Fino: Veliaj nuk mund të jetë kryetar i PS

Postuar në 11 Dhjetor, 2015 10:17

Gjatë diskutimit nen për nen të projektligjit për vetëqeverisjen vendore, deputeti socialist Bashkim Fino ka propozuar që të marrë fund katapultimi i kryebashkiakëve në krye të partive politike parlamentare.
Sipas Finos, partitë politike duhen konsideruar si pasuri publike, ndaj edhe kryebashkiakët duhet të respektojnë votëbesimin e qytetarëve. Propozimin e tij Fino e konkretizoi me shembullin e Tiranës, ku theksoi se nëse kryebashkiaku Erion Veliaj do të kërkojë të jetë në krye të Partisë Socialiste, atëherë në kryeqytet duhet të zhvillohen sërish zgjedhje vendore.
Propozimi i Finos hasi kundërshtime të forta brenda maxhorancës, pasi deputeti tjetër i Komisionit, Dashamir Peza, iu referua mënyrës së zgjedhjes së kryetarëve të bashkive. “Unë jam kategorikisht kundër këtij propozimi. S’kisha menduar se mund të ndodhte që unë të isha ndonjëherë kategorik kundra deputetit Fino, se e vlerësoj”, tha Peza.
Të njëjtin mendim ndau edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i cili i këshilloi gjithashtu kolegët e tij të mos spekulojnë me emra konkretë. Xhafaj kërkoi rrëzimin e propozimit të bërë nga Fino, i cili me shumicën e votave mori edhe dakordësinë e Komisionit.
I vetmi që e mbështeti propozimin e bërë nga ish-kryeministri Bashkim Fino ishte deputeti Pirro Lutaj. Fino theksoi në fund të votimit se për këtë çështje do të paraqesë amendamente edhe në seancë plenare, duke kërkuar që të mos përsëriten më rastet e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës të ushtrimit të funksioneve paralele në krye të partisë dhe bashkisë.
Një tjetër diskutim që ngjalli debate mes anëtarëve të maxhorancës, përballë karrigeve të boshatisura të opozitës, ishte edhe çështja e kufizimit të mandateve. Ishte sërish relatori i projektligjit për vetëqeverisjen vendore, Bashkim Fino, që doli kundër kolegëve të tij, kur kërkoi që drejtuesit vendorë të mos rrinë më shumë se dy mandate në krye të bashkive. Por me forcën e kartonëve, Komisioni vendosi që vendorët të qëndrojnë deri në tre mandate, kufizim që do të ketë fuqi vetëm pasi ligji të hyjë në fuqi.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.