Mbyllet dosja për aferën me ilaçet e rimbursuara, skema drejtohej nga LSI

Postuar në 15 Dhjetor, 2015 10:40

Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim 9 persona, ndër të cilët zyrtarë të Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor Tiranë dhe drejtues farmacish, të përfshirë në një skemë mashtruese financiare me rimbursimin e medikamenteve, nga e cila i është shkaktuar shtetit dëm rreth 56 milionë lekë të reja.

Nga hetimet e Prokurorisë rezulton se në krye të kësaj skeme qëndrojnë shtetasi Hysni Roçi, pronar i disa farmacive në kryeqytet, si edhe ish-drejtori rajonal i Fondit, Pjerin Xhuvani.

Këta dy shtetas, në pozicionet e tyre, kanë përfshirë në veprimtari të paligjshme edhe shtatë shtetas të tjerë, përkatësisht 4 drejtues teknik farmacish dhe 3 punonjës të Fondit rajonal të Tiranës.

Sipas Prokurorisë skema ka funksionuar në dy plane, të cilat lidhen me njëra-tjetrën, me qëllimin final përfitimin e paligjshëm të shumave të parave nga rimbursimi i ilaçeve.

Shtetasi Hysni Roçi, pronar i disa farmacive, u ka marrë liçensat drejtuesve teknikë të farmacive “Lundër”, “Bërzhitë”, “Adelina” dhe “Nutrimed”, me qëllim përfaqësimin e tyre në raportet me Fondin Rajonal të Kujdesit Shëndetësor për përfitimin e rimbursimit të ilaçeve. Nga hetimi ka rezultuar se këto farmaci, gjatë periudhës  shtator 2014 - mars 2015, kanë përfituar shuma të konsiderueshme në mënyrë të padrejtë, nga rimbursimi i ilaçeve që kanë deklaruar se kanë shitur, por që në të vërtetë rezulton se nuk kanë shitur ato sasi. Madje, rezulton se kanë deklaruar si të shitura ilaçe, të cilat nuk i kanë pasur asnjëherë në dispozicion.

Drejtuesit teknikë të farmacive, të cilët janë marrë të pandehur, kanë deklaruar gjatë hetimit, se nuk kanë kryer veprime me Fondin. Por, ka rezultuar e provuar se liçensat e tyre ia kanë dhënë shtetasit Hysni Roçi, i cili, nëpërmjet mashtrimit, ka rimbursuar në llogari të tyre shuma të ndryshme dhe në këtë mënyrë, edhe drejtuesit teknikë janë përfitues të kësaj skeme mashtrimi.

Nga ana tjetër, shtetasi Pjerin Xhuvani, në cilësinë e drejtorit rajonal të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, ka urdhëruar zyrtarë të tij për të formuluar akte fiktive kontrolli mbi farmacitë e sipërcituara dhe, në përfundim, i ka nënshkruar aktet e kontrollit, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë rimbursimit të padrejtë këtyre subjekteve private. Po ashtu, edhe zyrtarët e Fondit, të marrë të pandehur në këtë procedim, pavarësisht se ishin në dijeni të plotë të veprimeve të kundërligjshme, kanë nënshkruar akte kontrolle fiktive (të pakryera) për farmacitë, duke lejuar në këtë mënyrë përfitimin e padrejtë të rimbursimit monetar për subjektet private.

Comments

Submitted by Ndoc DUDASI (not verified) on

E c'pune ka LSI-ja ketu ? Hajduti, eshte hajdut, dhe pike. E c'pune ka partia ? Pa lidhje fare. Ja keni fut kot plako. Tung.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.