Dixhitalizohet revista letrare “Leka"

Postuar në 21 Dhjetor, 2015 13:25

Vetëm pak kohë më parë, Biblioteka Kombëtare dixhitalizoi koleksionin e plotë të revistës “Leka”. Revista “Leka” u bashkohet titujve të tjerë të dixhituar më herët nga Biblioteka Kombëtare, si “Albania”, (1896 – 1913); “Dituria” (1909 – 1929) dhe “Hylli i Dritës” (1921 – 1944), si pjesë e fondit e-Albanica, që përfaqëson Bibliotekën Dixhitale Albanologjike të BKSH-së. Në e-Albanica janë përfshirë vepra të rralla të Bibliotekës Kombëtare, dorëshkrime, harta dhe periodikë të shekujve XV-XIX në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera. Revista e përmuajshme “Leka” është një pjesë e rëndësishme e historisë së periodikut shqiptar. Botim i klerit katolik shqiptar dhe organ i shoqatës LEKA, kjo revistë u themelua më 9 dhjetor 1928 nga ish-nxënësit e Shkollës së Jezuitëve në Shkodër (Kolegji Saverian). Ajo u ideua si një revistë mujore kulturore, politike, filozofike, shoqërore, historike, letrare, pedagogjike e folklorike. Numri i parë doli në qarkullim, si një numër i veçantë, në muajin prill të vitit 1929. Në vitin 1941, botimi i saj u ndërpre përkohësisht, ndërsa në vitin 1942 doli një botim i veçantë me materiale arkivore e publicistike, në vijim të numrave përkujtimorë me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. “Leka” do të vijonte të botohej deri në vitin 1944. /Shqip/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.