Hetimet për naftën virgin zbulojnë shtet disfunksional

Postuar në 12 Dhjetor, 2015 21:04
Lindita Çela

Në vitin 2010, Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, në atë kohë nën pronësinë e Rezart Taçit, i shiti një sasi karburanti gjysmë të përpunuar, të njohur si “virgin”, një kompanie të panjohur me emrin “Tea Construction & Petrol”. Sasia prej 5.6 milionë kilogramësh kishte vlerën prej 500 milionë lekësh dhe qe pa taksa.

Në Shqipëri, aktualisht një litër naftë i nënshtrohet një tatimi prej rreth 100 lekësh për litër, ku përfshihet, 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, taksë karboni e TVSH, e cila varion nga çmimi final i shitjes.

Karburanti i blerë nga kjo kompani, u depozitua pjesërisht në një magazinë pranë rafinerisë, të njohur si depozita G-43 dhe pjesërisht në katër depozita që gjenden pranë fshatit Mëzez, Tiranë.

Bilanci i kompanisë Tea për vitin 2011, tregon se kjo kompani ka në rezervuarët e saj një sasi produkti Virginia me vlerë 344 milionë lekë. (Link bilanci). Në bilancin e vitit 2013, e njëjta kompani deklaron se ka në inventar Virgin në masën 270 milionë lekë.

Virgin është një nënprodukt i naftës i ngjashëm me benzinën, i cili, për shkak se nuk plotëson standardet, nuk mund të shitet në tregun shqiptar. Formalisht ai mund të eksportohet si produkt gjysmë i gatshëm për t’u përpunuar nga rafineritë që kanë kapacitetet për ta bërë një gjë të tillë. Por tashmëështë e njohur se përgjatë 20 viteve të fundit, një sasi e këtij nënprodukti të realizuar në rafinerinë e naftës së Ballshit, është shitur në mënyrë ilegale në tregun shqiptar. Dëmi është i dyfishtë, për shkak se nga njëra anë, taksat që duhet të paguhen mbi naftën nuk paguhen, ndërsa nga ana tjetër, makinat që furnizohen me këtë produkt dëmtohen dhe amortizohen më shpejt ndërkohë që ndotja e lëshuar prej makinave është shumë më e lartë se sa ndotja e shkaktuar nga benzina e zakonshme.

Kontrolle false

Administrata doganore shqiptare ka një eksperiencë të gjatë me sasinë e naftës Virgin të prodhuar në Ballsh dhe që është “zhdukur” më pas. Rrjedhimisht, çdo rezervuar i magazinimit të kësaj nafte i nënshtrohet procedurave strikte të menaxhimit fiskal, përfshirë vulosjen me vula të posaçme nga punonjësit e administratës doganore apo qarkullimin e saj me dokumente të detajuara si dhe kontrollet periodike.

Në nëntor të vitit 2013, Drejtoria Rajonale e Tatim Paguesve të Mëdhenj, në bazë të një programi të paracaktuar kontrollesh, shkoi të kryejë kontrollin te kjo kompani. Mes të tjerash, kontrolli duhej të përcaktonte sasinë dhe cilësinë e naftës që gjendej në rezervuarë.

Me dokumente, në depozitat e kompanisë në Kodër Mëzez pranë Tiranës, duhej të gjendej rreth 3,6 milionë kilogramë naftë virgin. Por kontrollorët e tatimeve hoqën dorënga kryerja e inventarit fizik për arsye të paqarta. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Fierit, Tatimet ia referuan çështjen e inventarit Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Në janar 2014, doganat shkojnë për të bërë matjet, por nuk i bëjnë pasi zbulojnë se nuk kanë mjetet matëse të kalibruara dhe të certifikuara. Doganat i kërkojnë ndihmë Inspektoriatit Qendror Teknik për të bërë matjet e sasisë dhe për verifikimin e cilësisë.

Sipas prokurorisë, nga matjet e kryera ka rezultuar se, në rezervuarët nr.1, nr.2, nr.3 dhe nr.4, gjendej në total sasia prej 4.431.881.6lt/ 3,049,729 kg lëndë djegëse.

Kjo qe një sasi dukshëm më e vogël se sa duhej të tregohej në letra, por të dhënat e prokurorisë janë kontradiktore.

Në gusht të vitit 2014, biznesmeni Ardian Xhillari, i cili qe gjithashtu administrator i kompanisë “Tea Construction & Petrol”, kërkoi pranë tatimeve të Tiranës për të hequr plumbçet e rezervuarëve duke deklaruar se do ta transportonte këtë naftë në depozitën G-43 në Ballsh. Procesi i transferimit të naftës raportohet se përfundoi më 21 gusht 2014, kur një doganier i Fierit vulosi tubacionin hyrës të depozitës G-43.

Një vit më vonë, në qershor 2015, kompania britanike Crown Agents, e cila ka një kontratë me qeverinë shqiptare për asistencë në luftën kundër evazionit fiskal, kreu një kontroll në depozitën G-43 dhe e gjeti atë bosh. Nafta virgin nuk ekzistonte aty.

Prokuroria e Fierit hetoi çështjen për gjashtë muaj dhe në dhjetor të këtij viti, doli në konkluzionin se transferimi i naftës në gusht 2014 nga Tirana për në Ballsh qe i rremë. Prokuroria dyshon se nafta ose është shitur më herët në treg ose është shitur gjatë transportit.

“Virtualisht”

Hetimet e prokurorisë së Fierit zbuluan se një numër i madh doganierësh ishin përfshirë në prodhimin e dokumentacionit justifikues për lëvizjen e naftës virgin, lëvizje që dyshohet se nuk ka ndodhur kurrë.

Prokuroria zbuloi se kompania kishte dorëzuar një kontratë qiraje në tatime mes saj dhe kompanisë ARMO për depozitën G-43, por kjo kontratë rezultoi e falsifikuar. Evidencat e kompanisë ARMO treguan se në depozitën G-43 nuk është hedhur asnjë produkt.

U zbulua gjithashtu se për qarkullimin e mallrave në regjim akcize, qe kërkuar një garanci bankare e cila rezultoi e skaduar dhe e pavlefshme. Prokuroria përdor termin qarkullim “virtual” për të përshkruar kalimin e naftës me dokumente nga një magazinë në një tjetër, kalim që fizikisht dyshohet se nuk ka ndodhur kurrë.

“Nuk dimë gjë”

Personi kyç në administratën doganore përgjegjëse për ngjarjen, sipas prokurorisë rezulton Lula Njebza. Si zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Doganave ajo ka autorizuar transferimin e karburanteve nga një magazinë në tjetrën. Njebza ka deklaruar para prokurorëve se nuk ka dijeni për ngjarjen dhe se nuk e njeh personalisht biznesmenin Ardian Xhillari. Por prokuroria thotë se ka zbardhur tabulatet telefonike për të zbuluar se gjatënjë jave në gusht 2014, kohës kur është kryer transferimi, ajo pati kryer 32 biseda telefonike dhe shkëmbime mesazhesh me biznesmenin Xhillari. Njebza, një drejtuese e vjetër në administratën doganore, u arrestua në dhjetor 2015 dhe është aktualisht nën masën e sigurisë arrest me burg.

Doganierët e tjerë të arrestuar deklaruan para prokurorëve gjithashtu se nuk kishin dijeni dhe nuk mbanin mend detajet e ngjarjes. Gjithsej, pesë punonjës të doganave u arrestuan ndërsa dy u vunë në ndjekje penale në arrest shtëpie.

Por personi kryesor, biznesmeni Ardian Xhillari nuk gjendet. Prokuroria dyshon se ai është larguar nga Shqipëria muaj më parë, dhe se është larguar për shkak se kompanitë e tij akumuluan borxhe ndaj subjekteve të ndryshme dhe jo për shkak se prokuroria ishte duke kryer hetime mbi të.

Kompania e tij në faqen e vet të internetit thotë se ka aktivitet në fusha të ndryshme, nga ndërtimi te tregtia e karburanteve, import-eksporti i mallrave të ndryshme apo plastikës.

Bilancet e kompanisë së tij tregojnë se ai kishte një xhiro të përgjithshme prej 2.7 miliardë lekësh (rreth 20 milionë eurosh) në vitin 2011 dhe 2.6 miliardë lekësh në vitin 2012. Por në vitin 2013, xhiroja e kompanisë së tij u rrit në 8.7 miliardë lekë, (62 milionë euro) (link bilanci 2013). Por xhiroja nuk është shumë domethënëse për kompanitë që merren me tregti karburantesh.

Në korrik 2015, një përmbarues privat vendosi masën e sekuestros mbi aksionet e debitorëve Ardian Xhillari dhe Teuta Xhillari mbi kompaninë Tea, për shkak të një kredie me vlerë 510 mijë euro që këta dy shtetas kishin marrë nga banka Raiffeisen në vitin 2013. Përmbaruesi gjyqësor i shkroi Qendrës Kombëtare të Regjistrimit në shkresën për bllokimin e kuotave të aksioneve se nuk kishte arritur të kontaktonte debitorët në adresat e tyre të deklaruara. Në të njëjtën kohë, një kompani tjetër përmbarimore kërkoi bllokimin e kuotave të aksioneve për llogari të një kompanie private që kishte ngritur kërkesa për detyrime të pashlyera nga Tea. Pikërisht rreth kësaj kohe, raportohet se biznesmeni Xhillari është larguar nga Shqipëria.

Shtet disfunksional

Sasia e naftës virgin në qendër të skandalit ka qenë e njohur për autoritetet shqiptare që prej pesë vjetësh, megjithatë strukturat e shtetit, përfshirë administratën doganore, duket se nuk qenë në gjendje të verifikonin në kohë zhdukjen e saj. Vetëm një kontroll i një shërbimi të huaj si Crown Agents mundësoi certifikimin e faktit që një sasi nafte që gjendej në dokumente, nuk ekzistonte në realitet. Prokuroria thotë se nuk ka mundur të vërtetojë shitjen e kësaj sasie karburanti në treg por thjeshtë faktin që transferimi i karburantit është kryer me dokumente të falsifikuara.

Tregtia e karburanteve në Shqipëri është një nga ato segmente tregu që njihen nga qarqet e biznesit si thellësisht të politizuara. Një pjesë shumë e madhe e tregut të karburanteve ndryshon në mënyrë thelbësore bashkë me ndryshimin e qeverive. Disa kompani që ishin të plotfuqishme në tregun e karburanteve deri në vitin 2005, pushuan së ekzistuari pas ndryshimit të qeverisë ndërsa disa kompani të tjera që ishin të plotfuqishme deri në vitin 2013, pushuan së ekzistuari më pas. Aktualisht, një numër kompanish, përfshirë Tea, kanë raportuar rritje dramatike të xhiros bashkë me ndryshimin e qeverive.

Të ardhurat e qeverisë gjatë dy viteve të fundit kanë qenë ndjeshëm më të ulëta se sa plani. Qeveria mohon me forcë akuzat e opozitës se shkaku i deficitit është ekzistenca e evazionit fiskal dhe kontrabandës në shkallë të gjerë. Rasti i Tea sugjeron që po, Shqipëria ka një problem me kontrabandën, i cili ngrihet deri në nivelet më të larta të administratës doganore.

"BIRN"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.