Si mbijetoi Rezart Taçi pa paguar taksa në 2009-2013

Postuar në 07 Janar, 2016 10:56

Një hetim i Prokurorisë së Tiranës ka zbardhur skemën e plotë të përdorur nga biznesmeni Rezart Taçi për t’iu shmangur taksave dhe tatimeve.
Që prej vitit 2013, organet tatimore por edhe ato vendore të Bashkisë Ballsh dhe komunës Qendër në Mallakastër kanë konstatuar disa herë detyrimet që kompania “Armo” kishte ndaj shtetit për ushtrimin e veprimtarisë së saj.
Por pavarësisht akt-konstatimeve dhe urdhrave për bllokimin e llogarive të kompanisë dhe të administratorit të saj biznesmenit Rezart Taçi, këto taksa nuk janë paguar asnjëherë. Shumë prej këtyre vendimeve për sekuestro llogarie janë paditur në gjykatë nga biznesmeni, ndërsa për pjesën tjetër, ai ka negociuar me përfaqësuesit e Tatimeve dhe pushtetit vendor, duke premtuar pagesën e detyrimeve ndaj shtetit.
Por që prej vitit 2009, kur është konstatuar për herë të parë mospagimi i taksave e deri në vitin 2013, kur Rezart Taçi ka shitur kompaninë “Armo”, ai ka paguar shuma minimale, duke akumuluar detyrime të prapambetura shumën e 25 miliardë lekëve.
Një pjesë e këtyre parave është paguar nga pronarët e rinj të kompanisë “Armo”, të cilët kanë mundur të bëjnë një marrëveshje me autoritetet vendore, e cila konsiderohet e dyshimtë nga prokuroria, pasi nuk i jep zgjidhje përfundimtare shlyerjes së detyrimeve.
Sipas dosjes së Prokurorisë së Tiranës, e cila ka marrë të pandehur biznesmenin Taçi, ky i fundit në shumë raste ka pohuar pranë organeve tatimore se kompania e administruar prej tij nuk ka aftësi paguese.
Por hetimi i prokurorisë zbuloi se shtetasi Rezart Taçi, në cilësinë e administratorit dhe aksionerit të “Armo” sh.p.k, ka pasur aftësi paguese për shumat që i detyrohej administratës shtetërore, raporton gazeta Mapo.
“Në mënyrë të qëllimtë i është shmangur derdhjes së detyrimeve, duke transferuar shuma të konsiderueshme në kompani ose duke bërë tërheqje “cash” në llogari të tij”, thotë prokuroria.
Sipas hetimit ka rezultuar se në të njëjtën periudhë kohore kur deklaronte se nuk kishte mundësi financiare, i pandehuri Rezart Taçi i ka dhënë hua kompanisë tjetër të tij “Taçi Oil”, si edhe ka tërhequr shuma financiare në vlera të ndryshme.
“Totali i dhënies hua kompanisë ‘Taçi Oil’ dhe tërheqjet ‘cash’ që ka bërë për llogari të tij i pandehuri, e tejkalojnë shumën e detyrimit që ‘Armo’ sh.p.k kishte ndaj shtetit”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Më tej akuza sqaron se hetimi provoi se i pandehuri ka detyrime të konsiderueshme ndaj dy institucioneve shtetërore: Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për detyrimet tatimore si subjekt i konsideruar ‘VIP’ dhe Bashkisë Ballsh e komunës Qendër, Mallakastër, për taksat vendore, si vendushtrimi i aktivitetit të “Armo”-s. “Gjatë viteve 2009-2013, periudhë e cila është përfshirë në hetim, subjekti ‘Armo’ është njoftuar për detyrimet tatimore në shumat përkatëse dhe ka marrë dijeni administratori Rezart Taçi, i cili ka negociuar disa herë, si me administratën tatimore, ashtu edhe me njësitë e qeverisjes vendore”, thotë prokuroria.
Si nga ana e administratës tatimore, ashtu edhe nga ana e njësive të qeverisjes vendore, janë nxjerrë rreth 30 urdhra bllokimi për llogaritë e “Armo”-s, me qëllim detyrimin e kompanisë për të realizuar pagesat. Por këto urdhra bllokimi janë shfuqizuar, në bazë të kërkesave për negocim që kërkonte i pandehuri Taçi për të shlyer detyrimet me këste.
“Në bazë të këtyre negociatave, kompania ‘Armo’ ka bërë disa pagesa në vitet 2010-2012, por nuk ka likuiduar të gjitha detyrimet financiare, duke pretenduar se nuk ka pasur aftësi paguese”, thotë prokuroria.
Për këtë arsye, prokuroria ka ngritur akuzën e mospagimit të detyrimeve tatimore ndaj biznesmenit Rezart Taçi, i cili prej disa muajsh rezulton se është jashtë Shqipërisë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.