Trupat KRAH të PD-së dhe trupat SA të nazizmit

Postuar në 11 Dhjetor, 2015 14:32
Ilir Hashorva

Duke u marrë më shumë me djegien e bunkerit dhe me dëmtimin e disa ministrive që nuk ishin kushedi se çfarë, sikur nuk u vu re, apo nuk iu kushtua rëndësia e duhur, të resë më të veçantë të protestës së DP-së: shfaqjes dhe marshimit të trupave KRAH, "Korpusi Rinor Azem Hajdari".

            Ishte një grup të rinjsh që marshuan në Bulevardin e Madh si formacion më vete, veshur me uniforma të zeza, me një stemë në kurriz, që nuk u kuptua se ç'qe, e që mbanin në duar flamuj të zinj, deri tashti të panjohur për ne. Shumë i krahasuan këto trupa me kriminelët e ISIS-it dhe kishin të drejtë, po ngjashmëria me ta ishte vetëm në aspektin formal, në aspektin e paraqitjes. Për mua ky grupim ka ngjasim esencial me trupat SA të Gjermanisë naziste.

            Sipas gazetës Standard, që duhet të dijë diçka për grupimin tonë, ky grupim është një organizatë rinore e PD-së, pjesë e Forumit Rinor, që ka për synim “mbrojtjen e votës”, sigurimin e aktiviteteve të PD, parakalimin si grup në vete në manifestimet e PD-së. Ky grup pati rol të rëndësishëm në nxitjen e njerëzve për dhunë para Kryeministrisë, bunkerit dhe ministrive të tjera. Hëpërhë ky grup mund të merret me shaka, ashtu siç u mor edhe në Gjermani krijimi i trupave SA, trupa që më pas u shndërruan në tmerr për gjermanët, aq sa iu desh vetë Hitlerit që i krijoi t'i shpartallonte.

            Hitleri krijoi në Gjermani në vitin 1921 një grup paramilitar, të përbërë nga disa dhjetëra persona, për ta pasur si mbrojtës fizik të veprimeve të tij. Për të mos pasur telashe me qeverinë, e cila nuk lejonte krijimin e organizatave me prirje ushtarake, Hitleri e quajti organizmin e ri "Divizioni i gjimnastikës dhe sportit'. Anëtarë të tij ishin kryesisht ushtarë veteranë gjermanë, pjesëmarrës në Luftën e Parë Botërore, të zhgënjyer nga humbja e luftës dhe plot urrejtje për udhëheqësit gjermanë, për të cilët pretendonin se tradhtuan popullin gjerman, si ishin ata që i futën thikën pas shpine atij popullit. Në fillimet e republikës së Vajmarit, ata e filluan aktivitetin e tyre duke u ndeshur me të majtët nëpër rrugë. Të gjithë anëtarët e asaj organizate ishin me prirje kriminale dhe rrugaçërore. Më pas, duke parë se nga qeveria nuk pati ndonjë reagim ndaj tyre, Hitleri ia ndryshoi emrin grupit dhe e quajti "Sturmaabtailung", që do të thotë divizioni i stuhisë, apo i sulmit dhe vetë trupat u quajtën SA, akronim i fjalës "sturmaabtailung". Tashti ky grup do të kishte uniformën e vet, ku dallonte këmisha ngjyrë kafe dhe prandaj u quajtën edhe trupat këmishë kafet, në ngjashmëri me fashistet e Musolinit që mbanin këmisha të zeza dhe që quheshin këmishë zinjtë. Detyrat e trupave SA tashti do të ishin mbrojtja e mitingjeve të  Partisë, mbrojtja e vetë Hitlerit në ato mitingje, prishja e mitingjeve të kundërshtarëve, parakalimi në parada dhe sulme fizike nëpër rrugë ndaj armiqve të partisë dhe hebrenjve. Në kohën që Hitleri u ngjit në pushtet, në vitin 1933, dhe duhet thënë se u ngjit në pushtet edhe me ndihmën e madhe të këtyre trupave, numri i tyre kaloi nga disa dhjetëra të fillimit, në rreth 2 milionë vetë me organizim të plotë ushtarak.

            Në qershor të vitit 1934, duke parë rrezikun e këtyre trupave për partinë e tij nga rritja e madhe e anëtarëve të saj si dhe nga pamundësia për t'i kontrolluar plotësisht, Hitleri, me ndihmën e trupave SS-e vrau udhëheqësit e saj, në atë që u quajt "Nata e thikave të gjata", duke e dobësuar krejtësisht atë organizatë dhe duke e vënë plotësisht nën kontrollin e tij.

            Nga detyrat që thuhet se i kanë ngarkuar grupimit tonë dhe nga sa pamë se ç'ishin trupat naziste SA, del se të dy grupimet janë të ngjashme. Ne nuk dimë ende se kush e krijoi grupimin KRAH në Shqipëri, se cilët janë udhëheqësit e tij, nga ç'persona përbëhet, se ç'farë organizimi ka, se çfarë detyrash të tjera ka, se çfarë stërvitjesh bën, por mbajtja e emrit të Azem Hajdarit, emrit të një personi që vetë Partia Demokratike e ka akuzuar për shumë të këqija, duke përfshirë edhe terrorizmin, të lë të dyshosh se edhe ai grup do të ecë në gjurmët e tij, prandaj duhen marrë që tashti masa shumë serioze ndaj tij.

            Shteti ka për detyrë të vëzhgojë, të hetojë dhe, po të jetë nevoja, edhe të ndalojë grupe të tilla me prirje paramilitare nga çdo anë që të shfaqen. Ato duhen ndaluar që në embrion, jo vetëm se me kohë rriten, por edhe se me krijimin e tyre nga një krah i politikës, bën që të krijojnë grupe të ngjashme edhe krahë të tjerë të politikës dhe të fillojë në Shqipëri të krijohen të njëjtat situata si dhe në Gjermani në kohën e republikës së Vajmarit, kur grupe paramilitare të kundërta ndesheshin nëpër rrugë midis tyre.

            Në kushtet e Shqipërisë së sotme, të një Shqipërie që kërkon t'i hapen dyert e Evropës, të krijosh grupe të tilla që shumë shpejt mund të kthehen në grupe paramilitare, kur nuk kërcënon ushtarakisht asnjë forcë politike, kur fitorja nuk arrihet me dhunë, por me zgjedhje të lira e të ndershme, jo vetëm është e rrezikshme, por është edhe  anakronike.

Comments

Submitted by Kevinjon (not verified) on

Po ku i pe ngjashmerite me SA ore? Keshilla e pare per cdo "analist" eshte te shkruaje me gjakftohtesi dhe mos te hartoje panike duke u marr me mizat apo me interpretime te historise sipas kaptines e momentit. E dyta, te kujdesesh per te dhenat qe jep sepse qe kur thua se Hitleri krijoji SA eshte po aq e vertete sa zbritja ne Hene jo nga USA por nga Enver Hoxha vete. Dhe e treta, hajde se po ulim inteligjencen ca kate me poshte e po diskutojme halucinacionet e tua, pa na thuaj te pakten se kush eshte Hitleri tek PDja qe po merrke frike ca kalamoj me xhakete e steme qe eshte kopje po e njejte nga mentaliteti provincialist me stilet perendimore, njejte me rapistet, big brodherit e kurvat qe i duket vetja bashkekohor kur veshin cikjane zezakesh apo silikonizojne cdo gje...

Shkruaj me mire per shprehjet e pozat goeblziane e hitleriane qe merr Rama, Balla e co se ato jane kopje me te demshme se keto kalamajte me xhupa shkollash.

Submitted by Ndoc DUDASI (not verified) on

E kam thene qe diten e pare, dhe e riperseris, ky grupim, eshte si "giovanni faschista" te fashizmit, sikurisht edhe te nazizmit (sipas z.Ilir me siper), por, ne ditet e sotme, ky grupim, alla AZEM, krahasohet vetem me ISIS-in. Tek ne, me ligj, jane te ndaluara partite fashiste dhe simbolet e tyre. Nuk e kuptoj, pse nuk veprojne organet e ligjit. Ky grupim, eshte krijuar vetem e vetem per sherr, per interesat e Sali Berishes e Lul Bashes, per te vonuar reformen ne drejtesi, me qellim qe ata te dy mos te arrestohen e denohen, ptandaj edhe po gjejne te gjitha menyrat per te destabilizuar rendin ligjor, politik e shoqeror te vendit, per te shkruar ne zgjedhje te reja te parakoheshme, dhe reformen ne drejtesi, t'a votoje parlamenti tjeter e jo ky parlament. Dhe ata te dalin te pa lagur.Tung.

Submitted by ASA (not verified) on

Fatekeqesisht per nivelin e demokracise ne shtetin tone, une besoj qe partia-qeveri ne pushtet ferkon duart kur shef grupime e fraksionime brenda pd-se te shpartalluar e te zgerlaqur me mut mes shaleve. Sbesoj qe keto fraksionimet e shqetsojne qeverine me shume se sa mund ti japi nje rekomandim (brenda bazave ligjore) strukturave te ministrise te brendshme per te hedhur nej sy brenda ketyre grupimeve (just in case). Gjithesesi shkrim interesat, vertet na shpetoi korpusi i "heroit te demokracise"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.