Përralla e Rilindjes po funksionon

Postuar në 23 Dhjetor, 2015 20:05

Nga vizita e kryeministrit Edi Rama në Izrael vjen edhe njoftimi për takimin e tij me ish-presidentin e këtij vendi, të mirënjohurin Shimon Peres. Dhe Peres siç raportohet paska thënë:  “E di që Shqipëria sot është një vend tërësisht i ndryshëm, shumë i ndryshëm falë jush, në fillim si Kryebashkiaku më i dashur që Shqipëria ka pasur ndonjëherë dhe tani si Kryeministri më i dashur që ka Shqipëria. Shqipëria është një vend i vogël ashtu sikurse ne. Vogëlsia dhe madhështia në ditët e sotme nuk maten nga madhësia territoriale apo numri i popullsisë, por maten vetëm nga vlerat dhe cilësia e edukimit që një vend mbart. Me sa di unë ju keni ende probleme, por çfarë bëtë në një kohë të shkurtër është fantastike, ndaj dua t’ju përgëzoj që jeni duke rilindur Shqipërinë që të ketë bukurinë e tokës së saj, mirësinë e njerëzve të saj dhe për përpjekjet për t’u bërë një vend që nuk bazohet vetëm në bukurinë e tokës tuaj, por edhe në shkencë dhe teknologji. Me aq sa mundemi, do të jemi më shumë se të lumtur që t’ju ndihmojmë sepse vendet e vogla mund të bëhen të mëdhenj, jo nëpërmjet ushtrive, por nëpërmjet edukimit. Për mua ky nuk është vetëm një takim diplomatik, por edhe një event shumë emocionues”( http://tvklan.al/peres-rames-ju-po-rilindni-shqiperine/).

Politika kërkon shumë nerva dhe koncesione reciproke, pasi udhëhiqet nga interesat. Përveçse jo rrallë ndodh që përkufizimet me prirje hiperbolizuese përputhin mosnjohjen e mirë me mesazhet që duhen përcjellë. Vlerësimi për Shqipërinë dhe gjendjen e saj edhe brenda këtij harku kohor prej 2 vitesh e gjysmë mund të matet me një metër efektiv: gjykimin e BE-së, sa kohë që aderimi në këtë union është prioritet strategjik i shpallur nga të gjitha qeveritë. Dhe kjo matje rezulton jo e mirë. E afërt me atë notë që merrte Shqipëria qysh nga viti 2009 e mbas. Sa vend ka të flitet për Rilindje në një vend ku për më pak se një vit kanë ikur 100 mijë vetë dhe korrupsioni është bërë simboli më identifikues në plan kontinental?

Po të hyjmë më thellë dhe të zbresim në realitet, ai flet më mirë se të gjitha përcaktimet dhe raportet. Por narrativa politike, sidomos ajo e pushtetit, e riprodhon ekzistencën e vet, prezencën njësoj si ato videot virale në rrjetet sociale. Fundja Shqipëria ka vlerë sa ato pesë rreshta që janë hedhur në Wikipedia. Dhe nëse aty shkruhet se Shqipëria po rilind, ashtu edhe do marrë.

Fatos Lubonja shkruante sot se Edi Rama po vepron si Berisha në vitet e para pas rënies së komunizmit: gënjen për antikomunizmin dhe në ndryshim nga ai, ecën përpara me ekzibicionizmin e shfaqjeve të veta prej gati-artisti. Dhe përralla po funksionon, aq sa Edi Rama në ndonjë shkrim të ndonjë gazete të huaj po shfaqet si heroi pozitiv – katolik -  i një vendi të prapambetur mysliman.  

Natyrisht fjalët e Shimon Peres duhen përshëndetur, sepse janë fjalë të mira edhe për shqiptarët. Janë fjalë që vijnë nga një njeri që ka përballuar jo pak në jetën e vet. Dhe duhen dëgjuar me respekt dhe vëmedje. Ndonëse mund të përcillen me një gjuhë të ngjashme me atë të realizmit socialist e ndonjëherë janë tekste të servirura nga stafet përkatëse dhe ku mëtuesi thjesht i intepreton. Në thelb vlerësimet e Perez për Edi Ramën janë pa përmbajtje dhe të padobishme për publikun. Janë spekuluese deri në njëfarë pike, pasi duhet një indeks konkret dhe i besueshëm për të vërtetuar se Edi Rama është kryeministri më i dashur për shqiptarët apo konstatime se ai po rilind Shqipërinë.

Ndaj për Rilindjen, si tezë e rrahur në tryeza bisedimesh jashtë, me siguri na hyn në punë kortezia, që e kemi kaq shumë të nevojshme me këtë kryeministër, po aq sa me atë që iku. Kortezi për të edukuar buzëqeshjen që mbulon atë realitet  të cilin e heq secili në kurriz. Një realitet dramatik, ku komiken e luan kryeministri që shëtit me karta suksesi në xhep;  një sukses që e imagjinon vetë dhe e shtron për votim si like në Facebook. 

s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.