Protesta na vlen më shumë se gjykimi mbi PD-në

Postuar në 10 Dhjetor, 2015 23:36

Prej më shumë se dy ditësh përfaqësues të mazhorancës përpiqen t’i japin një karakter destruktiv protestës së Partisë Demokratike në 8 dhjetor, nisur nga  ngjarjet me bunkerin pranë Ministrisë së Brendshme.

Një përqasje e pushtetit  për të lidhur këtë aksion të opozitës me vandalizmin që ka shoqëruar protestat e  Partisë Demokratike në të shkuarën, duke marrë si referencë kryesore ngjarjet e shtatorit të vitit 98’ pas vrasjes së Azem Hajdarit. Por ky lloj intepretimi, pavarësisht analogjive që mund të gjenden nuk i shkon kontekstit politik të momentit për disa arsye që lidhen si me opozitën ashtu dhe me qeverisjen e vendit.

Opozita nuk mund të  ketë asnjë shans të marrë pushtetin me dhunë dhe nëse do të kishte këtë axhendë, protesta e 8 Dhjetorit artificialisht mund të kishte një tjetër bilanc, qoftë edhe për xhamat e thyer apo përleshjen me policinë.

Ndodhi djegia e bunkerit, incident që qeveria e sheh si një akt vandalizmi ndaj një vepre arti, duke u përpjekur ta përcjellë protestën edhe si një raport të Partisë Demokratike me të bukurën apo civilen.

Këtë lloj trajtimi estetik mbi atë që përfaqëson e majta socialiste dhe e djathta demokratike e ka isntitucionalizuar vetë Edi Rama qëkurse shkeli këmbën në bashki apo kryeministri me ndryshime të karakterit figurativ dhe imobilar. Dhe në këto 2 vjet qeverisje kemi parë që energjitë e pushtetit të përqëndrohen më shumë në operacione të karakterit estetik sesa në reforma esenciale me impakt mbi mirëqënien e qytetarëve.

Nëse qeveria beson se ato që pamë në 8 dhjetor rrjedhin  nga një handikap kulturor apo filozofik i opozitës, është vështirë që të perceptohet kështu në opinion publik për shkak të raportit që qyetatarët kanë krijuar me qeverisjen në këto 2 vjet.

Nëse qeveria beson se ndaj masave represive që lidhen me informalitetin apo burgosjen për çështje të disiplinës fiskale mund të protestohet me lule apo këngë e valle ky është tjetër diskutim.

Në këto dy vjet qeveria është testuar edhe për çështje që kanë të bëjnë me vullnetin për të luftuar korrupsion, klientelizmin, inkriminimin apo nepotizmin dhe rekordet janë dekurajuese duke nisur me tenderat, konçesionet apo përfitimet e paligjshme.

Megjithatë çdo akuzë të opozitës apo kritikë të mediave qeveria e ka interpretuar si përbaltje ndaj punës së saj. Po a  kanë shqiptarët arsye për të protestuar kundër kësaj qeverie? Për këtë pyetje edhe qeveria do kishte plot argument dhe protesta e 8 Dhjetorit tregoi se pavarësisht opozitës kundërshtia ndaj qeverisë do rishfaqet me kërcitje edhe më të forta.

 

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.