Greqia kërkon aleancë me shqiptarët për emrin e Maqedonisë

Postuar në 06 Janar, 2016 13:23

Kryetari i BDI, Ali Ahmeti, do të takohet të premten në Athinë me ministrin e jashtëm grek, Nikos Kotzias. Sipas medias greke, kjo vizitë inkuadrohet në përpjekjet për gjetjen e një rrugëdaljeje në çështjen e emrit, që ka krijuar një ngërç konstant në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Maqedonisë prej më shumë se 20 vjetësh.
Në fakt, strategjia e Athinës, për një përafrim me udhëheqësit e shqiptarëve në Maqedoni, ka filluar që në vitin 2013, kur Ali Ahmeti ishte takuar po në Athinë me ministrin e atëhershëm të punëve të jashtme, Evangelos Venizelos dhe atë të mbrojtjes, Avramopulos.
Vizita e Ali Ahmetit në Athinë pason atë të ministrit të jashtëm maqedonas, Nikola Poposki, në mesin e dhjetorit. Një vizitë që të paktën në temën e emrit, nuk solli asgjë të re, por thjesht rikonfirmoi qëndrimet e njohura të të dy palëve.
Athina është e shqetësuar se mos në samitin e verës të NATO-s do të mund të përmbyset vendimi i samitit të Bukureshtit të vitit 2008, që e kishte kushtëzuar anëtarësimin e Maqedonisë me zgjidhjen e mosmarrëveshjes për çështjen e emrit.
Sipas burimeve diplomatike greke, Athina vlerëson se pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni do të hapet një “dritare shansi”, siç thonë, për zgjidhjen e çështjes së emrit. Mirëpo, për analistët diplomatikë greke të gjitha gjasat tregojnë se fitues i zgjedhjeve do të jetë sërish Nikola Gruevski. Në këtë sens, analistët nënvizojnë se nuk është e qartë që për çfarë arsye Gruevski do të mund të ndryshonte qëndrimin e deritanishëm në çështjen e emrit.
Ministri i jashtëm maqedonas, Nikola Poposki, deklaroi para tri javësh në Athinë se “qëndrimet e të dy palëve janë diametralisht të kundërta dhe prandaj do të duhet të kapërcehen male, me qëllim që të arrijmë në një zgjidhje”.
Vetë Ali Ahmeti, i intervistuar kohë më parë ka theksuar se shqiptarët e Maqedonisë janë në favor të një kompromisi në çështjen e emrit, zgjidhja e së cilës do të hapte rrugën për integrimin euro atlantik të vendit. "Qëndrimi i BDI është bërë i ditur kaherë për opinionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Që do të pranojë kompromis, do të pranojë një zgjidhje, zgjidhje e cila nuk do të cënonte ndjenjat e bashkëqyetarëve tanë, të mohonte identitetin, gjuhën. Cilado zgjidhje tjetër, qoftë “Republika Veriore”, qoftë “Republika e Epërme”, është e pranueshme për BDI por edhe për shqiptarët në republikën e Maqedonisë"- është shprehur Ahmeti.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.