Shqipëri hesapi*

Postuar në 05 Janar, 2016 16:15
Ilir Mborja

Jetoj prej vitesh në Athinë dhe këtë dhjetor që shkoi vendosa t’u dërgoj nga një kartolinë disa njerëzve të mi. Atyre më të afërt, me të cilët, në fakt, flas pothuaj çdo ditë në skype... Mallin tim për kartolinat doja t’ua zgjoja edhe atyre. Dhe ashtu bëra. Zgjodha dhe bleva kartolinat dhe nisa t’i shkruja me stilolaps. Edhe për këtë “punë” më kishte marrë malli. Tek i mbushja me urimet për Vitin e Ri 2016, m’u kujtuan vitet ’70, kur isha adoleshent. Atokohë ishte bërë modë, që në urimin tonë, aty në kartolinë, t’i dedikonim mikut apo mikeshës edhe ca vargje. Katër në fakt. Dy vargjet e para, marrë nga poema “Korbi” e amerikanit Edgar Poe:  “Era frynte që përjashta, / Rrihte perdet e mëndafshta,” dhe dy të fundit të sajuara me rimë të përputhur nga mendja e kushedi se kujt mediokrri: Mos kujto se të harrova, / Kartolinë unë të dërgova.” Kështu, njëra pas tjetrës më erdhën ndër mend Noli ynë i madh që e ka përkthyer mjeshtërisht atë poemë,.. Dhe tek po i tregoja këto përdëllime të miat sime shoqeje, ajo më thotë: “Dërgoi edhe një kartolinë Ambasadorit të Amerikës!” Ngrita kokën dhe kërkova qesëndisjen në fjalët e saj. “Nuk po tallem.” – më tha. “E kam seriozisht. Mbase, i bëhet qefi dhe na ndihmon për vizat.” ...Dhe kur e pyeta, jo krejt pa ironi, se kujt t’i dërgoja, këtij të Athinës apo atij të Tiranës, pasi u mendua një çast, m’u përgjigj: “Të dyve!.. Por mos shkruaj nga ato budallallëqet me erë dhe me perde!” Kur më tha dhe këtë porosinë e fundit, mora zjarr dhe fillova t’i shpjegoj se në poemën “Korbi” të amerikanit Edgar Allan Poe bëhet fjalë për një burrë të vetmuar e të dëshpëruar nga hidhërimi, të cilit, në “një mesnatë të bezdisur/ kur ishte dimër i ftoht’ i ngrirë” dëgjon një trokitje... Nuk ishte në portë, por në xham... Dhe kur e hapi atë: “... me shumë fërfëllimë / Brenda hyn një Korb i mvrejtur”... Dhe meqë shpendin, i vetmuari që ishte duke dremitur, e dyshoi për “profet, a djall”, nxitoi ta pyeste: “Thuajm’i zemrës që mban zi, / A do shoh n’ Eden të shenjtë, / Vajzën a do kap të shtrenjtë, / Q’i thon’ Engjëjt Lenorë?.. por përgjigjja e Korbit për të ishte ogurzezë: "Kurrë më." Nuk e sheh pra, një lidhje mes vargjeve të poemës së amerikanit dhe situates së sotme tek ne në Shqipëri? A nuk e ke vënë re se duhet që gjithmonë “të fryjë era që përjashta”, për të na shkundur nga dremitja ne shqiptarëve? “Era që përjashta” vetëm ajo mund t’i tundë “”perdet e mëndafsha” tonat. Asnjë fortunë s’ka njohur historia jonë të ketë nisur nga fillimisht nga brenda t’i tundë perdet tona të mëndafshta. Të gjitha, vetëm kur niste të fryente “Era që përjashta”.  Po një lidhje në mes trokitjes në xham të Korbit të poemës dhe “trokitjes së kambanave” nga ambasadori amerikan Donald Lu për reformën në drejtësi, a e vëren?.. “Ti po thua se Donald Lu është Korbi?..” – m’u drejtua e hutuar bashkëbiseduesja. Jo. “Korbi-profet” në këtë rast i bie të jetë shqiptaro-amerikani Geri Kokalari, me atë profecinë e tij ogurzesë sa më s’bëhet.

  “Atëherë ç’hyn ambasadori Lu këtu? Përse dyshohet ai?” Ambasadori? Ai në fakt hyri vetë, madje pa përkthyes, në historinë tonë të antikorrupsionit. E do patjetër një krahasim edhe për të? “Po.” Atëherë, si të thuash,.. Ai dyshohet mes shpresës së shqiptarëve, për të qenë vetë “Mesia” që do të bëjë reformën në drejtësi dhe profecisë makabër të “Korbit” Kokalari… “E ç’thotë ai?” Ai?.. Si thotë ai? Ai thotë atë: se nuk e ka me të gjithë të korruptuarit, por vetëm me Ilir Metën, se gjithçka që dëgjojmë nga amerikani Donald Lu, është një lojë për të përçarë pozitën dhe për t’i dhënë pushtetin në tavolinë PD-së… Me atë letrën e tij që… Mos e dhëntë Zoti atë që thotë ai! Si Korbi thotë: Kurrë më.

 “Atëherë, kartolinës për Ambasadorin e Amerikës në Tiranë i shkojnë vetëm dy vargjet e shtuara të shqiptarëve: “Mos kujto se harruam, / Kartolinë të dërguam...”” Më mirë nuk po i shkruajmë fare kartolinë. E lemë për vitin tjetër. Të presim dhe të shohim 2016-n. Nëse do të triumfojë vërtet reforma në drejtësi dhe të korruptuarit, kushdoqofshin, do të përfundojnë pas hekurave, atëherë do të themi se në Shqipëri Donald Lu ishte “Njeriu i 2015-s”… “Përndryshe?” Përndryshe? Kurrë më?!. Mos e dhëntë Zoti, të quhet “Antinjeriu i Vitit”! As këtij ambasadorit amerikan këtu në Athinë nuk i dërgova kartolinë. Nuk i mësova dot emrin. Megjithëse thonë se është njeriu më i fuqishëm, më me influencë nga të huajt, këtu në Greqi nuk e njohin as për fytyrë. Jam i sigurtë, se si kudo, njësoj veprojnë ambasadorët, por ndryshe sillen. Kjo duket se varet nga mentaliteti i popujve. Jo kudo presin si tek ne, që "Era të fryejë që përjashta" për të zgjidhur hallet e veta të brendëshme. Pyeta dhe dy gazetarë grekë, por asnjëri nga ata s’ia dinte emrin. E çudtitshme për mua kjo gjë. Më e çuditshme për gazetarët grekë, që unë e dija emrin e  ambasadorit të Amerikës… Shqiptar hesapi,.. Dhe prandaj nuk duhet t'i tingëllojë aspak e çuditshme as ambasadorit Donald Lu, kur i kërkojmë të na tregojë emrat e të korruptuarve, ashtu siç thotë Spartak Ngjela. Ne i dimë, por duhet ta thotë ai, "Era që përjashta" që të "tundemi" ne... Shqipëri hesapi.

 

*Titulli i autorit: Mos e dhëntë Zoti kurrë më!..

Comments

Submitted by plaka gjuheshpata (not verified) on

Ah more Ilir,vellai.Gjithe jeten me syte perjashta mbetem.Po c'te na rregullojne me pare ata "te jashtemit".Populli thote "I zoti e di se ku i pikon catia".Por neve na ka rene catia fare.Jemi ne qiell te hapur.Dhe s'ka Lu qe na ben derman.Prandaj mendoj qe shkrimi te titullohet "Deri kur keshtu,me"?

Submitted by musa muka (not verified) on

Ilir Mborja eshte gazetari qe i bie ne koke gjerave. Nuk eshte hera e pare qe me pelqen, qe e lexoj shpesh. Bravo. shqipetaret cdo gje e presin nga amerika. luja eshte shpresa jone e fundit.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Eshte interesant fakti qe pasi nuk came koken hic fare se cfare ere frynte qe perjashta, a nga perjashta, a thjesht perjashta per nja 45 vjet, madje edhe mburreshim sa me s'ka me ate pune, dmth te gjitha fendet i benim brenda e na mbeteshin brenda ngaqe nuk hapnim dot dritaret, ne kohen e sotme po na dhembka koka shume se presim qe te gjitha problemet te na i zgjidhe era nga perjashta. Nuk thone kot qe te gjitha gjerat do te shkojne tek mesatarja.

Sa per ate qe gazetaret greke nuk e ditkan emrin e ambasadorit amerikan ne Athine, nuk kuptohet mire perse eshte per t'u mburrur kjo gje. Sikur thuhet se sa me shume te dish aq me mire eshte, edhe kur duket silur informacioni eshte i padobishem, apo i panevojshemm, se ku i dihet, apo jo?

Submitted by Anonymous (not verified) on

Tung Plako! Të falenderoj sinqerisht për begenisjen që më bën duke ma lexuar shkrimin. Edhe për komentin. Por mendoj se nuk jemi marrë vesh tamam. Unë, siç mund ta kuptosh nga llagapi, jam një malok nga Mborja. Një katund më shumë se 1000 metra mbi nivelin e detit,.. Kështu që s'tërhiqem kollaj as para kodrinorëve të Skraparit dhe as atyre të Vuçidolit që nuk i kalojnë të 600 metrat... (Me humor ta them, por është pakëz e vërtetë: Jam pak më malok dhe nuk bëj pas kollaj) E para: Në atë që shkruaj nuk kam dashur të shpreh se tani "po na dhembka koka shumë" që problemet tona nuk po zgjidhen nga jashtë... A do të dish një gjë për mua? Edhe koqen Berisha, në një rast të vetëm e kam besuar... Kur ishte kryeministër dhe thoshte se: "...Shqipëria nuk është në krizë ekonomike..." Kishte të drejtë. Ne as kemi qenë në krizë ndonjëherë dhe as jemi. Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë në sistem. As atë financiar, as atë bankar, as, as, as... Asgjëkundi. Prandaj togfjalëshi "Shqipëria në krizë" nuk qëndron, veçse gramatikisht. Për mua është njësoj si të thuash: "një të vdekur e ka zënë gripi." Po pse o plako, a e zë gripi të vdekurin? A i dhemb koka të vdekurit? Prandaj nuk na ka dhembur dhe nuk na dhemb kurrë koka ne shqiptarëve... (Ku e pe ti dhimbjen e kokës?!) Ne, është ashtu si thua ti, fendnim se nuk mund as të pirdhnim (dhe s'na pirdhte njeri) dhe i mbanim xhamat mbyllyr... Por në '90 kapaku i arkivolit u hap dhe erën e kërmës, që gjithsesi ndryshon shumë nga era e fendës, e ndiemë të gjithë... E ndieu edhe Bota. ...Dhe tani pas 25 vjetësh që u duk se Donald Lu tregoi vëmendje ndaj nesh, nuk ka të drejtë që për një çast shqiptari i varfër edhe të shpresojë? Sidoqoftë, Amerikë i thonë... Edhe padurim kemi... Ndërsa sa për atë që gazetarët grekë nuk e dinë emrin e ambasadorit amerikan në Athinë, vetëm mburrja nuk më shkoi nëpër mend... Mbase nuk jam shprehur qartë, po ku e di unë ç'është ajo, që për vite e vite, ai nuk shfaqet në tv greke... dhe nga ta dinë ata... Tek ne gjërat janë ndryshe. Po shkele pultin e tv-së, të del përpara Lu-ja. Shyqyr xhanëm! Më mirë ai se Meta... Ne nuk e kemi kulturën e protestës. Pse, nuk e dinte Rajersoni atëherë më '91 se, një diplomat s'duhet të ngjisë shkallët e tribunave të një partie? Ai, si askund tjetër u ngjit dhe mirë bëri...Prandaj i bëja thirrje edhe Donald Lu-së që të veprojë ashtu siç thotë avokat Ngjela: Të japë emrat e të korruptuarve, po qe se është pa hile në këtë mesele! Ka të bëjë me shqiptarë. Shqipëri hesapi plako!..

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

I nderuar Ilir, ju shkruani, ne lexojme. Kjo eshte normale dhe jo begenisje. Qe ta dish zotrote, Im ate, qe i ndritte shpirti, kishte lindur ne Mborje dhe u rrit atje derisa si shume te tjere, pas lufte, perfundoi ne Tirane. Fisi nga vinte ai ishte i madh, po cuditerisht gjysma mbante mbiemrin Mborja, gjysma tjeter mbante nje mbiemer qe nuk lidhej me emrin e fshatit. Kur erdha ne mendte e mia, nje dite e pyeta babane per kete ndarje te cuditshme, ai me tregoi se si ne Mborje egzistonte nje zakon i lashte sipas te cilit mborjaret qe u dukej se mbiemri i origjines do t'i linte per jete ne anonimitet e ndryshonin ate dhe merrnin per mbiemer emrin e fshatit duke synuar qe keshtu mileti andej ketej te mendonin se kishte te bente me njerez te prejardhur nga agallaret qe e zoteronin Mborjen per ciflik. Shembujt nuk mungojne, keshtu Tefik Mborja (qe u be edhe minister ne kohen e fashizmit), Dr, Selahudin Mborja dhe me pas i biri Dr. Emill Mborja, vetem per te permendur disa nuk e kane mbiemrin e origjines Mborja. Une besoj se ju e keni kete mbiemer thjesht se babai, gjyshi, apo stergjyshi juaj ne nje moment te dhene, per cfaredo arsye e ka marre kete mbiemer si i themi ne sot per te shitur pak "pordhe". Po te kerkosh pak besoj se do ta gjesh mbiemrin e origjines. Po nejse kjo s'ka rendesi.

Kategorizimi i vehtes si malok, thjesht prej faktit se e ke origjinen nga nje vend 1000 m mbi nivelin e detit eshte, te themi minimumi, qesharak. Jo per gje, po sipas ketij kriteri te gjithe Korcaret do te duhej te quheshin maloke se sic duhet ta dish edhe ti, Mborja nuk eshte vecse nja 20 minuta me kembe larg Korces. Une ka shume kohe qe nuk kam qene asaj ane, po me pak ekstrapolim ma thote mendja qe Mborja sot duhet te jete pjese e Korces.

Per ta mbyllur, po te shpiegoj qe komenti ime nuk ishte per te kundershtuar ndonje gje nga tezat e shkelqyera te shkrimit tuaj po aq te shkelqyer. Ishte thjesht nje konsiderate lidhur me faktin qe historia i mesatarizon gjerat dhe sot ne duke degjuar vetem eren nga perjashta nuk bejme gje tjeter vecse kompensojme per ate kohe kur per pak u asfiksuam se nuk hapnim as dritaret.

Bashkefshatari im i nderuar, une te uroj vetem suksese ne luften titanike qe ke ndermarre per sqarimin e shpirtrave shqiptare dhe shpiegimin e ndodhive ne ate katund te madh qe sot e quajme Shqiperi, po qe mund ta quanim edhe Mborje, e pastaj ata qe nuk mbajne mbiemrin e origjines po ate te fshatit nga e kane prejardhjen mund te dukeshin si Gjergj Kastrioti.

Submitted by Ilir Mborja (not verified) on

I dashur Plak! Tani që mora vesh se nga je, të përshëndes me gjithë shpirt, më me mall. Ja që i zbulova vetes një veti (jo fort e mirë) që s'ia njihja më parë. Qenkam lokalist (?!.) dhe i dashkam ca më shumë bashkëfshatarët e mi. Mbase edhe të qenit në kurbet bën të vetën... Po çuditem se si këtë fakt nuk e ke përmendur tek libri yt "Pax Albania". Rrofsh për fjalët e mira që thua për shkrimin... Është e vërtetë se kushuriri im i nderuar dr. Selaudini ashtu si gjyshi im dr. Haki Mborja (1881 -1931) kishin mbiemër tjetër. Emrin e një katundi tjetër, duket nga kemi ardhur, Venxha. Por u thërritën ashtu, për shkak të profesionit, se ishin mjekë. Aty filloi ndryshimi i mbiemrit vetëm për këto dy linja. Vëllai i gjyshit tim thërritej me Venxha. Të gjithë kushurinjtë tanë e mbajnë Venxha, megjithëse ishin çifligarët më të mëdhenj aty. Edhe unë ashtu e kam në tapitë që trashëgoj. (Ma ka shkruar me dorën e saj në aktin e trashëgimisë, gjyqtarja e Korçës Entela Prifti, pasi "u mor vesh" me avokatin që na rekomandoi me këmbënulje ajo...) Por kishte dhe ashtu si ta ka shpjeguar i ndjeri babai yt. Ballisti Selim Mborja psh, e kishte Venxha më parë. Ai ishte dhëndri i Tefik Mborjes. Ndërsa me Tefikun nuk kemi të bëjmë, veç krushqisë së largët që thashë. Madje kur im gjysh dorëzoi mandatin e deputetit, kur Zogu u proklamua mbret, ishte Tefiku që e zëvendësoi në parlament... Që atëherë, ky fakt u bë shkak që mbeti një idhni,.. dhe të parët e mi nuk komunikonin më me të as si bashkëfshatarë. Tani pa shaka po të them se, në do ta njohësh mirë një mborjar, dëgjoje se ç'thotë pas orës 2 pas mesnate... Do të dëgjosh për lartësira mbi 1000 metra dhe romantizma mbushur me pordhi kali? Prit të kalojë mesnata... S'ka mborjarë budallenj, sidomos kur shartohen me krahina të tjera (bëj shaka) dhe,.. po nuk kaloi mesnata... Kështu dhe unë mbrëmë nuk desha t'i përmend malet e larta, por ato dolën vetë, për të ngarë muhabetin dhe për të nxjerrë pak kokë mbi kodrat e Tomorrit dhe të Jezercës... Po kaluan dy orë pas mesnate, nuk më bëjnë punë as derivatet e mia të shartuara (Mborje - Elbasan)... Kështu. Vetëm me ato mburrem dhe për ta lënë vërtet modestinë dhe ta shpërndaj sado kudo një nofkë që ma përmendin lexues të ndryshëm, të cilëve po ju kritikove Salën të quajnë komunist e enverist, si edhe për t'u mburrur para atyre vërtet me gjyshim dhe Mborjen time, po postoj këtë shkrim timin: (http://www.panorama.com.al/replike-me-donika-omarin-cfare-smund-ti-shpje...) Të përqafoj dhe të falenderoj për të gjitha.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Tani i dashur Ilir dolem kushurinj tamam. Gjyshja ime nga babai ishte Venxha dhe ishte halla e Dr. Selahudinit, ose Salajdinit sic i therrisnin rendom. Meqe per arsye te miat dua te ruaj anonimitetin per Web-in, po te duash te komunikosh privatisht, publiko ndonje adrese e-maili ketu.

Submitted by Profesori (not verified) on

Z. Mborja me kenaq gjitmone me shkrimet e tua. Edhe per te qare me vjen, edhe per te qeshur, edhe ne fund per ti vene kujen ketij muhabeti.
Nuk di ne ke lidhje me patriotin Dr. Haki Mborjen ( edhe ai nga Mborja ish) por vetem malok s'ishte. Dhe te bijte, fisnike e qytetare i kish, ndaj nese je nga ai fis, gjynah qe e quan veten malok. Edhe vertete, mire ben qe nuk ben pas kollaj, ne je nga ajo dere. Po me c'duket, sipas shkrimeve te tua andej duhet te jesh. Juve dhe te rinjve si ti ju takon te drejtoni kete vend se jeni me baza udheheqje denbabaden, me tradite politike ne familje, me shkollim prej disa brezash dhe prandaj revoltoheni dhe jeni ne opozite se nuk e pranoni te udhehiqeni nga Lu, Lili dhe Luli. Por protestoni, jo si flokepalaret, dhe gojepadhembet por me zerin e penes, qe eshte i shkreti pa kembim e me pak fare decibell. Po mire e the, Shqiperi hesapi. T'i gezohemi qytetarise pasive dhe leterleximit dixhital. Vetem kaq na ka mbetur sot per sot. Te lutem vazhdo e ne je vertete "malok" Mborje mos te te rreshtte pena mor djale.

Submitted by Longari (not verified) on

Sigurisht qe Ilir Mborja eshte nder gazetaret me gjakftohte qe trishtohet nga gjendja ku e katandisen vendin kjo kaste e deshtuar politikanesh, ndaj si shqiptar i mire e si nip i atij burri qe beri histori, ngre zerin. Le ta degjoje kush ka veshe se thirrja behet per ta ndryshuar Shqiperine e jo per ta lene ne kete vegjetim vdekjeprures. Kjo thirrje u behet gjithe te rinjve dhe gjithe shquiptareve qe e ndjejne nevojen e ndryshimit. Urime Ilir dhe jepi kalemit se te tille zera mbeten te respektuar per te gjithe.

Submitted by plaka gjuheshpata (not verified) on

I dashur Ilir. Jam ngazellyer nga komemtet e mesiperme per ty si gazetar ,por shume me teper per sojin e Mborjeve ,qe e perfaqeson denjesisht.Ti nuk je i vetmi,ajo dere ka nxjerre burra trima dhe burra te mencur, luftetare e patriote por edhe shkencetare e doktore.Dhe vazhdojne traditen e Mborjeve edhe pinjollet e rinj,brenda e jashte Shqiperise.Por ata kane qene modeste deri ne veneracion.Prandaj ti leme lavdet ,se ata nuk do ndjeheshin mire atje ku jane.Ti Ilir je shembelltyra e tyre e gjalle.Jam krenare per ty dhe te uroj te jesh shume aktiv ne profesionin qe te pelqen aq shume,ne te mire te shoqerise shqiptare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.