Ditarët e Aljes

Postuar në 27 Dhjetor, 2015 12:48

Ajo e përfytyroi jetën fillimisht përmes ditarëve. Aty në shtëpitë e thjeshta, vajza brune ëndërronte botën përmes shkrimit, për ta zbuluar më pas në një rrugëtim të ngjashëm me librat që shkroi. Alja Rahmanova (Galina Nikollajevna Xhugalina emri i lindjes) është shkrimtare e njohur zvicerane me origjinë ruse. Lindi më 27 korrik 1898, në familjen e një mjeku, në provincën Permsk të Perandorisë Ruse. “Unë kam qenë me fat të madh që kam kaluar fëmijërinë dhe rininë time në vargmalet me shkrepa të Uraleve dhe në liqenet magjike të tij, që nuk kanë të dytë në botë, të cilët, në mënyrë të veçantë çelën para meje forcat misterioze të natyrës dhe të jetës njerëzore…” – kështu ka shkruar Alja Rahmanova në parathënien e përmbledhjes së tregimeve të saj “Sekretet e Tatarëve dhe të Idhujve”. Alja Rahmanova, nisi të shkruante që në moshën katërmbëdhjetë vjeç. Pas mbarimit të gjimnazit të femrave, në vitin 1916, hyri në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Permskit, ku studioi psikologji dhe letërsi, por për shkak të luftës civile, programin e formimit të lartë e përfundoi në Irkursk. Revolucioni e detyroi familjen e saj, pasi u shtetëzoi pronat e tyre, të shkonin në Siberi. Aty u njoh me një ish-rob të luftës, austriakun Arnulf Von Goyer, i cili nuk i kish përfunduar studimet e filluara në mjekësi. Ai u dashurua me të dhe pranoi të qëndronte aty për të ndjekur studimet, prandaj në vitin 1921 u martua me Aljan dhe në vitin 1922 familja e re u vendos në Perms. Kjo do të ishte dashuria e madhe e Ajlës, e njëjtë me shkrimin, pasi do të hiqte dorë nga shkrimi kur ai u largua nga jeta. Po atë vit lindën të vetmin fëmijë të tyre, djalin Aleksandër. Kjo periudhë është pasqyruar nga shkrimtarja në librin e saj, trilogji: “Studimet, dashuria, Ceka* dhe vdekja”. Në vëllimin e parë të kësaj trilogjie, përshkruan ndryshimet e shpejta në Rusinë e pas Revolucionit të Tetorit duke trajtuar fatin e saj, fatin e Xhugalinas. Atë që ajo në fillim e përshkruan si një reflektim të gjendjes dhe ndjenjave vajzërore në moshën e pubertetit – atëherë kur ajo quhej thjesht Alja, e vë veten përballë proceseve të zhvillimeve historike, të transformimit të jetës në një ferr të vërtetë. Cari u rrëzua, bolshevizmi që erdhi në pushtet ushtroi dhunë, rrëmujat, shkatërrimet, ekzekutimet, bastisjet, arrestimet, grabitjet u shtuan sëmundjet dhe mbi të gjitha frika e njeriut ishte në rendin e ditës. “Nuk mund ta përfytyronim më ç’do të thotë të zhvishesh për të fjetur, me fjalë të tjera, një pëshpëritje më e vogël në çdo moment të mbante zgjuar, në çdo moment jetonim me frikën, në çdo moment kishte vetëm të shtëna armësh”, i kujtonte ajo ato vite. Në vëllimin e dytë, “Dasma në stuhinë e kuqe”, në vijim të volumit të parë, ajo pasqyron vitet e para të jetës pas martesës së saj, kur për disa vite i shoqëron jeta e vështirë deri në mjerim, uria dhe të ftohtët, frika dhe ndjekjet nga Shërbimi Sekret Bolshevik “Çeka”. Por martesa e saj ndërkohë për të është një ishull i vogël i lumturisë në mes të kaosit pas revolucionit, konfuzionit dhe frikës së kohës, që ajo e përshkruan si një pushtim të përgjakshëm, ku ajo ishte e persekutuar dhe e dënuar, kur i ishin rrëmbyer pronat e jetës dhe të kulturës. Shtëpinë e saj e kishin uzurpuar dhe më në fund, në vitin 1925, qeveria sovjetike i zbon nga Rusia familjarisht, me qenë se bashkëshorti i saj jo vetëm që ishte një i huaj, austriak, por i përkiste aristokracisë dhe klasës që ata e kishin përmbysur, kurse ajo aristokracisë së carizmit rus, pra si të pa dëshiruar për të qëndruar në Rusinë Sovjetike. Fillimisht u vendosën në Vjenë, por bashkëshortit të saj nuk iu njoh e drejta e ushtrimit të profesionit të mjekut, pasi se studimet i kish mbaruar në Rusi. Kështu ai u detyrua që nga viti 1925 deri në vitin 1927, të ndiqte studimet për të shlyer detyrimet plotësuese për diplomë nga Universiteti i Vjenës. Gjatë kësaj periudhe jetesa e tyre vazhdoi të ishte e vështirë. Kjo e detyroi Aljan që ajo të punonte si mjelëse dhe si shitëse bulmeti. Vështirësi për të ishte mosnjohja e gjuhës gjermane, megjithatë ajo arriti të mbajë familjen dhe t’i krijonte mundësi bashkëshortit të merrte diplomën në mjekësi. Gjatë kësaj periudhe, ajo njeh klientët e saj nga shtresa të ndryshme të popullsisë, zë miqësi me ta dhe ndërkohë shkruan në shënimet e saj ngjarjet nga jeta e atyre njerëzve, historitë që ata i tregojnë. Njëkohësisht ajo ndjek rritjen dhe edukimin e djalit të saj. Ndien largësinë nga atdheu i saj, nuk ka kontakt me prindërit as me letra sepse Rusia Sovjetike nuk i lejonte të vinin letrat e tyre. Por motoja e saj ishte puna për të ecur më tej pa u ndalur, lufta e përditshme për të mbijetuar. Pikërisht këto ajo do t’i shkruante në librin e saj titulluar “Mjelësja në Ottarkring”. Me qenë se bashkëshorti i saj nuk u sistemua dot në Vjenë edhe pas diplomimit aty, në vitin 1927 ata u vendosën në Strasburg. Tashmë, bashkëshorti i saj Arnulf von Goyer, kishte përkthyer trilogjinë e ditarit të Aljas në gjermanisht, i cili me të rënë në dorë e botuesit Otto Mueller, u botua prej tij dhe u shpërnda në një kohë të shkurtër. Më pas libri “Mjelësja e Ottarkringut” pas botimit u shit në 350. 000 kopje dhe ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Ajo filloi të njihej si shkrimtarja me emrin Alja Rahmanova. Gjendja ekonomike e familjes u përmirësua ndjeshëm dhe ajo u vendos në një vilë në Giselakai. Këtu familja kaloi vitet e saj të lumtur dhe tanimë ajo njihet kudo si shkrimtarja me emrin Alja Rahmanova. Njeri pas tjetrit pasuan të dalin në dritë librat: “Në hijen e oborrit të carit”, “Fabrika e njeriut të ri”, “Leon Tolstoi, tragjedia e martesës së tij”, “Parajsa apo Ferri” (Jeta e përditësime në B.R.S.S), “Vera Fedorovna”, etj. Kur në vitin 1945, djali i saj i vetëm u vra nga plumbat e bashkatdhetarëve të tij të Ushtrisë Sovjetike, gjatë betejës së fundit në Vjenë, madje edhe jeta e prindërve të tij ishte e kërcënuar nga Ushtria e Kuqe, ajo do të shkruante librin “Një nga të shumtët”, dedikuar kujtimit të djalit të vetëm të saj. Ajo vazhdoi të shkruante e të botonte për sa kohë jetoi bashkëshorti i saj, i cili bënte përkthimin në gjermanisht. Kur në vitin 1973 ai u nda nga jeta, ajo jetoi e vetme dhe nuk shkroi më. Alja Rahmanova konsiderohet si shkrimtarja më e famshme e periudhës së pas luftës. Veprat e saj janë përkthyer në 21 gjuhë të botës, por çuditërisht nuk ka asnjë botim në gjuhën e saj amtare, ndonëse sot ka filluar të njihet e të përmendet në Rusi, por në botë ajo vazhdon të njihet si shkrimtare zvicerane. Në vitin 1976, në Zyrih, ajo pa dritën e botimit të plotë të veprave të saj. Në fakt shtëpia e saj në Zvicër është prishur për shkak të ndërtimeve të shumta në atë zonë dhe në vendin ku ndodhej shtëpia e saj, sot gjendet vetëm një kolonë graniti modeste me portretin e saj në një pllakë bronzi si një memorial në kujtim të shkrimtares së madhe. Njëzet vjet pas vdekjes së bashkëshortit të saj, më 11 Shkurt të vitit 1993, në moshën 93-vjeçare ajo u nda nga jeta në Enttenhauzene.

Gazeta "Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.