Diktatura e proletargjisë

Postuar në 20 Dhjetor, 2015 15:27
Elis Buba

Nuk kam dëshirë të fokusohem shumë tek trajektorja nga lartë-poshtë e problemeve, se sa tek trajektorja nga poshtë-lartë dhe nga majtas-djathtas dhe anasjelltas. Nuk janë të largëta shqetësimet në një vend ku, nga më i rëndësishmi i personaliteteve tek më patetiku i fukarenjve, preferojnë që kohën produktive, atë kohë që u përket atyre, përpos ngarkesave të rutinës së gjithsecilit, ta shpenzojnë vetëm duke u gostitur. Ky është argëtimi dhe qëllimi i padiskutueshëm i qënies: Ngop barkun!
Po tjetër?! A nuk mundet dhe duhet të definojmë më shumë individualitetin dhe të distancohemi nga stomaku ynë, nga hamësia jonë, nga kopeizimi të majtë të djathtë, të kuq, blu, mavi, të gjelbër… Kjo edhe për faktin se ka aq shumë gjëra që mund të realizohen me kohën e lirë saqë dy jetë të tëra të kihen në dispozicion prap koha nuk premton.
Të gjithë këta njerëz dhe familjet e tyre para tyre, të gjithë ne, kemi qenë pjesë e akropolit të sehirxhinjve. Bëhej sehir një jetë e tërë, që ngadalë vetvërvitej në mbeturina. Pjesë e asaj që gëlqerja e bardhë e gënjeshtarëve nuk e mbulon dot e që quhej Diktatura e Ploretariatit. Çfarë u mësoi njerëzve kjo e fundit? U mësoi se si të farkëtojnë thika pambuku, mëndafshi e gjithfarësoj materialesh të buta e të lehta, por me efektshmërinë prerëse të thikave të zakonshme vrastare. Edhe ndjenjën më të bukur, dashurinë, u mësoi ta përjetojnë si shpronësim i tjetrit nga vetja.
Dinakëria është në thelb të mbijetesës. Këtë u mësoi, instiktin shtazor. Të lundrosh mbi kufoma të porsambyturish për një grahmë ajër më shumë, shndërrohet nga nevojë në teknikë. Vitet kalojnë dhe brumi dinak i karakterit, bëhet virtyt i qënësishëm i të gjitha sistemeve ku gjallojmë. Tani, me përvojën e duhur në manipulimin e sistemeve, duke përfituar pa derdhur djersë, mundet fare mirë të proklamojnë zyrtarizimin e Diktaturës së Proletargjisë.
Është një sindromë kombëtare që edhe ju e mua mund të na ketë prekur.

Si u vetvra Shqipëria?
Lejoi si vlerë të epërme mbi ç’do vlerë tjetër paranë. E kështu u shit trualli, qielli, blerimi, ajri, cilësia, nderi, burrëria, graria, kultura. Gjithçka përfaqësuese dhe jetësore, që ndihmon në përcaktimin dhe ndasinë e njeriut nga shtaza.
Problemi i Shqipërisë nuk është tek Shqipëria si njësi fiziko-gjeografike e vështirë, e papërpunueshme e parekuperueshme etj. Nuk është konkretisht tek asnjë konotacion jo human. Është vetëm tek veset çekuilibruese dhe çedukuese, që i përqasen më së shumti cilësive të karakterit të shqipëtarëve. Nga shembulli i dhënë nga njerëzit me pushtet dhe influencë, gjatë këtij çerek shekulli, bashkatdhetarët e mi kanë përvetsuar vesin e vjedhjes, rrënimit dhe shtatërrimit të pronës së përbashkët publike. Ky që përjetojmë është fundi i ajsbergut të Diktaturës së Proletargjisë. Tashmë e kemi të gjithën para syve. Gjatë 25 viteve të shkuara kemi kaluar nga maja në bazën e akullit lundrues. Askush nuk ka më frikë nga të përgjumurit, ndaj gjithçka është ashiqare sot.
Me keqardhje po pohoj, se jeta sociale ka vërtetuar, që për ne shqipëtarët asgjë jashtë gardhit të shtëpisë nuk ka asnjë vlerë, ose ka vlerë minimale. Për më tepër, duke qenë se e konceptojmë jo si përgjegjësinë tonë. Fakt për këtë janë ato apartamente të shkëlqyera e të mirmbajtura në detaj, brenda një godine të përbindshme, gjithë cepa, ballkonë, shtesa, kangjëlla, tenda etj. Brenda një lagje ku është siklet të mendosh se jetohet.
Mania e zvetnimit të së mirës së përbashkët i ka dhënë mundësinë personave të ndryshëm të specializohen në rryshfetdhënie, fajde, falsifikime, “kafe” e plot paskrupulltive të tjera, simbole të Diktaturës së Proletargjisë. Duke shkallmuar pakthyeshmërisht të mira të përbashkëta si Drejtësia, Shëndetësia, Arsimi, Rendi. E gjithë kjo në fuksion të shtimit të të ardhurave. Por sa vlerë kanë këto të ardhura, kur në nuk mund t’i shpenzojmë. Duke qenë se ai tregtari, me të njëjtën mendësi tonën, e furnizon supermarketin me ushqime super të lira dhe skandalozisht jo cilësore. Kur një tjetër tregëtar, po me qëllimin që të shtojë të ardhurat e tij, pa shumë kosto, nxjerr për të tregëtuar, disa veshje llahtarisht të dobëta dhe pa cilësi. Kur një tjetër tregëtar, por me funksion administrativ në institucionet vendore, me qëllimin e shtimit të të ardhurave të tij, gozhdon ç’do hapësirë boshe me godina që askush s’i do, pasi të zënë frymën. Duke lejuar hapsirë, vetëm për rrugën ku kalojnë automjetet. Në këtë rast, me anë të rrugës, banorëve u është dhënë vetëm mundësia të vijnë e të ikin. Për të ndejtur diku pranë banesës as nuk mund të bëhet fjalë.

Kë sakaton më së shumti Diktatura e Proletargjisë
Kjo diktaturë shënjestron dhe godet më së shumti masën punonjëse. Argumentimi i mëposhtëm mund të shërbejë si shembull.
Pseudopronarët shqiptarë shpesh janë në dieni e shpesh jo, të falimentimit të tyre de facto, por gjithsesi vazhdojnë të mbajne punonjësit në punë pa i paguar. Deliri i madhështisë pengon, duke imponuar veten tek këta individë “të mësuar me shumë”. Aty ku gjendet terren pse jo! Dhe vendi ynë është terren i përsosur për biznese paçavure.
Shqetësimi i kësi skllavopronarësh të vetshpallur nuk është përgjegjësia e tyre karshi jetës së nënpunësit. Vetë këta çuditen pse puntoria ka kaq pak sensibilitet ndaj çështjes së pronarit. Gjithsesi dilema e vërtetë, qëndron në pikën, a duhet ta mbyllin biznesin apo të vazhdojnë të marrin borxhe për të paguar borxhet.

Pyes veten kush mund tua ketë frymëzuar këtë zgjidhje?!
Po diskutoj për persona, emri i të cilëve është institucion. Këta janë kolona të ekonomisë së vendit dhe janë të zhytur kokë e këmbë në qarkullim bosh parashë. Kesisoji proklamohen biznesmenë më kotë, kur as vetë nuk e dinë a jane “plus apo minus”. Të vetmit raste kur u hapen konkretisht lakrat, janë kur nuk kanë mundësi tu shlyejnë pagat punonjësve. Të këtillë burra e gra biznesi, jane nga ata që kanë siguruar tre breza pas vetes, me biznese pjesërisht ose plotësisht abuzive, të cilat rezultrojnë në mënyrë konstante me humbje. Mbi shpinën e kujt? Mbi shpinën e punonjësve të tyre që mbajnë familjen me bukë dhe mbi shpinën e ekonomisë së vendit.
Dhe këta punonjës duhet të mendojnë për sipërmarresit e ndërmarrjeve të tyre?!
Është i qartë absurditeti. Punonjësi nuk mundet thjesht të ikë. Nëse këtë ikje deri diku ja aprovon punëdhënësi. Ka një Kod Pune që e mbron atë. Por duke qenë se shtresat punonjëse në këtë vend, në masë dërrmuese, nuk jane te perfaqesuara, nuk janë as të kontratuara madje, këta njerëz pa shtyllë kurrizore, bëjnë përshesh pas përsheshi, në një shesh i cili ngjan kasten’ për përsheshe.

Mendja e ikur!
Ja edhe përse gjithsekush mund ta konstatojë personalisht se jetojmë në një vend ku pjesa më e madhe e njerëzve, që ende i mbijetojnë qesharakërisë, jane me mendje të ikur ose nën prespektivën alternative, mendërisht të ikur. Ku mund të vërtetojmë me sytë tanë këtë fakt? Duke filluar nga emrat e fëmijëve të vegjël, deri tek emërtimet e sipërmarrjeve të ndryshme. Vetidentifikimi me elemente te huaj nga më të ndryshmët, flet për një mosbesim në masë të gjerë për gjithçka që identifikohet si shqiptare. Klinikat, spitalet, farmacitë, baret, restorantet, marketet, zyrat e shërbimeve nga më të ndryshmet i kanë marrë mbarë emrat e kryeqëndrave europiane e jo vetëm. Me plotë të drejtë do të thotë dikush, është thjeshtë çështje qejfi, preference e asgjë më shumë. Por mendoj se perceptimi duhet ta kapërcejë cekëtirën dhe të bubrrojë edhe më tej. Të bërit marketing me pompozitetin e emrave të huaj, nuk mund të merret vetëm si një strategji e mirë për të shtuar shitjet. Kjo është njëherazi edhe një reminishencë e aspiratave të atyre që janë përgjegjës për këto emërtime. Tabelat e ndriçuara mbi hyrjet e godinave sikur i bëjnë një thirrje të pazëshme qyteteve të mbarë botës. Ndërsa në brendi të tyre konotacionet me emrin që gjendet tek pragu janë thuajse zero. Berlin, Oslo, Paris, Strasburg, Bremen, NewYork, Sidney, London, Roma, Dublin. Ping-Pong gjeografik në rrugët e qyteteve tona.

Shumkush preferon ikjen, më mirë se sa përgjakjen e buzëve me zgërdhirje e ngërdheshje fallco, iluzion pas iluzioni e zhgënjim pas zhgënjimi. Diktatura e Proletargjisë, që na imponohet, me sa duket është gjumi i fundit para ndarjes nga jeta. Pasi mesa shohim, ajo ç’ka ne gjenerojmë këtu, jeta e kam fjalën, cilësia e saj, shërbimet e tek e fundit vlerat e saj, janë kaq të pastabilizuara dhe të pabesueshme sa shumë shpejtë, nën shembullin e Crown Agents për shembull, do të duhet të eksperimentohet në një sërë dikasteresh shtetërore, ku dora e proletargjisë bën kërdinë.
Unë u rrita në këto rrugë. Ndihem si i përthithur nga keto rrugë, që kanë vendosur ta nisin ezaurimin tim nga vitet. Sinqerisht kontributi më i madh, që këta trotuarë mund t’i japin pleqërimit tim të parakohshëm, është pakuptimësia e tyre pedante. Variacionit, dikur të gjallë e lëvrues të këtij qytetit tim, sikur i ka dalë shpirti. Të gjithë i mbajnë fshehurazi shpresat në targat e huaja, që po i varin këtij vendi. A nuk do të qe më mirë sikur, në të njëjtën mënyrë që na garantohet një shëndetësi e besueshme nga turku, gjermani, amerikani, greku, iraniani, israeliti etj etj, të na garantoj edhe sistemi i drejtësisë, arsimit dhe rendit! A mundet, minimalisht të marrim në konsideratë, t’i vetnënshtohemi një okupatori konkret, ashtu siç i jemi nënshtruar një okupatori mendor?!

"Postbllok.com"

Comments

Submitted by Rudolf TOPALLI (not verified) on

Shume teorik. Per nivel te larte intelektual, te cilet nuk ma merr mendja se harxhpjne kohen e tyre te cmuar duke u marre me lexime politike neper gazeta. Pjesa tjeter, rreth 95 % , edhe sikur t'a lexojne, nuk arrijne t'a kuptojne se c'ka dashur te thote autori. Pershendetje

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.