Konsensusi, kostoja e notës “4” të Venecias

Postuar në 25 Dhjetor, 2015 01:50

Kundërshtimi që po i bëhet draftit të Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi, pas vërejtjeve esenciale që ka bërë Komisioni i Venecias, po prek cakun e marrëdhënies deri diku normale që dukej se sundonte palët gjatë procesit të diskutimit. Ka intepretime për vëretje, të cilat nuk mund të anashkalohen, pavarësisht se politika po mban zemrën me dorë nga frika e sfidës që lëshoi dje Fatmir Xhafaj. Por disa zhvillime të fundit hapin një rrugë të re që teksa provojnë vendosmërinë e faktorit ndërkombëtar për të miratuar draftin e tanishëm,  ato po krijojnë premisa të dyshimta për nga pikëpamja proceduriale. Gazeta “Dita” njofton se në lojë është vënë mekanizmi i referendumit, bashkë me një  propozim të EURALIU-s. Lajmin e ka konfirmuar – jo rastësisht – ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili ka bërë këtë koment për amendimin që sugjeron EURALIUS për kuorumin e referendumit. “Unë nuk e kuptoj se pse EURALIUS është marrë me këtë temë… Flitet vetëm për referendumin kushtetues dhe kjo është absolutisht një absurditet. Nëse e pranojmë këtë standard, atëherë nisur dhe nga kushtet e Shqipërisë, kjo i bie që mjafton të marrë pjesë anëtarësia e një partie. Pse? Votuesi i një partie të vetme e arrin atë numër votuesish, diku tek 600 mijë vota pro, dhe këtu me një parti të vetme mund të vendoset çfarë të doni në Kushtetutë. Mund të vendosë të vendoset diktatura e proletariatit, mund të vendosë që të ndërrohet forma e regjimit sepse këto janë të gjitha në Kushtetutë. Kjo është frikshmërisht e rrezikshme. Flas për kushtet e Shqipërisë. Nëse do ta diskutojmë shifrën 1/3, propozimi im është ky: Që vetëm për referendumin kushtetues, kriteri i pjesëmarrjes të jetë jo 1/4, por një e dyta plus 1! Sepse ajo frymë konsensuale që kërkohet në Kushtetutë për të miratuar draftin, duhet të rrezatohet edhe në popull “, tha Manjani(http://www.gazetadita.al/referendumi-i-pamundur-per-reformen-ne-drejtesi...).

Propozimi është që kuorumi 1/3 i zgjedhësve të regjistruar që bëjnë të vlefshëm referendumin të shkojë në ¼. Thënë ndryshe amendimet kushtetuese mund të miratohen edhe me shifrën qesharake dhe aspak përfaqësuese të Kushtetutës së vitit 1998 e cila u votua nga 50.27% të zgjedhësve që morën pjesë.

Nuk do ngatërruar vullneti i dy aktorëve të ekspozuar në këtë proces, ambasadorit amerikan Donald Lu dhe asaj të BE-së, Romana Vlahutin, me kleçkat proceduriale, të cilat janë provim rraskapitës për ekipin socialist të Edi Ramës. Dhe këtu ka dorë edhe ky ekip, ndonëse drafti po merret përsipër nga Lu. Le të kujtojmë se në zgjedhjet e vitit 2011, procedura ankimuese e socialistëve ishte gati komike, kundërshtimi i vendimit 709 për Tiranën, hartuar nga PD-ja pa referencë në Kod, por në frymën e Kushtetutës, ishte thuasje qesharak, për ta lënë PS-në në mbrojtje vetëm me argumente politike.

Ky moment ka rëndësinë e vet, pasi 37 vërejtjet e Komisionit të Venecias janë praktikisht një notë ngelëse për draftin e mazhorancës siç e quajti Fatmir Xhafa, por që duket se është formalisht vetëm i PS-së. Një propozim ka bërë ish-kryeministri Sali Berisha, sipas të cilit diskutimi për reformën duhet të ndjekë atë për ligjin e dekriminalizimit, një mesazh edhe me vlerë politike, nisur nga zhurma e madhe që po bëhet për “njerëz që do të shkojnë në burg”. Në burg po, patjetër, sa më shpejt, por jo pa ligjet e duhura. Dhe një reformë e vërtetë do të duhet të ishte emërues i përbashkët i një frike të përbashkët të politikës ekzistuese. Shohim se PS-ja nuk ka frikë nga “Pastrimi i Shqipërisë” edhe pse nga tatimet e te shëndetësia, nami i tenderave e korrupsionit ka dalë deri te Molla e Kuqe. Pa folur këtu për thagmën e Marrëveshjes me CEZ, të cilën nuk dihet pse Adriatik Llalla nuk e lëviz nga vendi.

Me draftin mazhoranca dhe sidomos PS-ja kishte një shans për të vënë në vijë shumë gjëra. Por gabimet teknike nuk mund të faleshin në një proces si ky. Po i quajmë teknike, pasi në disa raste Venecia deklaron se nuk “arrin të kuptojë edhe qëllimet e disa amendimeve”. 

Comments

Submitted by Ndoc DUDASI (not verified) on

Ambasadori LU, duhet te dije mire qe ketu tek ne, POLITIKANEVE tane, duhet vetem me SHKOP PAS QAFE, e jo me te FERKUAR QAFE . Le te gjeje zoti ambasador LU, ndonje shqiptar qe e zoteron gjuhen shqipe me themel, qe t'i spiegoje mire kuptimin e ketyre fjaleve. SHKOPI ka dale nga ZOTI. Ne vendin tone, njohin vetem gjuhen e SHKOPIT. Nuk njohin gjuhe tjeter. Zoti LU, nxirr shkopin nga syrtari, sa nuk eshte vone, sa nuk kane filluar te tallen me ju, sic ka filluar te beje ministri i drejtesise Manjani, Kryeprokurori Llalla, Kryetari Gjykares Larte, Zaganjori, etj, etj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.