Kryeministri në inkubator: “Nuk ka alternativë tjetër veç PS-së"

Postuar në 12 Dhjetor, 2015 12:32

“Qeverisja jonë është arsye për të qenë me PS”. “Nuk ka alternativë tjetër përveç PS”. “Ne kemi vënë shtetin në detyrë”. “Nuk i anullojmë dot konçesionet e dhëna”. Këto fjali u titruan nga fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Gjirokastër, ku bashkë me bashkëpunëtorin e vet, Koço Kokëdhima, koordinator i PS-së për Jugun, kanë folur njësoj për reformën në parti, vlerat e çmuara që ajo përcjell e që çuditërisht, ndonëse i dha fitore të dyve, po synihet të reformohet. Ndërkohë që kryeministri bën këto përcaktime, qeverisja e tij e dy viteve është epikriza e një kanceri të ngjizur me ardhjen e tij në krye të partisë që fillon me gënjeshtrën dhe mashtrimin të instaluar si paradigmë të vendimmarrjes: konçesionet nuk anullohen dot, por konçesionet e dhëna nga kjo qeveri janë të gjitha të vënë në dyshim dhe të shoqëruara me dyshime të mëdha. PS-ja është e vetmja alternativë, por ky pohim me natyrë kategorike është asgjë më shumë sesa dëshirë, pasi alternativa PS është e fundit që vjen në vështrim. 100 mijë shqiptarë të ikur në dy vjet dëshmojnë se vetëm PS-ja nuk është alternativë. Dhe se reforma e vërtetë e kësaj partie kalon nga largimi i Edi Ramës.
“Ne bëmë në dy vjet më shumë sesa është bërë në 23 vjet”, pohoi kryeministri. Me siguri që askush nuk ka kohë të merret seriozisht më kësi pohimesh që jetojnë në ikubatorin e vetëlavdërimit të kryeministrit. Thotë kryeministri për organizatën e PS-së: “Ku janë ata socialistë që nuk luftojnë për një punë në shtet, që punojnë në ndërmarrje, drejtojnë një ndërmarrje, kanë një biznes të vogël?! Një zonë e tërë përtej asaj, mungon. Kjo përbërje sociale është e domosdoshme për të pasur në hapësirën e PS-së përfaqësimin e të gjithëve dhe duke i pasur të gjithë të përfaqësuar edhe debati është shumë më i shëndetëshëm dhe më emancipues”. Leximi: pastrimi në parti ka nisur dhe atë e menaxhon Edi Rama dhe Koço Kokëdhima që pas ardhjes në pushtet po kërkojnë të dominojnë tërësisht strukturën politike që i solli në karrige. Meritojnë vëmendje fjalët e Koço Kokëdhimës, demagogjia e të cilit është e vjetëruara më shumë sesa tranzicioni. “PS është aseti më i çmuar në duart e popullit tonë, nuk është e përsosur, por është parti atdhetare, serioze, e hapur, me përgjegjësi të lartë ndaj vendit dhe popullit dhe atdheut dhe në këtë rrugë e me këtë përgjegjësi do të modernizohemi dhe do të aftësohemi për një drejtim sa më të shëndoshë. PS është në një reformë të strukturës politike dhe ekzekutive se dëshiron të jetë më funksionale, të japë më shumë mundësi qytetarëve dhe anëtarëve të përfshihen në bashkëqeverisje, të marrin pjesë në këtë qeverisje. Me këtë synohet që përbërja sociale e organizatave sociale të jetë më e përshtatshme për sfidat tona, që në organizatat tona të përfshihen grupet e interesit. Kemi mirëkuptimin për të papunët të shumtë në numër dhe i kanë familjet në vështirësi të mëdha ekonomike, por papunësinë nuk e luftojnë ata, papunësinë e zgjidh zhvillimi sipas atyre politikave dhe programeve që duhet të përpunohet në njësinë bazë të debatit politik, si është organizata socialiste”, tha ai.

Comments

Submitted by Ndoc DUDASI (not verified) on

Edhe Ali Pashe Tepelenes, kur i serviren fasulet ne pjata te ndryshme, i u duken te jashtezakonshme, dhe c'do here, i dukej gjelle tjeter, e jo nje gjelle. Prandaj, njeriu, ka nevoje per ndryshim, te nderoje xhaketen, kemishen, e jo te njejten, perdite. Tung.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.