkuara, përndryshe do të gjykohen, njëlloj si ata, si kolaboracionistë, si bashkëpunëtorë në krimet e tyre.

Në debatin mbi këtë temë, të paktën sot, nuk mendoj se janë emrat, ata që duhet të tërheqin vëmendjen, pasi ata janë ditur me kohë; veprimtaria e tyre, gjithashtu. Debati nuk bëhet për të shuar kuriozitetin e njerëzve dhe as për të përgojuar figurat historike. Siç u tha, çështja që ka nevojë të diskutohet, më së pari është, si duhet lexuar e kuptuar sot kjo çështje, cili duhet të jetë sot qëndrimi i shoqërisë ndaj këtij fenomeni, ndaj kësaj kategorie dhe më në fund, akti i tyre i fundit, bashkëpunimi me gjermanët a rrëzon dhe e fshin të kaluarën e tyre, kur dihet që disa nga këta kanë kontribute të rëndësishme në periudhën e pavarësisë, por dhe më pas, në vitet e regjimit zogist, ku, siç u vu në dukje, qenë rreshtuar hapur kundër diktaturës zogiste. Qëndrimet në këtë rast duhet të jenë të qarta e të hapura, por mbi të gjitha jashtë të bërit politikë, por dhe jashtë sloganeve që nuk thonë asgjë. Në çështje të tilla të ndërlikuara, që përcillen me interes nga publiku i gjerë, kërkohet njohje konkrete e periudhës e të figurave të saj, por dhe përgjegjësi maksimale, për të gjykuar me objektivitet aktivitetin e tyre, siç ka qenë, para dhe gjatë lufte, me kontributet që kurrësesi, nuk mund të mohohen, por dhe me problemet, gabimet apo mëkatet, që rëndojnë mbi ta, për t`i dhënë opinionit një paraqitje sa më reale, sa më objektive të jetës dhe veprimtarisë së tyre. Qëndrimet e njëanëshme, ekstremiste, ashtu sikurse dhe pozita eklektike, që nga paaftësia apo mungesa e kurajos, nuk guxon të ndajë “shapin nga sheqeri”, e për të mos prishur qejf me asnjërën palë, i bënë të gjithë njësoj, fajtorë dhe kontribues, në luftë, e dëmtojnë dhe e defomojnë historinë, por edhe thelbin e çështjes që po diskutojmë. Tingëllojnë disi naive, për të mos thënë dhe provokuese që t’i thuash sot opinionit se, duke iu bashkuar okupatorit, ata paskan treguar kurajo e paskan bërë sakrificë të madhe! Po përse bëhej e për kë bëhej kjo sakrificë? Kjo ka rëndësi të kuptohet, pasi vetëm një qëndrim e një shpjegim i qartë, i drejtë, i qetëson disi shpirtrat e atyre që u masakruan nga gjermanët, edhe gjatë kohës që Nosi me shokë zinin poste të larta në administratën kuislinge.

Para ca kohe, kur po diskutohej për Koliqin, në një përvjetor të kësaj figure gjithashtu të njohur, një tjetër figurë e sotme e letrave shqipe, shtronte pyetjen: “Kush i solli më shumë dëm vendit, Koliqi, apo ata që shërbyen në detyra te ndryshme në regjimin komunist?, një pyetje që ngjan si një provokim, pasi nuk mund të bëhet kurrsesi krahasim, në mes regjimeve të një vendi, sido që të jenë ato dhe pushtimeve të huaja. Për regjimet që kanë qeverisur në të kaluarën vendin, apo dhe ata që vazhdojnë të na qeverisin, mund të kemi njëmijë e një rezerva e pakënaqësi, por askush, në asnjë vend e në asnjë kohë, nuk ka guxuar t`i krahasojë me pushtimet e huaja e me regjimet kuislinge që ngrejnë ata. Krahasimi, në se bëhet, synon të justifikojë përgjegjësinë e figurave që bashkëpunuan me okupatoret në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Qëndrimet e ndryshme që shfaqën në raste të tilla, janë sigurisht edhe shprehje e lirisë akademike, e diversitetit të mendimeve, një arritje e demokracisë dhe rendit demokratik, një gjë normale dhe e dobishme. Por, puna ndryshon në se kolaboracionizmin përpiqesh ta shesësh si një vlerë. Po të pranohet kjo logjikë, atëherë duhet të themi se ata që ndoqën këtë rrugë, bënë mirë, madje duhet të ishin edhe ca më shumë, sepse kështu edhe vendi do të kishte pasur edhe më shumë dobi.

Kjo nuk funksiononte e nuk shkonte në atë kohë, por nuk funksionon e nuk shkon as sot. Ne nuk mund të shpikim kritere të tjera vlerësimi për këtë fenomen, për këtë ketegori, por do të respektojmë ato që janë përpunuar e zbatuar dhe në vendet e tjera demokratike. Natyrisht, figurat historike, nuk mund të trajtohen kudo njësoj, me të njëjtin kut dhe as me mendësitë e kohëve të nxehta të pasluftës. Paralelizmat dhe precedentët vlejnë për eksperiencë, për njohuri e jo për t`u marrë e për t`u zbatuar në mënyrë shabllone, si skema të gatshme. Seicili vend ka specifika dhe problematikat e veta.Vendi ynë ka si specifikë që është një vend i vogël dhe njerëzit janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Për rrjedhojë, qëndrimet, për të mirë, apo për të keq, ndaj tyre, reflektojnë menjëherë, në një masë jo të vogël njerëzish, çka shton përgjegjësinë dhe kërkesën për maturi masimale. Nga ana tjetër, edhe vetë figurat historike, si gjithë njerëzit, ndyshojnë nga njëra-tjetra. Seicila prej tyre ka individualitetin dhe aktivitetin e vet. Nuk mund të vihet shenjë barazimi, nuk mund të trajtohen njësoj, ministri i arsimit apo i jashtëm, me ministrin e brendshëm, jo vetëm për shkak të problematikave që mbulonin,por dhe të besimit e të lidhjeve me autoritetet e pushtimit.

***

Historia është një shkencë serioze, realiste, por edhe dinamike. Kërkesa themelore e saj është që ngjarjet e figurat historike të trajtohen pa paragjykime e politizime, në raport me kohën e me kushtet kur ato kanë ndodhur apo kanë vepruar, duke respektuar kriterin historik Por, koha ecën dhe mendimi historiografik nuk mund të qëndrojë në vend, pa ndjekur e pa përfillur kërkesat e saj. Përndryshe ajo humbet logjikën dhe besueshmërinë, që e mbajnë në këmbë. Por, kjo duhet kuptuar drejt, pasi nuk bëhet fjalë për të ndryshuar thelbin e gjërave, por mënyrën e paraqitjes, mënyrën e shpjegimit e të shkrimit të historisë, duke hequr dorë nga paragjykimet e politizimet,që kanë sjellë, në jo pak raste, deformim të realitetit, duke i paraqitur figurat, disa si djaj e disa si engjëj, sipas simpatisë dhe preferencave të autorëve, e jo si njerëz realë, që si gjithë njerëzit kanë patur nga pak, edhe nga njëri, edhe nga tjetri. Historia është e shkuara dhe ajo, as mund të ribëhet dhe as të ndryshohet. Por, duhet kuptuar se sot, pas kaq vitesh, nga mbarimi i luftës, kur ka rrjedhur aq shumë ujë, kjo çështje nuk mundë të trajtohet, as nga politika e aq më pak, nga shkenca historike, me ashpërsinë e nxehtësinë e viteve të para pas lufte.

Koha vetë i zbut gjërat dhe njerëzit. Në këtë vështrim, nuk besoj se shtrohet çështja, nëse duhet të qëndrojnë apo të hiqen, shtatoret apo dhe dekoratat e dhëna figurave me probleme të tilla. Siç e kam kuptuar unë, këtë nuk e shtron as vetë Blushi. Mësimi që duhet nxjerë, është që, në raste të tilla, organet përkatëse të shtetit, duhet të bëjnë kujdes, të maten, siç thotë populli, njëqind herë, për të vendosur një herë, me qëllim që të mos provokohen njerëzit dhe të mos hapen debate e sherre, pa qenë nevoja. Po t’i hyje këtij procesi, ai duhej nisur jo me Nosin e me figurat intelektuale, por me të tjerë, me ata që kanë lyer duart me gjak, që kanë marrë pjesë ose kanë mbështetur operacionet e armikut, duke vrarë e terrorizuar luftëtarët antifashistë dhe popullin që i mbështeste, si në Tiranë më 4 shkurt 44, në Prishtinë etj. Për fat të keq jo pak nga këta, pas ndërrimit të sistemit u rehabilituan, sigurisht pa të drejtë dhe pa e merituar. Dhe kjo ka ndodhur vetëm tek ne, pasi nga kjo kategori në asnjë vend të botës demokratike nuk ka patur të reabilituar, qëndrimi ndaj tyre ka mbetur kostant, i pandryshuar.

Natyrisht, në një rend demokratik, një forcë e caktuar politike, e çfarëdo krahu e orientimi qoftë, ka të drejtë që të ketë dhe të ruajë opinionet e veta mbi një ngjarje apo figurë të caktuar, të organizojë dhe aktivitetet që dëshëron, në përkujtim të tyre. Në rrafsh njerzor, por edhe politik, ato janë të justifikuara. Reagimet që bëhen në raste të tilla, lënë një shije jo të mirë. Ato vijnë më së shumti nga mosnjohja e historisë së vendit, por dhe nga një zell partiak i tepruar, të cilit i ka kaluar koha. Më së paku ato tregojnë se ende demokracia nuk kuptohet si një arritje dhe një e drejtë për të gjithë e jo për një pjesë shqetësimi në raste të tilla, është i pakuptimtë, edhe në një aspekt tjetër. Në vlerësimin e historisë ato nuk ndikojnë e nuk ndryshojnë asgjë. Historia, nga kjo pikëpamje, është më konservatore, por dhe më e drejtë. Përfundimet e Luftës së Dytë Botërore i dhanë seicilës palë, seicilës forcë apo figurë, atë që meritonte. Ato mbeten, edhe sot udhërrëfyes në gjykimin e këtyre çështjeve, përgjithësisht në vlerësimin e historisë e të figurave historike.

"Shekulli"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.