Ku po shkon PS-ja?

Postuar në 18 Dhjetor, 2015 04:02
Koço Kokëdhima/deputet i PS-së

Partia Socialiste e Shqipërisë qysh nga themelimi i saj e në vazhdim ka qenë në reformim të vazhdueshëm. Gjithmonë ajo ka pasur aftësinë të reformojë veten për t’iu përgjigjur sfidave të momentit, përgjegjësive të momenti dhe detyrave të momentit. Aktualisht, Partia Socialiste e Shqipërisë është e përfshirë në një reformë tërësore, në reformën e strukturës politike, në reformën e strukturës ekzekutive, në reformën e sistemit të menaxhimit, në reformën për përtëritjen e debatit politik dhe në reformën e dokumenteve themelore të saj. Aktualisht ka shumë zhvillime të reja pozitive në Partinë Socialiste. Rajonizimi i PS-së ka për qëllim të rritë efektivitetin e burimeve njerëzore të kualifikuara, ka për qëllim që t’i japë mundësi popullsisë së rajoneve dhe partisë së rajoneve të zhvillojnë debat rreth politikave mbështetëse dhe të zhvillimit për këto rajone. Rajonizimi i PS-së dhe i strukturës së saj politike ka për qëllim të krijojë një hapësirë të re për karrierat e të rinjve, si për ata që duan të zhvillojnë aktivizimin politik, ashtu edhe për ata që ëndërrojnë të bëhen politikanë profesionistë në të ardhme. Ky rajonizim dhe ky zhvillim i strukturës politike të partisë do të shërbejë edhe si një shkollë për këta të rinj e të reja, edhe si një shkollë trajnuese për politikanët e rinj dhe për ata njerëz që e shohin veten në karrierë si administratorë dhe menaxherë të interesave politike e publike të shoqërisë sonë. Aktualisht jemi duke punuar që të gjithë bashkë, në të gjithë Shqipërinë për ta përmirësuar strukturën sociale të organizatave socialiste. Jemi duke bërë një përputhje të plotë, një organizatë socialiste për çdo qendër votimi. Në këtë strukturë të re sociale synohet pikërisht që të përfaqësohen në organizatat socialiste të gjitha grupet e interesit. Ne kemi mirëkuptim të plotë dhe të thellë për gjitha nevojat e mprehta që kanë të papunët, por është shumë e qartë që reformimin e shoqërisë dhe zgjidhjen e problemit të papunësisë nuk do ta bëjnë të papunët, por vetëm zhvillimet e ekonomisë, vetëm prodhimi i zhvillimit dhe i vendeve të punës. Ne duam që të kemi një strukturë sociale të aftë që të debatojë të gjitha politikat, të gjitha programet e zhvillimit që janë të domosdoshme për këtë moment historik që po kalojmë. Prandaj na duhen organizata socialiste më të balancuara, ku të marrin pjesë më shumë gra. Nuk është fare e përligjur që në qytete të rëndësishme si Saranda, Vlora apo Gjirokastra organizatat socialiste t’i dominojnë meshkujt, 80-90% meshkuj, nuk ka arsye. Organizatat socialiste në këto qytete e në këto qendra të emancipuara e me këtë qytetari që kanë, duhet të jenë të balancuara si në gra e vajza, ashtu edhe me burra. Kemi më shumë nevojë për rininë në radhët e organizatave socialiste, kemi nevojë për të vetëpunësuarit, kemi nevojë të marrin pjesë të punësuarit në kompanitë private, njerëzit e suksesshëm të biznesit, të gjitha grupet e interesit të shoqërisë të përfaqësohen dhe t’i japin jetë një debati që na ndihmon për zhvillimin, një debati që na ndihmon të qeverisim më mirë në nivel vendor, një debati që na ndihmon të kemi institucione, ndërmarrje shtetërore e publike që u shërbejnë shumë më mirë qytetarëve e kështu me radhë.

Ne kemi një mirënjohje të thellë dhe nuk do të reshtim kurrë ta deklarojmë ndaj trashëgimisë historike të PS-së, ndaj memories së PS-së, ndaj figurave që e kanë bërë sa e sa herë fituese Partinë Socialiste në gjithë këto vite të vështira që kemi kaluar. Ne kemi një mirënjohje të cilën do ta deklarojmë gjithmonë me krenari për veteranët e PS-së, për militantët e saj. Por sot, gjithashtu, na duhet ta hapim partinë. Nuk kemi nevojë për një parti apo organizata socialiste që ngrihen mbi bazë familjesh apo fisesh. Na duhet një parti e hapur për të gjitha shtresat, për gjitha grupet e interesit, për gjithë gjeografinë, për gjithë qytetarët, për gjithë të rinjtë të cilët kanë të drejtë legjitime dhe dëshirojnë të marrin pjesë aktive në bashkëqeverisjen e vendit me shumicën tonë dhe me Partinë Socialiste. Ne duhet t’ua japim këtë mendësi këtyre të rinjve, këtyre të rejave dhe këtyre shtresave të shoqërisë. Partia nuk është diçka që mund të trashëgohet brenda familjes. Nuk mund t’ua lëmë trashëgim partinë fëmijëve të kryetarëve të organizatave socialiste. PS-ja është aseti më i çmuar politik në duart e popullit shqiptar për t’u qeverisur dhe për t’u drejtuar. Prandaj kjo reformë do të na ndihmojë që partia të bëhet atraktive, t’u japë mundësinë njerëzve të prodhojnë politika, të lobojnë për programe, për ide, t’u japë pjesëmarrësve në parti motive të rëndësishme, t’u krijojë atyre njohjet e nevojshme dhe t’i ndihmojë, gjithashtu, për t’u zhvilluar".

https://www.facebook.com/kocokokedhima/posts/945184468885859

PS: Kjo është një pjesë nga fjala e deputetit socialist Koço Kokëdhima në takimin e Sarandës ku ishte i pranishëm edhe Edi Rama, kryetar i PS-së. Po e riprodhojmë pasi ajo shtjellohet si një skicë e asaj që po bëhet PS-ja, përcjellë nga një përfaqësues që përmes kësaj fjale afirmon veten si person me shumë peshë në atë parti. Me peshë mbi tagrin e një deputeti dhe diçka shumë afër kryetarit. Fjala ka rëndësi pasi nënvizon rolin e ri të rajoneve, ristrukturimin social të partisë, çka në dritën e shtyrjes së kongresit, do të thotë transformim ekuilibrash brenda PS-së. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.