Dita e të Drejtave të Njeriut, kritika për politikën penale, sjelljen e policisë dhe regjistrimin e popullsisë

Postuar në 10 Dhjetor, 2015 17:02

Sot është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut dhe në këtë kuadër janë organizuar disa aktivitete. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka organizuar tryezë të rrumbullakët, në të cilën kryetari i saj, Vangjel Dule ka përsëritur vërejtjet për “mungesën e një regjistrimi të popullsisë  në Shqipëri sipas standardeve dhe parametrave të Këshillit të Europës si edhe faktin  se jemi i vetmi vend që aspirojmë integrimin ne familjen europiane dhe nuk kemi ende një ligj integral për të drejtat e minoriteteve”.  Ndërkohë Avokati i Popullit ka shpërndarë një deklaratë të vetën që merr në shqyrtim disa çështje themelore të të drejtave dhe sjelljen e institucuoneve. Avokati i Popullit përcjell shqetësime për largimin e njerëzve nga Shqipëria, një version tjetër ky nga ai i qeverisë, ndërkohë që parashtron kritika për politikën penale dhe sjelljen e policisë. “Janë trajtuar një numër i konsiderueshëm rastesh të dhunës fizike nga punonjësit e policisë ndaj shtetasve, për të cilat janë dhënë rekomandime për fillimin e hetimeve dhe marrjen e masave për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi epror i organit që ka shkaktuar shkeljen. Ka moskryerje të detyrimeve ligjore nga personeli policor dhe ai shëndetësor që shërben në ambientet e sigurisë për raportimin e rasteve të ushtrimit të dhunës ndaj të arrestuarve ose të ndaluarve...Gjatë vitit të fundit janë arrestuar e burgosur një numër i konsiderueshëm qytetarësh për kryerjen e veprave penale të ndryshme, duke përfshirë edhe ato për “Vjedhjen e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Ndërtimit të paligjshëm”, “Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi”, etj. Arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër sigurimi është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit. Pra, arresti në burg duhet të aplikohet si rast përjashtimor dhe si masë e fundit. Kjo duhet të aplikohet në përshtatje me shkallën e nevojave të sigurimit, të jetë në raport me rëndësinë e faktit dhe me sanksionin që parashikon vepra penale, si dhe kur masat e tjera nuk janë të përshtatshme për shkak të rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe të autorit të saj. Ndërkohë për aplikimin e kësaj mase duhen mbajtur parasysh kostot ekonomike për shoqërine dhe individin, si dhe pasojat sociale e psikologjike në familjen përkatëse dhe më gjerë në rrethin miqësor e shoqëror të të arrestuarit. Nuk duhet të anashkalojmë  faktin e rëndësishëm të mbipopullimit të ambienteve të sigurisë. Për këto arsye kemi rekomanduar që, ndaj autorëve të veprave penale të “Vjedhjes së energjisë elektrike ose impulsive telefonike”, për “Ndërtim të paligjshëm”, të aplikohet ndjekje penale në gjendje të lirë dhe masa sigurimi personal më të buta se sa “arresti në burg””, deklaron AP.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.