FMN e padëshiruar në Greqi, Tsipras kërkon largimin

Postuar në 22 Dhjetor, 2015 09:55

Qeveria greke ka plotësuar kërkesat e kreditorëve që përbënin kushtin për disbursimin e një transhi me vlerë 1 miliard euro të kredisë që i është akorduar vendit në kuadër të planit të tretë të shpëtimit.
Por kryeministri Tsipras ka hapur një front të ri përplasjeje, duke kërkuar largimin e FMN nga programi.Lajmi për plotësimin e kërkesave u konfirmua nga zëdhënësja e Komisionit Europian, Mina Andreeva. Sipas saj, autoritetet greke kanë avancuar në zbatimin e të gjitha aksioneve, me qëllim që të kompletohet seti i dytë i masave të kërkuara. “Nëse vlerësimi i institucioneve do të jetë pozitiv, atëherë mekanizmi i stabilitetit do të mblidhet para krishtlindjeve, me qëllim që të marrë vendimin për disbursimin e një miliardit që ka mbetur nga kësti i radhës”, shtoi zëdhënësja e Komisionit Europian.
Mirëpo, ndërsa plotësimi i kërkesave të kreditorëve vlerësohet si një hap pozitiv, Athina mund të krijojë probleme të reja me kreditorët, për shkak të insistimit të qeverisë greke, që Fondi Monetar ndërkombëtar të mos jetë më pjesë e programit të shpëtimit.
Në një intervistë në gazetën Financial Times, kryeministri Tsipras ka deklaruar se FMN duhet të mbetet jashtë programit të tretë të shpëtimit. Duhet lënë eurozona që të ketë gjithë përgjegjësinë e mbikqyrjes së reformave në Greqi, theksoi Tsipras.
“Më shqetëson trajtimi jo produktiv nga FMN i çështjeve ekonomike dhe financiare”, deklaron Tsipras në intervistë. “besojmë se pas gjashtë vjetësh të menaxhimit të këaj krize tepër të veçantë, Europa e disponon sot kapacitetin institucional për të trajtuar me sukses prpoblemet europiane”, shtoin kryeministri grek.
Sipas analistëve, insistimi i kryeministrit grek për largimin e FMN, pasqyron nervozizmin që shkaktojnë në Athinë qëndrimet e ashpra të Fondit gjatë negociatave që pritet të bëhen edhe më të vështira muajt e ardhshëm.
Tsipras e kishte prekur edhe javën e kaluar temën e largimit të FMN nga programi. Por deklarata e tij kishte shkaktuar reagimin e ashpër të Berlinit dhe të vetë ministrit gjerman të financave, Volfgang Schauble. Ky i fundit komentoi se nuk është në interes të Athinës të kërkojë përjashtimin e FMN, duke lënë të kuptohet se pa pjesëmarrjen e Fondit Monetar në progeamin e shpëtimit, sa Gjermania, por edhe vendet e tjera anëtare të eurozonës nuk do të mund të vazhdonin financimin e Greqisë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.