Dështimi tragjik i botës arabe

Postuar në 04 Janar, 2016 03:59
Shimon Shamir

Shekulli i 21-të po karakterizohet nga tragjedi që po godasin botën arabe. Forca të tilla si ato tribale, etnike, rajonale, fetare e të tjera, po luftojën me njëra-tjetrën për pushtet, ndërkohë që shtete arabe duket se po shpërbëhen apo edhe shkatërrohen. Ndarja historike mes sunitëve dhe shiitëve është më e thellë se kurrë dhe xhihadistët po fitojnë terren në hapësirën arabe. Prezenca e tyre shtron pyetjen për implikimin që do të kenë në shtete arabe të epokës moderne.

Qëkurse bota Perëndimore u imponua në sferën arabo-islamike, më shumë se 200 vjet më parë, arabët janë përndjekur nga pyetja se përse ata, përçuesit dhe mbajtësit e një  trashëgimie kulturore kaq madhështore, tashmë e gjejnë veten në pozitë inferiore. Arabët janë përpjekur të kuptojnë sesi do të mund të konkuronin me kombe më të zhvilluar.

Me shpresën e përmbushjes së këtij qëllimi ata duhet të adresonin katër sfida:

Së pari, krijimi i shteteve sovrane me institucione kombëtare funksionale që varen nga bashkëpunimi i qytetarëve.

Së dyti, të zhvillonin kapacitetin e prodhimit teknologjik, që do të siguronte një pozicion konkurues në ekonominë botërore.

Së treti, të kontrollohej Islami në një mënyrë që do të rrënjoste vlera të tilla për ta sjellë shoqërinë në unitet, por duke neutralizuar gjithashtu elementët e dhunshëm që kërkonin të restauronin të shkuarën.

Së katërti, të shkundnin ndikimin neokolonialist dhe përfshirjen e superfuqive për të vepruar në mënyrë të pavarur në arenën ndërkombëtare.

Këto objektiva morën peshë kur shtetet arabe fituan pavarësinë, diku nga mesi i shekullit të 20-të – apo të paktën ata nisën të përballen me këto sfida në këtë kohë. Në disa prej shteteve arabe regjimet revolucionare Naseriste – Ba’athiste erdhën në pushtet dhe ishin ata që e morën përsipër këtë detyrë. Ata themeluan institucione kombëtare,  krijuan sisteme arsimore për të indoktrinuar popullsinë dhe për të rritur afërsinë e tyre me shtetin. Ata nacionalizuan prodhimin, ndërtuan impiante industriale dhe dërguan njerëz në universitete me shpresën e përparimit shkencor të vendit të tyre si dhe të kapaciteteve teknologjike. Ata e quajtën këtë periudhë “Socializmi Arab”.

Islami ishte kultivuar si një simbol por regjimet vetë ishin shekullare dhe e mbajtën lëvizjen islamike nën kontroll. Ata larguan bazat e huaja ushtarake dhe nxorën jashtë loje strategjitë e huaja ushtarake si p.sh Pakti i Baghdadit i vitit 1955, që sanksioni krijimin e METO- një organizatë sipas modelit NATO që përfshinte Britaninë e Madhe dhe shtetet e Lindjes së Mesme, por që u shpërnda në vitin 1979. Shtetet e reja arabe menduan ta përcaktonin veten kolektivisht si një fuqi botërore dhe u rreshtuan me bllokun afrikano-aziatik: ata e quajtën këtë si një lloj “neutraliteti pozitiv”.

Defiçiti në dije

Realiteti arab sot është shumë i ndryshëm. Gabimi vezullues i liderëve ishte se ata besonin se “shoqëritë në këtë rajon mund të jenë të dobëta, por shtetet janë të forta”. Ndodhi që sistemet e intimidimit dhe imponimit nuk reflektojnë forcë, por dobësi. Kur revoltat nisën dhe kur fraksionet jo shtetërore u bënë më të fuqishme dhe nisën të predikojnë një realitet të ri, disa prej shteteve ranë, ndërkohë që të të tjerë po luftojnë për të ruajtur stabilitetin.

Nga perspektiva e sotme nuk është e vështirë ta shpjegosh këtë dukuri. Duket se shtetet arabe, në përmasa të ndryshme, ishin të vërtetë entitete të brishta; struktura e tyre konceptuale ishte e dobët. Ato u krijuan gjatë epokës moderne dhe nuk kishin traditë pasi këto entitete nuk ekzistonin përpara establishmentit që i drejtonte. Fjalori klasik arab nuk e përfshin fjalën “shtet” apo “komb”. Në vend të tyre fjala që ka kuptimin “dinasti” apo familja sunduese, adoptohej për këtë qëllim. Koncepti i kombit u bë sinonim i i idesë së një dinastie që ngrihet dhe bie. Kështu, pjesë të tëra popullsish bënë të vetën idensë se kur regjimi bie, shteti nuk ekziston më.

Në Perëndim, mendimi priret të jetë ai që rrëzimi i një regjimi autoritar mund të çojë në vendosjen e një demokracie. Gjithsesi, përvoja të hidhura dëshmojnë se rrëzimi i sundimtarëve çon të gjithë sistemin në kolaps dhe mandej kaosi mbetet si alternativë. Ky është gjithashtu shkaku bazë i dështimit të rinisë që udhëhoqi Pranverën Arabe. Rezultoi se ndërsa është e mundshme që të rrëzosh një diktator, themelet për vendosjen dhe ruajtjen e demokracisë pas këtij momenti , mungonin. Si konceptualisht ashtu edhe institucionalisht.

Nuk mund t’i shpëtosh përfundimit se në fazën aktuale, shumica e shteteve arabe mundet të funksionojnë duke ruajtur një nivel stabiliteti, nën regjime autoritare apo monarkitë tradicionale. Sfida e krijimit të kombeve të ngjashme me ato në Perëndimin modern, mbetet ende për t’u përmbushur.

Dështime të ngjashme kanë ndodhur në frontin ekonomik po ashtu. Është e vërtetë se pati zhvillim ekonomik në disa kombe arabe që çoi në mirëqenie, e në disa prej tyre edhe në pasurim të madh(Katari p.sh është vendi më i pasur në botë në termat e PBB-së për frymë, kurse Kuvajti i katërti).

Shtetet arabe kanë nevojë për monedhë të huaj për të importuar ushqimet bazë, ata nuk arkëtojnë mjaftueshëm nga shitja e burimeve natryrore, turizmit, puna e njerëzve jashtë dhe për Egjiptin, nga Kanali i Suezit. Prodhimet arabe mezi prezantohen në tregun botëror. Krahasoni Egjiptin me Korenë e Jugut, vende ku kushtet ekonomike ishin të ngjashme në momentin kur ato fituan pavarësinë. Korea e Jugut aktualisht eksporton çdo gjë, që nga pajisjet elektronike të teknologjisë së lartë deri te veturat apo anijet: si rezultat ekonomia e saj është pesë herë më e madhe sesa ajo e Egjiptit.

Rritja e mahnitshme e ekonomisë boëtrore bazohet fillimisht në dije dhe vendet që nuk konkurojnë me shkallën e zhvillimit mbeten mbrapa. Në shumë vende arabe, niveli i njohurive shkencore dhe teknologjike nuk përmbush nivelet e kërkuara për të realizuar prodhime të avancuara dhe inovative. Një raport i OKB-së i vitit 2002, “Zhvillimi njerëzor në vendet arabe” e quan këtë “defiçiti i dijes” dhe përcakton se ky është një nga tre faktorët që ka vështirësuar zhvillimin në kombet arabe. Dija në botën arabe nuk është në atë nivel që duhet, pasi shkollat dhe universitetet e tyre i kushtojnë shumë rëndësi memorizimit dhe mësimit mekanik.

Defiçiti në dije e ka burimin nga fakti se hapja ndaj botës është e ulët mes shteteve arabe. P.sh, numri i librave të përkthyer në botën arabe është dukshëm i ulët: Raporti i vitit 2003 i OKB-së, “Ndërtimi i një shoqërie të dijes”, konstaton se si mesatare, vetëm 4.4 libra të përkthyer/për një milion banorë u publikuan në shtete arabe mes viteve 1981-1985, ndërkohë që  shkalla korresponduese në Hungari ishte 519 libra, kurse në Spanjë 920.

Edhe kur shtete arabe hapen ndaj botës dhe importojnë teknologji, përfitimet janë të kufizuara. Teknologjia vjetërohet shumë shpejt, ndaj ata që nuk janë pjesë e procesit të prodhimit të tyre nuk mund të zhvillojnë alternativa. Kreativiteti dhe shpikjet janë kaq kritike në ditët tona, por ato mungojnë në botën arabe. Dhe pavarësisht imazhit të tyre ekstremisht modern, edhe shtetet e Gjirit importojnë teknologji nga gjithë bota, ndërkohë që vendasit nuk kanë asnjë aksion në prodhim.

Sipas të njëjtit raport të OKB-së të vitit 2003, të gjitha shtetet arabe të marra së bashku, regjistruan vetëm 370 patenta në SHBA mes viteve 1980-2000, kur Izraeli regjistroi më shumë se 7000 dhe Korea e Jugut 16 000. Numri i kërkuesve/për milion njerëz në botën arabe shkon në 300, kur mesatarja botërore është 900. Rezultat i të gjithë kësaj është fakti se shkalla e papunësisë mes të rinjve  në botën arabe është mes më të lartave në planet – mes 30-50%.

Dështimi në përballjen e Islamit radikal

Edhe goditja ndaj Islamit në vendet arabe nuk funksioni siç pritej. Fraksionet islamike nuk u eliminuan, pavarësisht përpjekjeve të shumta. Gamal Abdel Nasser çoi në burg me mijëra anëtarë të Vëllazërisë Myslimane, njësoj siç bënë edhe vendet e tjera. E megjithatë duke krahasuar demografinë e islamikëve në fund të shekullit të 20-të dhe sot, dëshmohet një shkallë mahnitëse rritjeje: në vitin 2000, grupet islamike ishin shumë të vogla, fraksione ilegale me kapacitete të kufizuara; nga viti 2015, ata janë kthyer në forca të mëdha me kapacitete ushtarake dhe amratim të fjalës së fundit dhe u imponuan fuqishëm në territoret arabe. Ata sfidojnë jo vetëm qeveritë lokale, por edhe ato regjime të huaja që mbështesin këto qeveri.  Në 15 vitete fundit janë kryer një seri mega-sulmesh terroriste nëpër botë – nisur që nga ato të 11 shtatorit në vitin 2001 në SHBA e deri te masakra e fundit në Paris. Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, ka patur një rritje tërësore në numrin e viktimave të shkaktuara nga terrorizmi islamik në vende të ndryshme – në disa raste edhe me dhjetësfishin e numrit të para disa viteve.

Është e mundur se dështimi në menaxhimin e Islamit radikal buron po ashtu nga fakti se përpjekjet e bëra ishin po ashtu brutale. Jo pak vëmendje iu kushtua faktit se Islamizmi(i njohur edhe si Islami Politik) nuk është vetëm terrorizëm, por se ai përfaqëson më së pari dhe kryesisht një ide – një ide që është shumë tërheqëse për myslimanët, sidomos gjatë periudhave të konflikteve rajonale. Shumë kombe kanë dështuar sepse ata nuk e panë të nevojshme shtrimin e një ideje alternative pavarësisht faktit se një ide e tillë ekzistonte.

Gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20-të, rrymat liberale, humaniste dhe racionale u shfaqën brenda Islamit – rryma që e shihnin të ndarë fenë nga shteti e të cilat themeluan shprehjet e veta intelektuale. Fatkeqësisht, shumica e regjimeve shtetërore në vendet arabe i refuzuan ide të këtilla, duke zgjedhur të përqafojnë një kombinim që ishte në fakt më e keqja e të gjitha opsioneve. Kombet arabe nuk mundën të gjenin një lider kurajoz, të aftë që të nxiste trasnformimin e domosdoshëm për dominimiin e Islamizmit brutal dhe për krijimin e një rendi të ri të përshtatshëm me kohën.

Gjithashtu, aspiratat e brezit të parë për arritjen e pavarësisë nuk u përmbushën dhe ata ishin të paaftë që të parandalonin një situatë në të cilën fundi i kolonializmit do të krijonte një vakuum dhe hapësirë për ndikimin e huaj. Shenja e parë e këtij dështimi ishte e dukshme që në ditët e Nasserit: Ai u bë heroi i botës arabe kur përzuri 10 000 trupat britanike nga bazat e tyre në Egjipt, por që shumë shpejt solli në to 20 mijë “këshilltarë ushtarakë” sovjetikë(të cilët më vonë i përzuri Sadati më 1972).

Pika e vërtetë e kthesës ishte Lufta e Gjirit e vitit 1991, kur ushtritë arabe luftuan si pjesë e një koalicioni të komanduar dhe drejtuar kryesisht nga amerikanët, kundër një lideri arab, i cili ishte “Mburoja arabe” kundër Iranit.  Dhe kështu vazhdoi: forcat e NATO-s u angazhuan kundër Muammar Gadhafi në Libi; iranianët po bëjnë inkursione në Siri dhe në Irak, si edhe turqit; rusët po ndërhyjnë në lufyën civile siriane në krahun e presidentit Bashar al-Assad; Franca po u kërkon partnerëve në Bashkimin Europian që ta ndihmojnë në luftën kundër Shtetit Islamik dhe SHBA, që dukej se ishin tërhequr nga skena, është tërhequr sërish edhe në Irak, por edhe në Siri.

Në shtetet arabe, luftërat rajonale janë të ashpra dhe numri i viktimave gjatë dekadave të fundit ka arritur miliona. Valë të mëdha refugjatësh po braktisin vendet e tyre, për të ikur nga vdekja dhe shkatërrimi. Shumica e tyre shprehin dëshpërim të plotë për jetën në vendin e tyre.

Në një artikull të trishtuar që trajtonte gjendjen e botës arabe, publikuar në “The Economist” (“The Tragedy of Arabs”, datë 5 korrik 2014), autori shpreh mërzinë për faktin se “një qytetërim që dikur udhëhiqte botën është tashmë në gërmadha” dhe deklaronte se arabët ndodhen në “një gjendje fatkeqe”. Këto sjellin në mend shkrimtarin egjiptian Naguib Mahfouz, që ishte një nga të parët që shprehu mbështetje për pajtim me Izraelin. Ai tha se paqja ishte e justifikuar nga “nevoja e rindërtimit të qytetërimit”.

Mahfouz e dinte për çfarë po fliste. Nuk ka dyshim se zhvillimet në rajon ndikojnë Izraelin. Është gabim të gëzohesh me fatkeqësinë e fqinjëve tanë dhe të lavdërojmë veten pse jemi “një vilë në xhungël”, siç tha njëherë ish-kryeministri Ehud Barak. Kufijtë tanë nuk janë imunë nga kërcënimi i dhunës që ka shpërthyer rreth nesh dhe ne mund të përfshihemi në situatën e fqinjëve tanë.

***

Shënim: Shkrimi i mësipërm është shkruar nga Shimon Shamir, profesor emeritus i Historisë së Lindjes së Mesme dhe ish-ambasador i Izraelit në Egjipt dhe Jordani. Për shkak se ngërthen një historik të përmbledhur mirë të historisë politike arabe, kaq e nevojshme për t’u njohur sot, si dhe për disa ngjashmëri që ajo ka me historinë politike të shqiptarëve, menduam ta përcjellim të plotë.

Artikulli origjinal: http://www.haaretz.com/middle-east-news/.premium-1.694938

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.