Një treg i kontrolluar: sinjalistika, sigurimet dhe rasti i tenderit të dekoderave

Postuar në 16 Dhjetor, 2015 19:31

Sot u bë i njohur lajmi se Autoriteti i Konkurencës ka nisur një hetim për disa tendera të zhvilluara për sinjalistikën rrugore. Shifra e akorduar është gati 10 milionë dollarë dhe sipas dyshimeve të Autoritetit, nga praktika e konstatuar rezulton se ka të dhëna për koordinim mes kompanive. “Tenderat janë zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH, në datat 7 dhe 9 shtator të këtij viti, me objekt “përmirësimin dhe rifreskimin e sinjalistikës në akset kombëtare”. Ato kanë pasur një fond limit përkatësisht prej 5 milionë dollarësh për lotin Vorë-Han i Hotit, dhe 8 milionë dollarë për atë Rrogozhinë-Kapshticë. Por përse dyshon Autoriteti i Konkurrencës? Dyshimi kryesor lidhet me faktin se, ofertat fituese kanë qenë shumë pranë fondit limit në të dy tenderat, respektivisht 96 për qind në tenderin e parë dhe 97 për qind në atë të dytin. Përveç kësaj, siç deklaron në njoftimin për hapjen e hetimit paraprak mbi këtë çështje, autoriteti vëren se dy kompanitë fituese nuk kanë konkurruar në të dy tenderat, dhe se mund të kenë përdorur skemën e rotacionit në oferta duke ndarë tregun”, referon Top-Channel. Po kështu dyshohet se në skemë është përfshirë edhe autoriteti kontraktues duke mbyllur kështu tregun në një oligopol të pastër. Në fakt këto të dhëna janë denoncuar në media edhe më herët dhe njësoj si prokuroria që duke marrë shkas nga mediat hapi hetime për koncesionet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Autoriteti i Konkurencës po hidhet në veprim.

Një treg i deformuar në sektorin e sigurimeve

Ky moment është i rëndësishëm, pasi nëse ka një problem të thellë në Shqipërië sa i përket ekonomisë, ky është funksionimi i keq i tregut. Ka disa autoritete që presupozohet të veprojnë por asgjë nuk ka lëvizur nga vendi. Para disa ditësh ministri i Financave bëri të ditur vendimin për rritjen në 10% të primit të sigurimeve të automjeteve duke argumentuar se një vit më parë qeveria e minimizoi atë në 3%, por çmimi nuk lëvizi. “Kompanitë nuk reaguan”, tha ministri që mandej shtoi se nisur nga kjo qeveria deklaroi se do të çonte primin në 10%(http://www.respublica.al/2015/12/16/ka-një-monopol-të-padeklaruar-në-tregun-e-sigurimeve-të-automjetevevideo). Disa ditë më vonë Avni Ponari, një ndër drejtuesit e një prej kompanive kryesore që operojnë në treg u shpreh se fitimi i kompanive në vitin 2015 ka qenë minimal: 4%, çka me rritjen e primit sipas tij, mundet të sjellë rritjen ose jo të tarifave. Por Ponari nuk dha përgjigje se si ka mundësi që asnjë prej kompanive nuk reagoi me oferta të reja në treg? Edhe drejtuesja e Autoritetit të Konkurencës, Lindita Lati, në një intervistë për Tema Tv, deklaroi se “Autoriteti heton në rast ankesash”. Sipas saj rekomandimini Autoritetit për të mos operuar me një broker të vetëm u shpërfillën nga kompanitë(http://www.tematv.al/2015/11/27/mungesa-e-konkurencës-në-sigurime-lati-rekomadimet-u-shpërfillën-0). Pyetja sërish këtu shtrohet: pse nuk nisi hetimin Autoriteti kur operimi me një broker çon në dyshimin për marrëveshje mes kompanive në treg? Marrëveshje e cila fikson tarifat pavarësisht se çfarë bën qeveria. Duke ecur në këtë logjikë bëhet e kuptueshme se përse nuk ka ankesa nga operatorët të cilët kanë vendosur dominimin në treg.

Tenderi i dekoderave

Le të sjellim edhe njëherë argumentin që ka dhënë Autoriteti i Konkurencës për të nisur hetimin për tenderin e sinjalistikës. “Dyshimi kryesor lidhet me faktin se, ofertat fituese kanë qenë shumë pranë fondit limit në të dy tenderat, respektivisht 96 për qind në tenderin e parë dhe 97 për qind në atë të dytin...”. Dyshimi këtu buron nga fakti se oferta fituese zakonisht ose është ajo që ofron një shërbim cilësor të mirënjohur, ose ajo që ul tarifën. Këtë argument që ka vënë në lëvizje Autoritetin le ta shtiem në punë për të vlerësuar një tjetër tender të shumëpërfolur: atë të dekoderave dixhitalë që do të subvencionojë qeveria për familjet në nevojë. Fondi i plotë është 3.4 milionë dollarë, por ai është ndarë në dy pjesë: 171 milionë lekë për vitin 2015 tërhequr nga Fondi i Kontigjencës dhe pjesa tjetër parashikohet me projektbuxhetin 2016. Nga të dhënat zyrtare rezulton se kompanitë kryesore që kanë bërë oferta: TBS96, Neptun dhe Digitalb, kanë dhënë këto shifra:

BS96: 141.388.830,00 lekë

Neptun: 141.513.219,00 lekë

DGA: 141.596.145,00 lekë për një fond limit prej 141.665.250,00 lekësh.

Përqindjet e ofertave në raport me fondin limit janë respektivisht: 99,8049%/99,8927%/99,9512%. Nuk po nxjerrim asnjë konkluzion dhe rastësia nuk përjashtohet asnjëherë. Por analogjikisht jemi në raste thuajse identike. Dhe deri më tani Autoriteti nuk ka vepruar.

Funksionimi i tregut në Shqipëri është një problem themelor dhe nëse kjo qeveri do tëë donte me të vërtetë ttë ndihmonte me një reformë të vërtetë, kjo do të ishte reforma e tregut. I cili është në kushte oligopoli dhe me përfshirjen e koncesioneve në disa sektorë shërbimesh bëhet edhe më i mbyllur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.